Thaçi s’ia përmend Merkelit “korrigjimin e kufirit”

Kur ka takuar kancelaren Angela Merkel, kreu i shtetit Hashim Thaçi nuk ka thënë se e ka përmendur “korrigjimin e kufirit”, ide që e ka nisur tash një kohë ta qarkullojë si zgjidhje e qëndrueshme mes Kosovës e Serbisë, e të cilën Gjermania po e kundërshton.

Thaçi, që me Merkelin thotë të jetë takuar në Paris, në kuadër të ceremonisë së kremtimit të 100-vjetorit të shënimit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, e ka cilësuar si kruciale përkrahjen e Gjermanisë në arritjen e mundshme të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Një takim të rëndësishëm në Paris kisha edhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Temë kryesore e diskutimit tonë ishin dialogu dhe mundësia e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi, përcjell Koha.net. “Përkrahja gjermane është përcaktuese për arritjen e kësaj marrëveshjeje, e cila afron edhe më tepër rajonin tonë me Bashkimin Evropian, si dhe e forcon paqen dhe stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë më tej kreu i shtetit të Kosovës.

Kishin shpërthyer kritika në drejtim të Thaçit, që në fund të tetorit, në Minsk të Bjellorusisë ku po merrte pjesë në Takimin e Grupit Kryesor të Konferencës së Sigurisë të Munihut, bashkë me kryeministren serbe Ana Bërnabiq, ishte raportuar se kishin kritikuan qëndrimin gjerman për çështjen e ndryshimit të kufijve.

Kryesuesi i Konferencës së Sigurisë së Munihut, Wolfgang Ischinger, kishte komentuar takimin e Thaçit me Bërnabiqin, duke thënë se në të është kritikuar qasja e Gjermanisë ndaj idesë së ndryshimit të kufijve, raporton Koha.net.

“Diskutime serioze dhe të rënda për Kosovën dhe Serbinë: Qeveria e Gjermanisë është kritikuar si nga Thaçi ashtu edhe nga Bërnabiqi, si shumë negative”, ka shkruar Ischingeri në Twitter, i cili ka shpërndarë edhe postimin e Bërnabiqit në Twitter, e cila, ndër të tjera, thotë: “Mbesim të përkushtuar në dialog dhe në gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi dhe të qëndrueshme afatgjate për Kosovën dhe Metohinë”.

You must be logged in to post a comment Login