Vjen reagimi nga SHBA për Serbinë në lidhje me Kosovën

Anulimi i ftesave për deputetët e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ilir Deda, për pjesëmarrje në një konferencë të organizuar në Serbi nga Kuvendi i atjeshëm, dhe ndalimi i hyrjes së karateistëve kosovarë në Serbi, ku ata duhej të merrnin pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë, ka nxitur reagime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Demokratët e Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për këtë veprim të Serbisë, që besohet të jetë bërë nga trysnia e ushtruar nga ultra-nacionalisti, Vojisllav Sheshel, i dënuar për krime lufte, transmeton Express.

Nëpërmjet dy “cicërimave” në llogarinë e tyre zyrtare në rrjetin social, Twitter, në internet, demokratët e Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, të cilët udhëhiqen nga Eliot Engel, i kanë cilësuar si shembuj të shpirtngushtësisë veprimet e sotme të Serbisë.

“Nëse Serbia dëshiron të arrijë integrimin evropian, duhet të ndalë këto taktika fëmijërore dhe të pranojë pavarësinë dhe sovranitetin e fqinjes së saj, Kosovës”, thuhet në reagimin e demokratëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.

You must be logged in to post a comment Login