Kënga e Bjeshkëve drejt UNESCO

Historia e popullit tonë është aq e lashtë dhe e mrekullueshme, sa vështirë se mund të gjesh një të dytë. Luftërat, pushtimet, qëllimet dashakeqe të fqinjëve, kanë bërë që të na zbehet historia, por kulturën nuk  ka arritur asnjë të na e ndryshojë, e jo më që ta asimlojë. Një nga ato zona që ka luftuar fort për traditën e saj, ka qenë veriu i Shqipërisë. Kanë mbajtur gjallë e kanë trashëguar brez pas brezi të gjitha legjendat e Bjeshkëve, por krenaria e tyre mbetet kënga me lahutë, ose e thënë më mirë vajtimi me lahutë. Lahuta është një instrument karakteristik për zonën e Veriut dhe sot ajo mund të ketë një përhapje më të gjerë, e dini përse e them këtë? Në  fillim të vitit 2016 është prezantuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dosja e Eposit të Kreshnikëve me qëllim përfshirjen e Eposit dhe lahutës në Organizatën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Edukim. Aktiviteti u titullua “Eposi shqiptari Kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit” dhe grupi i punës i përbërë nga Prof. dr. Zymer Neziri, prof. Vasil S. Tole dhe Prof.Dr. Shaban Sinani kanë prezantuar punën e bërë ndër vite dhe rezultatet e kërkimeve në terren. Njëherësh, është organizuar edhe aktiviteti përurues për dosjen shkencore të regjistrimit të projektit “Eposi Shqiptar i Kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit” në programin e UNESCO-s “Kryevlera të Trashëgimisë Jomateriale të Njerëzimit”, vlerësuar me çmimin vjetor të Bashkimit Europian “Europa Nostra”. Dosja është përgatitur më së miri dhe përmban 5 mijë faqe A4.

Drejtuesi i grupit Prof. Dok. Zymer Neziri në një intervistë shprehet se ata kanë punuar me mish e me shpirt për plot 275 ditë dhe për një periudhë kohore nga viti 2012 deri në vitin 2014, për ta sjellë këtë dosje kaq të plotë dhe për të përfshirë aty që të gjitha elementet.

Pra duhet thënë se me përgatitjen e dosjes për “Eposin e Kreshnikëve” është marrë parasysh edhe elementi bazë me të cilin këndohet Eposi, lahuta. Eposi përmban këngë për Kreshnikët e maleve, për orët e për zanat. Disa nga këngët me të njohura janë:

  • Fuqia e Mujit
  • Orët e Mujit
  • Ajkuna qan Omerin
  • Martesa e Halilit
  • Muji e tri zanat e malit
  • Halili pret Pajo Harambashin

Këndimi i tyre me lahutë i jep një dimension tjetër pasi lahuta është një instrument shumë delikat në tingullin që lëshon dhe këtë gjë duan edhe studiuesit tanë të bëjnë të ditur, duan që bota të dijë, se përveç burrërisë dhe besës, ne trimat i nderojmë e qajmë me këngë e lahutë, ndaj edhe po bëhet kjo përpjekje kaq e fortë për të qenë pjesë e UNESCO, për të mbrojtur një vlerë që ka jetuar e jeton me ne, pavarësisht gjithçkaje. Puna ka qenë shumë e madhe e këtyre studiuesve sepse ata thonë që rregullat e pranimit janë shumë strikte. Ja si shprehet Prof. Doc. Shaban Sinani: “UNESCO nuk pranon pasuri të ngrira. Nëse pasuritë bëjnë jetë në mjedisin tradicional jo në skenë dhe përpara mikrofonit, pranohet, përndryshe jo. Kërkimi ynë, i grupit të punës dhe bashkëpunëtorëve ka qenë që nga Sanxhaku në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, që nga Shkumbini deri në skajin më verior ku ka shkuar lahuta shqiptare”

Shaban Sinani shtoi se “Kërkimi ynë në këtë fazë ishte edhe një certifikim i gjendjes së përhapjes së eposit në hapësirën shqiptare. Në fakt, të dhënat që kanë dalë korrigjojnë disa teza të mëparshme që ka vetëm një vatër të eposit dhe korrigjojnë shtrirjen horizontale të tij, ai shkon deri në Kërçovë, korrigjojnë në mënyrë te veçantë konceptin e mëparshëm që eposi është vetëm monofonik, jo në Maqedoni është konstatuar edhe me dy zëra e me dy lahuta, korrigjojnë edhe konstatimin që eposi nuk zbret nën lumin Mat, jo ai zbret nën të. Nuk është fjala për ata lahutarë që kanë zbritur në qytete, është fjala për vendas që luajnë me lahutë për shembull në Martanesh. Sigurisht nuk mbijeton në formën që ka qenë ne shekullin e 19-të kur e mblodhën fretërit françeskanë dhe pastaj dy homerologët e famshëm të Harvardit, por ekziston”.

Ajo që duhet të përmendet është se Eposin dhe lahutën nuk e ka vetëm Shqipëria, por për të. marrin përgjegjësi pesë shtete, pra Shqipëria, Mal i Zi, Bosnja, Kroacia dhe Serbia, pasi është pothuajse e  njëjta histori dhe e njëjta vegël muzikore.

“Ka shumë xhelozi për Eposin. Eposi nuk ekziston vetëm te shqiptarët, eposi dhe lahuta ose një lloj lahute që serbët e quajnë Gusla ekziston edhe te malazezët, te serbët e boshnjakët, që kanë shumë paralele me eposin shqiptar. Xhelozi në pranimin e dosjes për futjen e lahutës dhe Eposit në UNESCO do të ketë pa diskutim, por kjo nuk varet nga ato pesë vota ballkanike, varet nga shumë të tjera. Nuk dua të paragjykoj si do jetë vota e tyre, por, serbëve dhe malazezëve do t’u vinte mirë që eposi i tyre të ishte në UNESCO”, vazhdon të thotë profesor Sinani i pyetur për këtë çështje.

Megjithatë fakti ngelet, dosja për bërjen pjesë në UNESCO të Eposit dhe lahutës është në rrugë të mbarë dhe do të ishte një nder për ne nëse pas mbrojtjes së Polifonisë sonë të mbrohej edhe një pjesë e mirë e traditës së Veriut të vendit.

You must be logged in to post a comment Login