Duka lëshon “bombën”: Komiteti i Arbitrave ka përcaktuar arbitrat që do pëjashtohen

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka lëshuar një “bombë” në lidhje me temën shumë të diskutuar të arbitrave. Ai ka bërë me dije se Komiteti i Arbitrimit ka përcaktuar disa nga gjyqtarët të cilët janë vlerësuar që bëjnë veprime tendencioze për të prishur garën, ndaj dhe do të përjashtohen.

Këtë deklaratë Duka e ka bërë në një takim me studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ku është prezantuar projekti i ri i Akademisë së Arbitrimit.

Përjashtimi i arbitrave

“Duke i cilësuar si gabime njerëzore ndoshta kemi lejuar pa dëshirë të kalojnë edhe gabime jonjerëzore. Realisht Komiteti i Arbitrimit ka analizuar dhe ka përcaktuar arbitra që mendohet që me dashje kërkojnë të bëjnë politiken e garës ose të ndikojnë në garë. Këta arbitra nuk do jenë më pjesë e arbitrimit.

Janë në proces me emra por kjo është në autoritetin e Komitetit të Arbitrimit. Në asnjë moment nuk mund të mendosh që bëhesh gjyqtar i FIFA-s dhe ke imunitet për të gabuar me dashje, të gjithë duhet të jenë korrektë dhe të gjithë mund të marrin të njëjtin penalizim.”

Ndikimi i gabimeve në rezultatet e garës

“Qëllimi jonë është që që në gjenezë të kemi një rekrutim më të mirë që të mos kemi fenomene të tilla në të ardhmen. Dua të garantoj pjesëmarrësit në garë që ne jemi korrektë me të gjithë dhe duam një garë korrekte, pa influenca të jashtme në rezultat.”

Mbështetja për arbitrat

“Realisht të gjithë duhet të ndihmojmë gjyqtarin, nëse krijojmë atmosferë mbytëse ia bëjmë më të vështirë të marrë vendimin e duhur. Duhet te pranojmë dhe shpejtësinë me të cilën gjyqtari duhet të marrë vendimin. Megjithatë, në asnjë rast nuk duhet të tolerojmë dhe duhet të dimë të ndajmë gabimin me dashje nga ai pa dashje.”

You must be logged in to post a comment Login