Rastet e përsëritura të dhunës nga të semurët mendorë. Kush mban pergjegjesi

Nga Ema Shazivari Dy ditë më parë opinioni publik në Shqipëri do tronditej nga një ngjarje e rëndë e ndodhur në Fushë-Krujë. Një person me probleme mendore, përdhunoi një djalë 6-vjeçar, i cili momentalisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve psikiatër. Nuk është as hera e parë dhe me shumë gjasë as e fundit, ku persona të tillë në Shqipëri, të cilët vuajnë nga problemet mendore sulmojnë apo edhe vrasin njerëz apo të afërmit e tyre. Askush nuk mund të harrojë dot ngjarjen e tmerrshme të ndodhur në Palasë, ku xhaxhai i preu kokën nipit të tij të mitur. Edhe ai po ashtu vuante nga probleme mendore, dhe ky mbeti i vetmi justifikim.

Të sëmurët mendorë ndahen në dy kategori, ata që cilësohen si të rrezikshëm, dhe ata të cilët “shohin punën e tyre”. Në rastin e dytë mund të jetë deri diku e pranueshme që këta individë të ecin lirisht nëpër rrugë, pasi nëse nuk cënojnë e vetmja gjë që mund të ndjesh është keqardhje. Po në rastin e dytë? Sa persona të tillë qarkullojnë rrugëve të lagjes, qytetit, apo vende të tjera publike lirisht? Sa herë kanë sulmuar persona të ndryshëm të cilët thjesht kanë marrë atë justifikimin “çfarë t’i bëjmë”?

Spitalet psikiatrike në Shqipëri janë të tejmbushur. Spitali Psikiatrik i Elbasanit, ka një kapacitet prej 310 shtretërish, por si spitali më i madh rajonal dhe në Shqipëri gjithnjë kjo shifër tejkalohet, duke krijuar mbipopullim. Dhomat ku qëndrojnë të sëmurët janë më 8 shtretër. Spitali nuk është i pajisur me kamera sigurie dhe as me ndonjë shërbim policie në raste emergjence. Edhe në spitalin “Ali Shefqeti” në Vlorë situata paraqitet problematike. Ka edhe nga ato raste ku burokracitë shtetërore për shtrimin e një pacienti të rrezikshëm në një spital psikiatrik, i vendosin në rrezik familjarët e tyre. Siç ka qenë edhe rasti i Qefnie Sulejmani nga Fieri, bashkëshorti i së cilës ishte i sëmurë mendor dhe paraqiste rrezik në familje. Askush nuk e merrte përsipër bashkëshortin e saj, deri sa ajo vendosi t’i drejtohej një emisioni për të zgjidhur hallin e saj. Po sa raste të ngjashme ka?

Shteti kësaj shtrese fatkeqe u ka kthyer shpinën duke i lënë familjarët pa mundësi veprimi dhe duke i rrezikuar madje edhe jetën. Askush në Shqipëri as nuk është përpjekur ta ngrejë si problem, pasi mentaliteti shqiptar është i lidhur ngushtë me shprehjen “çfarë nuk më cënon mua nuk është puna ime”.

Duhet kuptuar që një i sëmur mendor, i patrajtuar dhe aq më pak i lënë në liri të plotë veprimi, mund të jetë më i rrezikshëm se një kriminel, pasi me këtë të fundit mund edhe të negociosh. Nuk është aspak paragjykuese të kërkosh të drejtën tënde ndaj një shtrese e cila dashje padashje kthehet në rrezik publik. Fëmija i kujt duhet ta ketë tashmë radhën për të qenë viktima që dikush të veprojë ose të nxisë shtetin të marrë masa?

Kur vjen puna të çështjet sociale në Shqipëri, të vjen të ulërasësh nga mungesa e mbështetjes. Dhe në një rast si ky është më e frikshme fakti që nuk ke as ku të kërkosh të drejtën. Bashkimi Europian, vendi ku ne aspirojmë dhe ëndërrojmë të futemi përbëhet nga shtete të cilat çështjet sociale i kanë primare. Një shtet si ky i yni as nuk mund të ëndërrojë trokitjen në derë nëse këto problematika nuk marrin zgjidhje.

Një shtet anti-social, nuk mund të quhet as shtet, dhe ky është problemi mijëra vjeçar i Shqipërisë i cili mesa duket ende vijon të ruajë traditat e gabuara!

You must be logged in to post a comment Login