Në Paris Thaçi ishte i ulur afër liderëve botërorë, reagon Vuciq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar për shkak të mënyrës së uljes së përfaqësuesve shtetërorë gjatë ceremonisë në Paris.

Në pyetjen e një gazetari për ta komentuar faktin se disa liderë të rajonit të Ballkanit kanë qenë të ulur afër pesë njerëzve më të fuqishëm në botë, Vuçiq ka thënë se “e ka vërejtur që Hashim Thaçi e kishte pozitën më të mirë prej të gjithë presidentëve ballkanas”.

Presidenti serb ka thënë se vendet e uljes “nuk janë as për së afërmi pasqyrim i raportit të forcave”.

“Unë i kam dyshimet e mia për atë që ka ndodhur, por nuk dua të flas publikisht. Dyshimi im me siguri ia qëllon se çfarë ka ndodhur në të vërtetë”.

“Mund ta merrni me mend se çfarë ka menduar dikush kur e ka vendosur Thaçin prapa Putinit, me të cilin i ka shtrënguar duart. Thaçi i ka ardhur pas shpinës Putinit dhe ia ka shtrirë dorën, por vetëm kur shefi i shtetit rus e ka kuptuar se kush ishte, është kthyer kah të tjerët”.

Sipas fjalëve të tij, renditja nuk kishte lidhje me rendin alfabetik.

“Sikur në vendin e Thaçit të kishte qëndruar presidentja e Kroacisë, do të mund ta kuptoja, sepse do të ishte në bazë të rendit alfabetik. As Austria nuk ishte afër ‘pesëshes së fuqishme’, por në anën time…”.

“Afër meje ishin përfaqësuesit e Letonisë. Mirëpo, nuk ishte vendi as nuk kishte kuptim që unë të bëja skandal aty. Patëm biseda të rëndësishme dhe të mira, kemi kryer punë të mirë për vendin tonë”, tha Vuciq, njofton Klan Kosova.

“Presidenti i Francës, Emanuel Macron, do të vjen në Beograd, por dyshoj se do të shkojë në Prishtinë. Presidenti i Rusisë do të vjen në Beograd dhe vështirë që ndonjëherë do të shkojë në Prishtinë. Angela Merkel sërish do të vjen në Beograd, mirëpo nuk jam i sigurt që njëkohësisht do të shkojë në Prishtinë. Shikojeni nivelin e investimeve dhe të gjitha të tjerat”.

“Ose do të jeni pjesë e botës, ose do ta përjashtoni veten. Unë nuk dua dhe nuk mund ta përjashtoj Serbinë për shkak të gabimeve të tyre dhe dobësive tona në të kaluarën”.

 

You must be logged in to post a comment Login