INTERVISTA/ Në të gjithë botën njihet dhe shitet B52 i prodhuar nga Bavaria, ndërsa vetëm në Shqipëri këtë markë e paskërka “krijuar” Arseni!?

Muajt e fundit ka një kakofoni në opinionin publik rreth një produkti të kompanisë europiane “Bavaria”, për shkak se pijen energjike B52 e ka rregjsitruar me vendim gjykate në Shqipëri një ish- distributor i saj, duke futur në konflikt kompaninë nënë me përvojë 300 vjecare në këtë produkt, me një ish- distributor të saj rajonal.

Avokati i kësaj kompanie Erjon Kanxheri shpjegon për gazetën TemA zanafillën e këtij konflikti dhe rrugët ligjore që do të ndiqen.

Muajtë e fundit ka një debat publik dhe ligjor që ka krijuar një kakofoni rreth pijes B52. Si është krijuar kjo situatë?

Për herë të parë në botë, produkti B52 pije energjike është prodhuar nga shoqëria Hollandeze Bavaria (“Bavaria”). Gjithashtu, edhe marka B52, e përdorur ekskluzivisht në produktet që klasifikohen si pije energjike është krijuar nga Bavaria dhe asnjë shoqëri apo palë e tretë nuk ka pasur asnjë pretendim dhe as nuk e ka prodhuar apo aplikuar këtë markë më parë. Me fjalë të tjera, gjetja e këtij kombinimi gërmash dhe numrash B52, si dhe e logos përkatëse që shoqërojnë këtë kombinim, si markë për pije energjike është krijim ekskluziv intelektual i Bavarisë, duke qenë në këtë mënyrë krijuesi dhe përdoruesi i pari i saj në botë dhe në Shqipëri.

Produkti B52, të prodhuar nga Bavaria, ka filluar të tregtohet në Shqipëri që në vitin 2006. Fillimisht, Bavaria e ka tregtuar produktin B52 në Shqipëri nëpërmjet distributorëve të saj, si shoqëria TL-08 shpk përfaqësuar nga administratori Z. Luljet Tormetaj që është vëllai i Z. Lavdush Tormetaj (përfaqësuesi i shoqërisë Arseni Shpk), i cili është ortak i shoqërië TL-08. Rrjedhimisht, nuk ekziston asnjë dyshimse Z. Lavdush Tormetaj është në dijeni të plotë se marka B52 është krijuar nga Bavaria, pasi si distributor i kësaj të fundit ka shpërndarë dhe tregtuar produktin B52 të Bavarisë në Shqipëri me kontrata të rregullta.

Po çfarë ka ndodhur tani, që kjo kompani akuzon shoqërinë “Bavaria” për B52?

Situatat problematike cënuese kanë filluar rreth vitit 2008 kur edhe pse produkti B52 i Bavarisë ishte prezent në tregun Shqiptar përmes distributorit të kontrolluar nga Z Lavdush Tormetaj, një shoqëri falsifikuese pijesh nga Maqedonia (Neniko Dooel Ljubisha) regjistroi markën B52 në Drejtorinë Shqiptare të Patentave dhe Markave. Kjo shoqëri Maqedonase e kishte regjistruar këtë markë edhe në Maqedoni.

Distributor i produktit B52 të Bavarisë më pas u bë edhe shoqëria Arseni Sh.p.k. e përfaqësuar nga Z. Lavdush Tormetaj, e cila në vitin 2010 bleu nga shoqëria Maqedonase markën B52 që kjo e fundit kishte regjistruar në Drejtorinë Shqiptare të Patentave dhe Markave. Kjo kontratë për blerje marke ishte hartuar vetëm në gjuhën shqipe dhe është nën shkruar nga palët pa praninë e përkthyesit, ndërkohë që pëfaqësuesi Maqedonas nuk e dinte e as di gjuhën shqipe.

Megjithatë dhe pavarësisht këtyre veprimeve që shoqëria Arseni i bënte në fshehtësi, produkti B52 i Bavarisë vazhdonte të ishte prezent në tregun Shqiptar, duke shpërndarë dhe tregtuar nga shoqëritë që i kontrollonte Z. Lavdush Tormetaj.

Produkt B52 i Bavarisë ishte bërë i mirënjohur në tregun shqiptar për mjaft vite; publikisht ai identifikohej saktësisht dhe pa asnjë keqkuptim se prodhohej nga shoqëria Hollandeze Bavaria.

Cilat janë argumentet tuaja kundër të drejtave ligjore të B52 nga kjo kompani?

Siç u tha, edhe pse shoqëria Arseni e “bleu” markën B52 nga shoqëria Maqedonase, Arseni në vitin 2011 i kërkoi Bavarisë të merrte plotësisht distribucionin e pijes energjike B52 në tregun Shqiptar. Theksojmë se shoqëria Maqedonase e humbi të drejtën që kishte mbi markën B52 në Maqedoni, me vendim të Gjykatës së Lartë të Maqedonisë, dhe pronësia mbi këtë markë aktualisht i përket Bavarisë.

Bavaria e pranoi kërkesën dhe shoqëria Arseni, përfaqësuar nga Z. Lavdush Tormetaj, lidhi kontratën datë 14.02.2011, nr. rep.1950, nr. kol. 591/1, me Bavarinë për shpërndarjen e pijes energjike B52 të Bavarisë në tregun shqiptar.

Kjo kontratë parashikon në mënyrë të shprehur se shoqëria Arseni njeh dhe pranon se marka B52 është pronë ekskluzive e shoqërisë Hollandeze Bavaria dhe se për këtë nuk kishte pretendime.

Shoqëria Aresni ka vijuar edhe për ca kohë të shpërndajë produktin B52 të Bavarisë deri sa filloi të prodhonte vetë një pije energjike të quajtur B52. Dhe këtu filloi falsifikimi i pijes energjike B52.

Si po e përjeton “Bavaria” këtë situatë?

Shoqëria Bavaria provon katërcipërisht se është krijuese e markës B52 ndërkohë që shoqëria që falsifikon këtë pije është mbrojtur me vendime gjyqësore. Nëse do t’i referohemi sa u tha më sipër, rezulton qartë se kjo situatë është absurde.

Me të drejtë lind pyetja:

Si është e mundur që një shoqëri Hollandeze prej 300 vitesh në tregun Europian kopjokërka kombinimin B52 nga shoqëria Arseni, që e prodhon B52 në Shtoj të Shkodrës vetëm disa vjet më parë!?

Si është e mundur që, nga njëra anë, shoqëria Arseni pretendon se është pronar i markës, ndërkohë që, nga ana tjetër, me kontratë noteriale, siç u tha, njeh dhe pranon pronësinë e Bavarisë mbi B52!?

Si ka mundësi që shoqëria Maqedonase që “ia shiti” markën B52 shoqërisë Arseni e humbi betejën ligjore dhe gjyqësore në Maqedoni ndaj Bavarisë ndërkohë që në Shqipëri ndodh e kundërta!?

Si ka mundësi që në të gjithë botën njihet dhe shitet B52 i prodhuar nga Bavaria, ndërsa vetëm në Shqipëri këtë markë e paskërka “krijuar” Arseni!?

Si po reagon Bavaria në rrugë ligjore?

Referuar ankesave që ka paraqitur Bavaria në disa shtete, që zbatojnë ligjin dhe kanë një sistem gjyqësor të shëndoshë, edhe kanaçet e prodhuara me logon B52 me destinacion Shqipërinë për Arseni, janë ndaluar dhe shkatërruar. Kjo ka ndodhur, sikurse merret lehtë me mënd, pasi çdo vend tjetër përveç Shqipërisë njeh të drejtat e Bavarisë mbi markë B52. Vetëm në Shqipëri është krijuar dhe ekziston një situatë absurde dhe ilegjitime.

Së fundmi, shoqëria Arseni ka paraqitur disa ankesa ndaj Bavarisë dhe distributorit të saj në Shqipëri dhe si rrjedhim produktet dhe distributori i Bavarisë në Shqipëri janë kontrolluar disa herë dhe nuk është gjetur ndonjë shkelje. Produktet e shoqërisë Bavaria janë të kontrolluara, të çertifikuara, të cilësisë dhe standardit Europian.

Ndërkohë nga një kontroll në magazinat e shoqërisë Arseni, janë kapur lëndë e parë e skaduar, produkte të skaduar dhe produkte të falsifikuar. Nëse duhet mbrojtur konsumatori, organet përkatëse të shtetit nuk duhet të lejojnë kurrë që produkte të tilla të skaduara dhe të dëmshme, madje të rrezikshme për shendetin, të prodhohen dhe shpërndahen lirisht në treg; ata që kryejnë veprime të tilla duhet të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit./GazetaTema/

 

You must be logged in to post a comment Login