Xhensila Myrtezaj, një këngëtare për t’u marrë shembull

535964_534242753273941_104610981_nXhensila Myrtezaj është këngëtarja që ka prekur në masë zemrat e publikut shqiptarë; ka “pushtuar” toplistat e radiove e televizioneve tona, po arrin të grumbullojë çdo ditë e më tepër klikime të shumta në Youtube dhe është e komentuar mjaftueshëm në forumet sociale. E gjithë kjo ka ardhur falë bukurisë dhe interpretimeve të veçanta të saj. Në ‘TopFest 8’ ajo u paraqit me këngën “Ëngjëlli im”, ku arriti të fitojë çmimin si femra më e mirë. Më pas, këngën në fjalë e shoqëroi edhe me videoklip. Ndërkohë, videoklipi i fundit titullohet “DA DA DA” dhe ka bërë një bujë të madhe, qëkurse u shfaq verën e kaluar. Ndërkaq, me këngën “Me ty jam”, këngëtarja simpatike garoi në festivalin ‘Kënga Magjike 2012’, ku “rrëmbeu” çmimin Diskografik dhe është pritur mjaft ngrohët nga publiku, duke i emocionuar me baladën e realizuar nga Stine. Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Nacional Albania”, Xhensila tregon për jetën e saj profesionale e private.

Me tekstet tuaja keni “prodhuar” shumë dashuri. Këngët që ju këndoni prekin tema dashurie, që i bënë të gjithë të të duan pa masë.

Kjo ngjan si me çdo poet, shkrimtar apo romancier, që suksesin e vargjeve e kanë në përzgjedhjen e duhur të fjalëve, në dashurinë e tyre dhe mesazhin që ata përcjellin. Pikërisht, edhe unë këtë gjë jam munduar të sjell: thjeshtë mesazhin, fjalën dhe dashurinë time. 

73441_534242653273951_1707702237_nCila është Xhensila për ata që nuk ju njohin aq sa duhet?

Besimi në Zot më bën që të njoh vetveten, kufinjt e mi, pra kornizat e mia. Shkurt, ajo që më pëlqen të paraqitem në sytë e të tjerëve dhe çka jam në të vërtetë është thjeshtësia, e cila më karakterizon gjithnjë. Gjykoj se kjo më bën edhe më të dashur tek publiku.

Si ndiheni tani që keni fituar interesin dhe vëmendjen e publikut?

Kuptohet se kjo ka të mirat e veta, por nga ana tjetër të bënë të mendosh më gjatë për veprimet që bën dhe gjërat që thua.

Si është një 24 orësh i Xhensilës?

Nuk i kam të programuara gjatë javës të gjithë 24 orëshët e mi. Por, megjithatë mundohem të programoj një pjesë të mirë të ditës. Sigurisht, vendin kryesor e zënë angazhimet artistike, më pas shkolla dhe pa harruar asnjëherë angazhimet në çift (shkrihet së qeshuri) .

Keni ndonjë “pasion” të fshehtë, që publiku nuk e di?

Kam një marrëdhënie shumë pasionante me gjumin, aq sa gjej mundësinë dhe kohën t’i përkushtohem me “seriozitet” këtij pasioni (qeshet).

A ka ndonjë gjë personale në tekstet e këngëve tuaja, sepse dihet që keni një lidhje dashurie (me Bes Kallakun e ‘Portokallisë’) dhe një pjesë kanë përshtypjen se të gjitha këngët ia dedikoni të dashurit tuaj, si dhuratë për të, si simbol dashurie? 

Kënga që unë i kam dedikuar atij, si në tekst, ashtu edhe në interpretim është kënga “Ëngjëlli im”, kurse këngët e tjera janë dedikim për të gjithë ata që e gjejnë veten në to dhe s’bëhet fjalë për një person të veçantë, pavarësisht se në ndonjë varg të këngëve ka edhe copëza nga jeta ime apo ndonjë dedikim special, por jo tërësisht. Vetëm “Ëngjëlli im” është fillim e mbarim dedikim për të dashurin tim.

 Foto1

Çka është muzika për ju dhe a mendoni që nesër mund ta zëvendësoni me diçka tjetër?
Muzika është dashuria ime më e madhe dhe dhurata më e bukur që më ka dhuruar Zoti. Nuk mund t’i imagjinoj dot ditët pa muzikë. Atë nuk do ta ndërroja me gjithë pasuritë e botës. Pa muzikë nuk ka jetë për mua; ajo është ajri im dhe pa ajër nuk jeton dot.

A do tju shohim në ndonjë këngë duet?

T’ju them të drejtën dëshira ekziston, por pres momentin dhe bumin e duhur.

379327_534242686607281_1878971695_nCilët janë këngëtarët shqiptarë dhe botërorë, që ju pëlqeni më tepër dhe i dëgjoni me ëndje?

Më pëlqen Juliana Pasha, mbretëresha e muzikës sot për sot në Shqipëri. Gjithashtu edhe motrat Libohova. Ndërsa nga muzika botërore do të veçoja Beyonce dhe të ndjerët Michael Jackson, Whitney Heuston etj.

Si i shikoni këngët tuaja, profesionale apo ka gjithmonë më mirë?

Artisti nuk duhet të kënaqet kurrë me veten, por duhet të kërkoj gjithmonë nga vetja më të mirën. Megjithëse jam munduar të zgjedh materiale profesionale dhe produkti përfundimtar të jetë profesional, sërish kërkoj diçka akoma më profesionale, e cila të shërbejë në jetëgjatësinë time si këngëtare. Për më gjatë i takon publikut të gjykoj për lartësinë e profesionalizmit të këngëve të mia.

foto11Dukeni elegante që nga pamja, veshja, aksesorët etj. A do të përkujdeseshit kaq shumë për veten sikur të mos ishit Xhensila e skenës?

Gjithmonë një femër duhet të kujdeset për veten. Gjithsesi, kujdesi skenik do një rëndësi dhe vëmendje më të madhe. Unë mundohem që në përditshmërinë time të jem sa më praktike. P.sh. asnjëherë nuk lyhem gjatë ditëve të mia, por thjesht i jap një rëndësi shumë të madhe higjienës dhe pastërtisë sime personale. Edhe veshjet e mia të përditshme janë shumë praktike dhe të rehatshme. 

Mesazhi juaj për lexuesit e gazetës Nacional Albania dhe atyre që ju përkrahin?
Falenderoj pafundësisht fansat e mi për mbështetjen dhe suportin që më japin. U them të adhurojnë ëndrrat e tyre, të besojnë në to, por të tregohen me këmbë në tokë… dhe lexoni, mësoni dhe dëgjoni muzikë të mirë sa më shumë.

Nacional Albania/ Intervistoi: Florim A. Gashi

You must be logged in to post a comment Login