Zbulohet një tempull ilir dhe kishë e lashtë në Kamenicë

Rreth 20 kilometra larg Kamenicës, në fshatin Lisockë, disa gërmues e kanë zbuluar një kishë të vjetër, raporton Klan Kosova.

Për arkeologun Shaban Berisha, i cili vepron në këtë pjesë të vendit, pjesa e parë e objektit mund të ketë qenë tempull, pasi për këtë flasin rozetat, të cilat janë të gdhendura në mure.

“Unë i pashë dy objekte, njëri është i kohës më të lashtë dhe një tjetër që i është bashkangjitur. Mendoj se pjesa e parë mund të ketë qenë një tempull, i cili më vonë, me kalimin e popullatës në krishtenizëm është përshtatur në kishë”, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë se komuna nuk është interesuar asnjëherë për këtë monument.

“Komuna as që e di se këto monumente ekzistojnë. Fatkeqësisht, nuk ka ndonjë interesim për këto gjëra. Këtë e dëshmon edhe rrugë deri te ky objekt”, ka thënë ai.

Zyrtarët e komunës nuk kanë qenë të informuar rreth këtyre gërmimeve dhe nuk kanë as informacion se kush janë gërmuesit. Por, ata shprehen të gatshëm për restaurimin e këtij objekti.

Sipas informacioneve të para, arkeologët vlerësojnë se kisha i takon kohës mesjetare dhe gjason me ato bregdetare.

Instituti Arkeologjik i Kosovës ka filluar të punojë menjëherë në këtë lokacion.

Sipas drejtorit tw kwtij instituti, shumë shpejt do të fillojnë gërmime shtesë në këtë lokacion, e pastaj do të jepen informata të sakta sa i përket kohës së ndërtimit të këtij objekti të kultit. (r.m.)

You must be logged in to post a comment Login