Ngecin hetimet për tregti organesh

Një gjykatë kosovare dënoi para një viti e gjysëm me burgim tre mjekë për tregti organesh. Gjykatësi amerikan që dha dënimin, mendon se kjo çështje po zvarritet me qëllim, thuhet në një shkrim në gazetën NZZ.

Bashkëpunimi midis drejtësisë kosovare dhe asaj ndërkombëtare është ndjekur nga një sërë dështimesh dhe skandalesh. Ka dy dekada rresht që aktorët ndërkombëtarë ndërrohen gjatë përpjekjeve për të ndërtuar një sistem të fortë juridik. Rezultatet janë minimale. Kjo është ideja që të krijohet nga thëniet e një gjykatësi amerikan që ka punuar për Eulex-in në Kosovë, nga 2011 deri më 2013.

Gjykatësi, Dean B. Pineles, dha në vitin 2013 dënime nga tetë deri pesë vjet heqje lirie për pronarin e klinikës private Medicus, Lutfi Dervishi, të birin dhe një anestezist. Ky ishte dënimi i parë në botë kundër mjekëve në çështje të kësaj natyre, shkruante Pineles. Tani ai mendon se procesi po futet në qorrsokakun e instancave.

Krimi u zbulua kur më nëntor të 2008-së, një djalë 23-vjeçar turk Yilman Altin, humbi ndjenjat në aeroportin e Prishtinës. Forcat e ndihmës së shpejtë zbuluan qepjet e freskëta të bëra pas një operacioni. Altini deklaroi se atij i ishte marrë një veshkë në klinikën Medicus. Në klinikë policia gjeti izraelitin Bezalel Shafan, i cili po ashtu ishte me qepje të freskëta: ai kishte marrë veshkën e Altinit.

Shafani kishte paguar 90 mijë euro, Altini kishte marrë 15 mijë euro. Eulex-i mori përsipër të bënte hetimet dhe zbuloi këtë model biznesi: nëpërmjet një ndërmjetësi turk, mjekut Yusuf Sonmez, gjendeshin dhurues organesh në Turqi, Rusi, Bjellorusi, Moldavi dhe Kazakistan, të cilët ia shisnin organet e tyre klinikës Medicus. Ato u vendoseshin pacientëve të pasur nga Izraeli, Kanadaja, SHBA, Gjermania dhe Polonia. Të pasurit, të sëmurë me veshka i gjente Moshe Harel, një biznesmen izraelit. Deri në vitin 2008 ishin zhvilluar 30 operacione.

Drejtësia prodhon çështje pa fund

Meqenëse ndërmjetësit nuk ishin të arritshëm, hetimet u përqëndruan tek kosovarët. Procesi u bë me shpenzime të mëdha. 70 dëshmitarë u thirrën, shumë prej tyre nga vendet prej nga vinin “dhuruesit” dhe marrësit. Mbas 19 muajsh proces, trupi gjykues i përbërë prej tre vetësh, dy të huaj dhe një kosovar tha me unanimitet dënimin. Të dënuarit bënë apel, por ky nuk u pranua nga të dy instancat më nëntor 2015 dhe shtator 2016. Mundësia e fundit mbeti ankesa në Gjykatën e Lartë. Dhe ajo solli kthesën. Për arsye të panjohura, prokurorët ndërkombëtarë ia dorëzuan rastin drejtësisë kosovare. Kjo, quajti dënimin të pavlefshëm për mangësi formale, dhe ia ktheu procesin mbrapsht instancës së parë.

Drejtësia kosovare ndodhet para një mali me procese të pakryera. Prandaj, thonë optimistët, ekziston Dhoma Speciale e Kosovës, e cila merret ndër të tjera edhe me tregtinë me organe.

Juristi zviceran, Dick Marty, në atë kohë reporter në Këshillin e Evropës, pati akuzuar më 2010 në një raport që tërhoqi shumë vëmendjen publike se pjesë të UÇK-së, u kishin marrë organe serbëve të burgosur dhe i kishin shitur. Në raportin, i cili lë shumë pyetje pa përgjigje, bëhet fjalë edhe për Klinikën Medicus. Atje është vazhduar të bëhet tregtia me organe, që kishte filluar që gjatë viteve të luftës nga eksponentë të UÇK-së. Në raport një rol kryesor luan edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si shef i grupit të Drenicës.

Të dyshuarit luajnë me kohën

Kush pa në atë kohë reagimin e perëndimit, është sot i zhgënjyer. Në kuadër të Eulex-it u ngrit një komision hetimor nën drejtimin e amerikanit, Clint Williamson, i cili në vitin 2014 arriti në përfundimin se “në shumë raste” nuk mund të ngrihet akuzë për tregti me organe. Kaloi një vit derisa Kuvendi i Kosovës aprovoi pa dëshirë krijimin e Dhomës Speciale. Ky është një institucion kosovar, por për arsye sigurie e ka selinë në Hagë. Pse kaluan katër vjet pa ngritur asnjë akuzë, është e paqartë. Gjykatësi Pinteles flet për një “gjykatë shpirtrash” dhe thekson se në këtë proces që bazohet në pohimet e dëshmitarëve, me kalimin e kohës do bëhet gjithnjë e më pak e mundshme, të dëshmosh krimin, ku të mos ketë ku të luajë.

Dhoma Speciale nuk jep asnjë të dhënë se kur mendohet të jepet akuza. Sidoqoftë presioni në rritje nga SHBA dhe BE bëri që në muajin dhjetor grupi i Thaçit të mos e nxirrte jashtë loje gjykatën nëpërmjet ndryshimit të ligjit. Dhe ata që janë shumë optimistë e vlerësojnë emërimin e prokurorit të ri si shenjë të mirë. Meqenëse vendi i punës nuk u zgjat nga ministria e Jashtme amerikane, u desh që David Schwendiman të jepte pa dëshirën e vet dorëheqjen në fund të marsit. Këtë detyrë e merr tani përsipër amerikani Jack Smith, i cili nga 2008 deri 2010 ka qenë Gjykatës për Krimet e luftës në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Pyetja që shtrohet tani është sa kohë do të zgjasë deri sa Smith të njohë çështjen dhe të ngrejë padinë. /Deutsche Welle /Telegrafi/

You must be logged in to post a comment Login