Vuçiq nga Ankaraja i dërgon mesazhe Haradinajt

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sonte në Ankara se “shqiptarëve të Kosovës mund tu thonë mjaft vetëm ata që nuk duan t’ua thonë këtë, ata që morën pjesë në krijimin e të ashtuquajturës pavarësi e Kosovës”.

Vuçiq, siç transmeton FoNet, tha se “ata mendojnë se është një e keqe e domosdoshme që ata duhet t’i durojnë do farë serbësh dhe një farë Serbie. Por, nga një arrogancë e tillë kurrë nuk ka lindur një rezultat fitimtar. Unë i lus që të vazhdojnë kështu”, u tha Vuçiq gazetarëve në Ankara.

Vuçiq, duke komentuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, se “Serbia nuk e kupton kush ka fituar e kush ka humbur në luftë”, me ironi ka konstatuar se “është e qartë se ai (Haraadinaj) është ekspert për shtet ligjor dhe rend kushtetues dhe e përgëzoj për këtë”, përcjell Telegrafi.

“Por, ajo që është absolutisht e qartë, është se atyre nuk u shkon mendja të bëjnë asnjë kompromis. Ata mendojnë se kur amerikanët dhe disa të tjerë e kanë bombarduar Serbinë kjo është  fitore e tyre e madhe dhe se nga kjo duhet të marrin gjithçka që nuk u takonte”, tha ai.

Vuçiq shtoi se, kur të keni mbështetjen e fuqisë më të madhe të botës, atëherë mund të flisni çfarë të dëshironi,  “e ata le të jenë arrogantë, kurse puna jonë është të kërkojmë një zgjidhje”.

“Unë nuk jam shumë i fascinuar me njohuritë e tij (e Haradinajt) për ligjin, sistemit kushtetues-ligjor, të drejtës  krahasuese, e aq më pak me njohuritë e tij për të drejtat dhe liritë e njeriut në legjislacionin krahasues”, tha Vuçiç.

I pyetur për kërcënimet e supozuara që iu drejtuan atij në Serbi, Vuçiç u përgjigj se me diçka të tillë po përballet çdo ditë, dhe se kërcënimi i fundit i është dërguar nga një adresë interneti në afërsi të Çaçakut. /Telegrafi/

You must be logged in to post a comment Login