Potenciali i agroturizmit: Mastershefat, që po kthejnë fshatin në modë

Kombinimi i bujqësisë me turizmin po shndërrohet në një model të suksesshëm biznesi për zonat rurale. Fermat-restorant ose bizneset e argo-turizmit po sjellin më shumë të ardhura se serat me perime dhe stallat e blegtorëve. Ato po krijojnë ekonominë e shkallës dhe ndihmojnë në zbutjen e varfërisë në fshat. Mrizi i Zanave, si modeli i suksesit tashmë i markuar ndërkombëtarisht, po përhapet me shpejtësi në fshatra të tjerë të vendit. Si po rrezikon sektori nga mbi-investimet pa përvojë dhe politikat që ka qeveria për zhvillimin e tij

 

Blerina Hoxha

 

Para 10 vitesh, Fishta e Lezhës ishte si të gjithë fshatrat e tjera të Shqipërisë, me toka djerrë e të rinj në emigracion, që trashëgoi mbiemrin e poetit të madh Gjergj Fishta dhe burgun famëkeq të disidentëve ndaj komunizmit, deri sa vëllezërit Prenga u rikthyen për ta ndryshuar përgjithmonë. Ngritja e një restoranti në tokat e familjes, i mbështetur në traditë dhe prodhimet e zonës shumë shpejt i ka dhënë një dimension tjetër zonës, duke e përfshirë në guidat turistike vendase dhe të huaja. Biznesi i bazuar në agroturizëm, jo vetëm që po siguron të ardhurat për familjen Prenga, por po zhvillon ekonominë e shkallës në të gjithë zonën përreth, duke ringjallur bujqësinë dhe turizmin njëkohësisht.

Mrizi i Zanave

Modeli “Mrizi” po përhapet me shpejtësi në të gjithë vendin, pasi përvojat e pakta kanë treguar se në krahasim me fermat e bagëtive dhe serat në fushë, agroturizmi, një biznes mes bujqësisë dhe turizmit, ka më shumë leverdi. Mirëpo vërshimi i industrialistëve të Tiranës që kërkojnë të investojnë tepricat e tyre në këto lloj biznesi mund t’ia rrezikojnë për shkak se, biznesi në fshat kërkon veç të tjerash, lidhje shpirtërore.
Altin Prenga, administratori i Mrizit të Zanave thotë se agroturizmi është një sektor me të ardhme në vendin tonë dhe aktualisht është i zhvilluar nën potencialet që ka. Por zoti Prenga thotë se ky lloj biznesi nuk bëhet duke u ngrysur në qytet e duke bërë hotele dhe restorante luksi në fshat. Lidhja me fshatin duhet të jetë e natyrshme, përveç dëshirës dhe mundësive financiare. Agroturizmi nuk mund të jetë i tillë nëse nuk organizohet komuniteti në të gjithë zonën për të orientuar zinxhirin e prodhimit.

Por, përtej të gjitha vështirësive të momentit, argroturizmi është një trend i ri biznesi. Fermat ekzistuese po rrisin të ardhurat dhe punësimin me mbi 20% në vit, por infrastruktura e dobët dhe mungesa me politika mbështetëse janë si shkopinjtë poshtë rrotave.
Selim Cerpja, nga ferma Huqi, tha se aktiviteti po rritet nga viti në vit. Në tre vite aktivitet, biznesi i agroturizmit Huqi ia ka dalë të krijojë një emër të mirë dhe gjithashtu të ardhura. Zoti Çerpja thotë se aktiviteti i tij ka në themel shërbimet e restorantit bazuar tek tradita me prodhimet e zonës. Ferma Huqi bëri emër të mirë për shkak të investimit miqësor me natyrën, por zgjerimi i mëtejshëm po bëhet i vështirë, për shkak të mungesës së infrastrukturës.

Të njëjtin shqetësim kanë edhe administratorët e Kantinës Nurellari në Berat. Leventi, një nga pjesëtarët që merret me biznesin e familjes tha se, kantina po zgjerohet në agroturizëm ku, përveç degustimit të verës do të ofrohet restorant me prodhime vendase dhe një minihotel. Mirëpo rruga që lidh kantinën me aksin nacional dhe me qytetin e Beratit është një tmerr i vërtetë që krijon imazh negativ për vizitorët. Infrastruktura, si furnizimi me ujë dhe me energji elektrike, janë po aq problem, – tha Nurellari. Sipas tij, agroturizmi dhe përgjithësisht turizmi rural do të zhvillohet vetëm nëse investohet në infrastrukturë, në rrugët që lidhin fshatrat me potenciale me akset nacionale.

Ndërkohë, në Veri të vendit, 7 Spring Bio Farm, një fermë me 3100 krerë bagëti, rreth 1000 shpendë dhe 200 koshere me bletë e ka bazuar aktivitetin në modelin e staneve të vjetra në malet ndërmjet Shkodrës dhe Pukës. Ajo është certifikuar për prodhimet organike dhe është një nga më të mëdhatë në Europë e kësaj linje, por krijimi i saj ka kaluar nëpër sfida të mëdha që krijoi mungesa e infrastrukturës dhe së fundmi pamundësia për të eksportuar për shkak të mosangazhimit të qeverisë.
Administratorja e saj, Loreta Mere, tha se konsumatorët dhe vizitorët e kanë nxitur të hapë një restorant të cilin shumë shpejt ka në plan ta bëjë realitet. Krahas restorantit, Mere po mendon të zhvillojë edhe një guidë turistike, pasi peizazhi në të cilin ndodhet ferma ofron shumë në këtë drejtim.

Ministria e Bujqësisë, tre vite më parë, duke vlerësuar fizibilitetin e investimeve në bujqësi, përzgjodhi agroturizmin si modelin më të suksesshëm teksa vlerësoi se fermat bujqësore nuk ishin fitimprurëse nëse nuk kishin më shumë se 20 hektarë. Fermat e mëdha të kafshëve prodhojnë produkte me kosto të lartë, për shkak se nuk mbështeten me zinxhirin ushqimore. Copëzimi i madh i tokës, ku sipërfaqja mesatare e një ferme nuk është 1.03 hektarë, problemet e pronësisë, mekanizimi i dobët i kanë bërë bizneset e sektorët të vuajnë nga produktiviteti i të ulët, teksa agroturizmi po shihet si shpresëdhënës për riorientimin e investimeve në sektor.

 

Ferma “Huqi”

Trendi drejt fshatit

Urbanizimi i shpejtë që përfshiu Shqipërinë pas viteve 1990, kur banorët e zonave rurale u dyndën drejt qyteteve duket se është maturuar. Jeta intensive në qytet nën zhurmat, smogun dhe mungesën e gjelbërimit ka nisur të ringjallë interesin për fshatin, sidomos për fundjavë dhe pushime. Koha e lirë, në fshat mes ushqimit të veçantë, natyrës, bagëtive që kullosin, bimëve në fushë dhe pulave në ara bëhet shumë argëtuese, sidomos për një familje me fëmijë.

Prej këtij trendi po marrin hov restorantet në fshat, të cilat po e lidhin më së miri bujqësinë e zonës me shërbimet e turizmit. Këtë model e krijoi më së miri Mrizi i Zanave në fshatin Fishtë të Lezhës. Familja Prenga trashëgonte, përveç pronave në zonë, edhe një traditë të mirë kulinarie, e cila e përsosur me përvojën në Itali, po krijon një model pozitiv zhvillimi për fshatin, por që rrezikon të keqkopjohet. Shqipëria ka shumë resurse natyrore dhe trashëgimi të pasur kulturore dhe përgjithësisht rurale.

Leventi, nga kantina Nurellari, thotë se vetëm pak kohë më parë, në Peshtan të Beratit u zbulua një kala e vjetër ilire nga punimet që po bëhen për gazsjellësin TAP. Qyteti i vjetër i Beratit nga njëra anë, kanionet e Osumit, nga ana tjetër, dhe mali i Tomorit shumë afër janë resurse të mëdha të natyrës dhe trashëgimisë që e bëjnë me perspektivë biznesin e ri që po nis e zgjerohet drejt agroturizmit. Leventi thotë se aktiviteti i nisur që në vitin 1995, me një vresht të thjeshtë në tokat e familjes, është zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme, dhe kulmoi me krijimin e kantinës ku prodhohen verërat Nurellari, të cilat tashmë edhe eksportohen.

Aktualisht kantina, përveçse me prodhimin verërave, ofron degustim vere për turistët. Rritja e numrit të vizitorëve është bërë shkak për zgjerimin e aktivitetit në hotel, restorante, të cilat do të mbështeten te kulinaria dhe prodhimet e zonës përreth”. Kemi një plan biznesi serioz të cilin më parë e kemi konsultuar me biznese të agroturizmit në Francë, Angli, Greqi dhe Itali. “Gjithashtu unë kam mbaruar studimet për teknologji ushqimore dhe gjithashtu kemi lidhje natyrore me zonën”, – thotë Leventi.

 

Biznesi pranë të varfërve

Nga aktiviteti i Mrizit në Fishtë përfitojnë rreth 300 familje. Disa janë të punësuar të përhershëm dhe të tjerë kanë marrëveshje me familjen Prenga për të shitur prodhimet e tyre. Për 10 vite pamja e fshatit ka ndryshuar tërësisht dhe njerëzit kanë filluar të mendojnë ndryshe. Mrizi por krijon një model të mirë për të rinj dhe e ka kthyer fshatin Fishtë në një markë ndërkombëtare. Por “mbreti” i agroturizmit shqiptar gjendet para sfidave më të mëdha. Zinxhiri i prodhimit është në fillesa dhe Altini kërkon një përfshirje më të madhe të komunitetit.

Së fundmi, përveç restorantit ka shtuar një bujtinë, që synon ta çojë në 6 dhoma dhe sapo ka përfunduar rikonstruksionin e ish-godinës së të burgosurve politikë të komunizmit duke shndërruar në baxho, përpunim pastërmaje dhe magazina e për grumbullimin e frutave. Por ëndrra e Altinit është më e madhe se kaq. Ai synon që prodhimet e fushës të zgjerohen edhe më shumë, derisa të mos ketë më toka djerrë përreth dhe asnjë kokërr shegë e egër në faqet e maleve të mos kalbet në tokë. Përveçse të mbillen dhe të rriten me standarde sa më natyrale, Altini synon ta certifikojë çdo prodhim në fushë, baxho apo thertore. Për momentin duhet një thertore e certifikuar shpendësh, pasi në restorantin e Mrizit, mishi i shpendëve konsumohet shumë. “Por këtë aktivitet duhet ta zhvillojë një tjetër person në zonë. Nuk dua t’i bëj vetë të gjitha, pasi bashkëpunimi me komunitetin dhe përfshirja e tij në bizneset mbështetëse rrit vlerën e shtuar për të gjithë”, – shprehet administratori i Mrizit.

Sfida e Mrizit është certifikimi i produkteve dhe sidomos, shegës së egër. Është një mrekulli që natyra na ka dhënë. Nga Lezha në Shkodër dhe nëpër gjithë zonën e Zadrimës, shpatet e kodrinave kanë shegë të egër. Tani Mrizi ka organizuar grumbullimin e saj, duke e përpunuar në mënyra të ndryshme, por certifikimi do të rriste vlerën e saj në të ardhmen dhe për rrjedhojë, do të rriste fitimet për grumbulluesit.
Njësoj si Mrizi, edhe ferma Huqi po ndryshon për mirë zonën përreth. Selimi thotë se 10 familje janë të punësuara në mënyrë direkte dhe dhjetëra të tjera marrin të ardhura nga ferma, duke shitur shpendë, bagëtitë dhe prodhimet bujqësore. Kemi në plan të zgjerohemi në bashkëpunim me komunitetin, thotë Selimi. Kemi në plan që, përveç bujtinës me 17 shtëpiza druri dhe një minihoteli të bëjmë funksional një treg për prodhime të zonës, ku vizitorët të kenë mundësi të psonisin.

 

Kantina Nurellari

Pengesat dhe kërkesat

Bizneset në Shqipëri përballen me një mjedis të vështirë, ku përveç taksave, korrupsioni dhe lidhjet e interesit e bëjnë të vështirë mbijetesën, por imagjinoni një biznes në fshat pa rrugë e furnizim të rregullt me energji, ku ligjin ende e bën “Kanuni” dhe prania e shtetit është vetëm virtuale. Bizneset që ofrojnë shërbimet e agroturizmin në zonat rurale të vendit që nga Thethi e Valbona deri në Jug të vendit shqetësim kryesor kanë mungesën e infrastrukturës rrugore dhe furnizimin e rregullt me energji elektrike.

Kur nisën aktivitetin, administratorët e Fermës Huqi e ndërtuan vetë rrugën që lidh aksin nacional me fermën. Por tani, ata kërkojnë ndërhyrje nga shteti, pasi pretendimet e banorëve të zonës për pronat nuk i lejojnë ata të krijojnë standardin që duhet. Qëllimi i tyre është të bëjnë një treg që të shesin prodhimin e zonës për vizitorët.

Leventi, nga kantina Nurellari, thotë se rruga e dëmtuar po ndikon negativisht në emrin e mirë të kantinës. “Këtë vit, edhe energjia elektrike ka munguar shumë. Me ujin kemi gjithashtu probleme”, – thekson Leventi. Përmirësimi i infrastrukturës rurale do të ulte koston e aktivitetit dhe do të zgjeronte numrin e vizitorëve, thonë operatorët.

Për Altinin e Mrizit të Zanave është shumë e rëndësishme certifikimi i produkteve të zonës dhe krijimi i një zinxhiri prodhimi, në mënyrë të organizuar. “Ne duam të ofrojmë prodhimet e zonës, por të garantuara dhe certifikuara. Kjo kërkon politika mbështetëse dhe një angazhim të madh të komunitetit”, – tha ai. Problemet me pronësinë e tokave po krijojnë probleme në organizimin e prodhimit, teksa familja Prenga po përparon me hapa sigurt.

Ata janë profesorët dhe mbështetësit kryesorë të shkollës profesionale në Lezhë për shërbimet në bar, restorant dhe kuzhinë. Gjithashtu ata nxisin prodhimin dhe grumbullimin e prodhimeve nëpërmjet shndërrimit të ish-burgut të Fishtës në një përpunim të bulmetit dhe frutave dhe mishit. Zoti Prenga mendon se agroturizmi do të marrë mbështetjen e duhur nga qeveria me diferencimin e TVSH në 6% për këto aktivitete. Gjithashtu projekti “100 fshatrat”, pjesë e të cilit është edhe Fishta, do t’i japë dimensionin e duhur zonës.

 

Kullotat e “7 Springs Bio Farm” në Gomsiqe, Malësi e Madhe

Ferma më e madhe organike, si po zgjerohet në agroturizëm

7 Springs Bio Farm është një fermë në traditën e staneve të vjetra e krijuar në vitin 2004, tashmë ka certifikatën europiane për prodhime organike dhe së fundmi po zgjerohet në agroturizëm. Lorena Mere, me profesion ekonomiste, ka bërë hapa të matur në biznesin e saj, pavarësisht terrenit dhe kushteve të vështira.

Fillimisht kemi pasur vetëm një tufë me 70 dhi në një stan të vogël afër zonës ku ndodhemi sot, në Gomsiqe, mes Shkodrës dhe Pukës me male e kodrina plot me bar, thotë Lorena. Në fillim, ideja ishte për të pasur një fermë të vogël, sipas traditës të vjetër të këtyre zonave malore të Veriut. Kjo do të na garantonte cilësi të lartë të produkteve si në kohët e stërgjyshërve tanë.

Duke u përpjekur për të garantuar një jetë sa më të shëndetshme dhe natyrale, si për bagëtitë ashtu edhe për njerëzit që kujdesen për to, Lorena rriti ndjeshëm investimet, veçanërisht si pasojë e terrenit të egër malor dhe shumë larg zonave urbane. Peshën kryesore të këtyre investimeve e morën ndërtimi i rrugëve, sigurimi i energjisë elektrike, furnizimi i kullotës me ujë, si dhe ndërtimi i stallave konform praktikave më të mira europiane.

Shpenzimet operative ishin të larta dhe numri i punonjësve, gjithmonë e në rritje. Përpara kësaj situate, e cila i tejkaloi shumëfish shpenzimet e planifikuara për vazhdimësinë e kësaj ferme të vogël malore, kthimi mbrapa dhe heqja dorë nga kjo fermë nuk shihej më si një alternativë. “Të nxitur edhe nga miqtë dhe të afërmit, të cilët i kishin shijuar këto produkte dhe që ngulnin këmbë të kishin mundësinë e shijimit të tyre edhe në të ardhmen dhe ishin të gatshëm të paguanin çfarëdo lloj çmimi për to, vendosëm që të vazhdonim rrugën e nisur.

E ardhmja e fermës do të varej nga eficenca e saj, e cila mund të arrihej vetëm nëpërmjet zgjerimit të fermës dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese të saj”, shtoi më tej Lorena. Mënyra e jetesës së bagëtive tona ngjan më tepër me atë të kafshëve të egra se sa konvencionale, kështu që certifikimi organik sipas standardit europian, ishte për ne një formalitet, shton ajo.
Sot kjo fermë mbarështon mbi 300 lopë dhe viça, mbi 2.000 dhi dhe keca, mbi 800 dele dhe qengja, mbi 1.000 shpendë dhe 200 koshere bletë si dhe ka të punësuar mbi 40 punonjës nga zonat përreth saj.

“Duke qenë se ferma ndodhet në një terren me natyrë shumë të veçantë dhe pamje magjepsëse na është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga vizitorët si të huaj ashtu edhe vendas që të bëjmë diçka në drejtim të agroturizmit. Tani që produktet tona prodhohen dhe përpunohen sipas standardeve më të larta europiane, kemi vendosur që, së shpejti, të hapim edhe një restorant piktoresk në territorin e fermës dhe krahas saj të ofrojmë dhe guida në zonën përreth. Natyrisht që kjo fermë nuk është parë për asnjë moment si biznes fitimprurës, por nëse një ditë ajo do të arrijë të sigurojë të ardhurat e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e saj, kjo do të na gëzonte pa masë”, shton ajo.

Bazuar në numrin e bagëtive dhe sipërfaqen e kullotës që shfrytëzon, 7 Springs Bio Farm aktualisht është ferma më e madhe organike në Europë. “Duke qenë se kjo fermë ndodhet në Shqipëri, produktet e saj, si çdo produkt tjetër blegtoral shqiptar, nuk lejohet të eksportohen drejt Bashkimit Europian, edhe pse standardet e fermës sonë janë shumë më të larta se standardet organike të Bashkimit Europian dhe certifikimi ynë është bërë po nga ata”.

Lorena thotë se, sipas bisedave me ekspertë të fushës rezulton se ndalimi i eksporteve drejt Bashkimit Europian të produkteve të fermës tonë është lehtësisht i zgjidhshëm, nëse qeveria do të kishte sadopak vullnet për t’u marrë me të. Nëse kjo do të realizohej malet e Shqipërisë do të kishin edhe diçka me çka mund të krenoheshin në Europë, përfundon ajo.

 

Fundim Gjepali

Gjepali: Agroturizmi, momenti për të transformuar Shqipërinë

Një biznes i ri agroturizmi në Shijak, me një investim prej 40 milionë lekësh pritet t’i japë hov turizmit të brendshëm dhe të huaj dhe të nxisë zhvillimin dhe punësimin e gjithë zonës. Mastershefi Fundim Gjepali e ndan pasionin e tij mes Romës, ku është aksioner në një lokal të njohur, Tiranës ku menaxhon restorantin “Padam” dhe Shijakut, ku po ndërton një fermë për agroturizëm.

Ai thotë se me restorantin “Padam”, një ndër më të njohurit në Tiranë, ka realizuar ëndrrën që të shohë turistët e huaj në lokalin e tij. “Vij nga një familje tregtarësh e kohës së Zogut, por që e filloi tregtinë sërish menjëherë pas viteve ‘90, dhe i ndiqja të familjes kur isha i vogël dhe tashmë kam realizuar një ëndërr, që të huajt që dikur i shihja të kalonin te Hotel Dajti, tani i shoh që vijnë në ‘Padam’”, thotë ai.

Fundimi u ka dhënë rëndësi produkteve shqiptare. “Shumë produkte të zonës sime i kam transformuar”, pohon ai. Ka qenë ndër të parët në Tiranë që ka futur verërat shqiptare, përkundrejt skepticizmit që kishte hasur nga të tjerët. Në darka biznesi, ai çon gjithnjë oferta me produkte shqiptare. “Pse të pinë ‘Amaro’ italiane dhe jo raki shqiptare”, pohon ai, duke shtuar se këtu në Shqipëri po prek disa produkte, që në Itali e Francë janë një luks, por në Shqipëri i gjen lehtë.

Ky është një moment historik i transformimit të Shqipërisë, pohon ai, falë njerëzve që besojnë e rrezikojnë dhe harxhojnë kursimet e marrin kredi në banka. Pikërisht pasioni dhe dashuria për vendin, e shtynë atë të bënte diçka në Shqipëri, ndonëse ishte mirë në Romë, ku është aksioner në një nga restorantet më të njohur të kryeqytetit italian.

Prej disa vitesh, Fundimi ka hedhur hapa të qëndrueshëm në krijimin e fermës në Shijak, zonë ku familja e tij kishte tokat e veta. Ai nuk hoqi dorë nga rritja e shpendëve dhe blegtoria, me synim prodhimin e produkteve organike. Fundimi ka menduar për gjithçka që nga A-ja, pasi prej 7-8 vitesh ka mbjellë misër e grurë dhe në atë kohë njerëzit e merrnin për të çmendur. Sot ai po përfundon fermën e tij të përshtatur për agroturizëm.
Ai po investon në trojet e familjes dhe po përpiqet që të kthejë kuzhinën që e ka pasur traditë nga gjyshja, teksa pohon se vjen nga një familje e madhe e zonës. Mbështetja nuk ka munguar as nga Bashkia e Shijakut dhe as nga Ministria e Bujqësisë.
Fundimi e ka gati biznes-planin për ngritjen e biznesit të agroturizmit. Investimi është rreth 40 milionë lekë dhe planifikohen të punësohen rreth 20 banorë të zonës në fusha të ndryshme. Kthimi nga investimi pritet i shpejtë për rreth 2 vjet, pasi siç thotë ai, këto biznese kanë kthim të shpejtë.

Pjesa e rëndësishme e agroturizmit, thotë ai, është që të konsumohen produktet e prodhuara vetë ose të zonës. Një model i mirë se si agroturizmi nxit zhvillimin e gjithë zonës është edhe ai i Mrizit të Zanave në Fishtë të Lezhës. Edhe investimi në zonën e Shijakut do të jetë stimulues për banorët e zonës për të rritur prodhimet e tyre. Mishin e shpendëve do ta prodhojë nga ferma e tij, qumështin po ashtu, fruta-perimet do t’i prodhojë vetë, por do të marrë edhe nga banorët e zonës.
Një risi është edhe vëmendja për produktet vegjetariane. Fundimi thotë se në botë, kjo tendencë është mjaft e njohur në botë, por edhe në Shqipëri është shtuar kujdesi për ushqimin, duke ulur konsumin e mishrave të kuq. Interes të madh ka edhe për produktet e fshatit.

 

Rreziku i mbiinvestimeve

Ashtu si në çdo fushë, ku biznesi më i lehtë është të kopjosh tjetrin, sapo shikon që atij po i ecën mirë, edhe agroturizmi rrezikohet nga mbiinvestimet. “Po bëhen shumë njerëz që po tentojnë të bëjnë restorante në fshatra”, thotë Fundimi, duke shtuar se pjesa e agroturizmit është kulturore dhe me traditë dhe nuk mund ta bëjë kushdo.

“Do të kenë punë ata që do të bëjnë diferencën”, paralajmëron ai. Kujdes! “Po bëhen shumë njerëz që po tentojnë të bëjnë restorante në fshatra”, thotë Fundimi, duke shtuar se pjesa e agroturizmit është kulturore dhe me traditë dhe nuk mund ta bëjë kushdo. “Do të kenë punë ata që do të bëjnë diferencën”, paralajmëron ai.

You must be logged in to post a comment Login