A do të kemi zgjedhje së shpejti në Kosovë?

Partitë opozitare tash e dy muaj kanë filluar takimet me strukturat e tyre në pothuajse gjitha degët në Kosovë. Por, së fundi dhe vet partitë që janë në koalicion qeverisës janë duke bërë tubime mobilizuese me simpatizantët dhe anëtarët e tyre.

Vetëm fundjavën që shkoi të  gjitha partitë në pushtet, duke filluar prej PDK-së, AAK-së, Nismës  dhe AKR-së, kishin tubime me strukturat e tyre në qytete të ndryshme të Kosovës.

Partia e shefit të ekzekutivit, Ramush Haradinaj zgjodhi bastionin e vet, Deçanin si thirrje  për mobilizim të të gjitha strukturave të partisë.

Zëvendësi i tij në pushtet dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj ishte në Skenderaj dhe Drenas, ku prej këtij lokacioni kërkoi nga anëtarësia atje ta fuqizojnë partinë.

AKR-ja e  shefit të diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli  shpalli zgjedhjet e brendshme ku  u shpreh mjaft i entuziazmuar me masën që ishte mbledhur në një nga hotelet në periferi të Prishtinës.

Ndryshe, prej këtyre, partia e kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli kishte zgjedhur si vend për takim anëtarësinë  në Ferizaj, sipas tij vetëm për t’i informuar strukturat e veta me sukseset e kësaj qeverie.

Kështu, si kryeparlamentari këto tubime si informuese po i shohin dhe krerët e partive tjera në pushtet.

Megithatë ndryshe nga liderët e partive politike mendojnë analistët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Të gjithë këta këto tubime po i konsiderojnë si një para fushatë  të partive në pushtet, ndërsa kanë thënë se zgjedhjet janë të pashmangshme.

Drejtori ekzekutiv i organizatës jo qeveritare,’ÇOHU’,  Arton Demhasaj këto tubime me strukturat  të  partive në  pushtet i konsideron si një  minifushatë  parazgjedhore..

Në të kundërtën sipas tij nuk ka logjikë  që  partitë  në  pushtet të  takohen me qytetarë , pasi puna e tyre tregohet  përmes projekteve që  ata i realizojnë.

Demhasaj ka thënë  se për të  janë  vetëm dy alternativa, të zhbllokohet situata politike në  Kuvend, e në  rast që nuk ndodh  vendi të shkojë në zgjedhje.

I njëjtë në mendim me të është edhe njohësi i rrethanave politike, Behlul Beqaj.

Ai  zgjedhjet e reja i konsideron të domosdoshme sepse Kosova, siç thotë ai është në një udhëkryq dhe deshën apo nuk deshën partitë politike në vend, zgjedhjet janë një realitet që duhet të ndodhin.

Por,  Valmir Ismajli nga nga Demokracia Plus(D+) është skeptik se do të ketë zgjedhje.

Sipas tij, zgjedhjet nuk varen vetëm nga skena politike në vend, por dhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Partitë opozitare ka mbi gjashtë muaj që kanë kërkuar zgjedhje të reja në Kosovë, sipas tyre, kjo Qeveri është e pakicës, pasi ata nuk i kanë numrat.

Madje në mënyrë indirekte një ‘kërcënim’ ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj e ka bërë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi duke thënë se pozitat nuk janë të përhershme./KosovaPress/

You must be logged in to post a comment Login