Hapet kazino “Universiteti”, qytetarët dalin në protestë që ta largojnë

Dy ditë më parë, qytetarë të Tetovës në Maqedoni dhe pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar kundër kazinove dhe pikave të basteve në këtë qytet, të cilat kohët e fundit janë shtuar së tepërmi.

Në Tetovë, në rrugën e “Ilindenit” dhe në bulevardin “Iliria” ka mesatarisht një të tillë çdo 45 metra.

Shkak i protestës u bë hapja e një kazinoje përballë Universitetit të Tetovës, që për ironi mban emrin “Universiteti”. Protestuesit kërkuan që kazinotë, jo vetëm të mos jenë afër shkollave, por të dërgohen të paktën 3 kilometra jashtë qytetit.

Protesta u përkrah edhe nga kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Ajo, edhe pse u kritikua nga masa për këtë fenomen që ndodh në Tetovë, është shprehur se përgjegjësia qëndron te Ministria e Financave dhe se komuna nuk ka asnjë kompetencë mbi organizimin e lojërave të fatit.

Statistikat tregojnë se nga viti 2009 e deri më sot, nga Ministria e Financave janë licencuar thuajse 20 kompani për lojëra fati, me rreth 70 sallone për organizimin e lojërave si pokeri. Në Tetovë dhe rrethinat e saj rezultojnë të jenë 50 kazino dhe 150 pika bastesh sportive, ndërsa dyshohet se pjesa dërrmuese e aktivitetit të lojërave të fatit zhvillohet në të zezë.

Një nga aktivistët e shoqërisë civile në Maqedoni, Arianit Xhaferri, në një prononcim për median Almakos, shprehet se Tetaova është kthyer në Las Vegas dhe se përpjekja për të hapur një kazino me emrin ‘Universiteti’ në fshatin Reçicë e Vogël, përballë Universitetit të Tetovës është një provokim i rëndë dhe tallje. Ndaj sipas tij, qytetarët do të dalin në protest për të ndaluar këtë akt të shëmtuar.

Qytetarët e Tetovës në Maqedoni së bashku me shoqërinë civile organizuan protestë kundër hapjes së kazinosë në fshatin Reçicë e Vogël.

Kjo kazino, është ironike ta thuash, por mban emrin ‘Universiteti’.

Kjo është shumë ironike. Është shumë e shpifur, është tallje dhe është provokim shumë i rëndë. Për fat të keq Tetova po shndërrohet në një Las Vegas të dytë. Në Tetovë ka mbi 50 kazino. Numri i bastoreve sportive dhe dyqaneve të lojërave të fatit shkon diku mbi 140.

Tetova duhet të ishte qyteti i universiteteve dhe jo i kazinove.

Përkrahja e protestës sonë nga politikanët është fallco. Politikanët kanë mundësinë e hartimit të ligjeve, jo të daljes në protesta. Në protesta dalin qytetarët që nuk kanë zgjidhje tjetër. Të gjitha qeveritë po ndërrohen por klanet mafioze ngelin të njëjta.

Në asnjë moment të vetëm nuk kemi kërkuar mbyllje të kompanisë IVOROM. Kemi kërkuar vetëm që IVOROM të zbatonte ligjet.

Politikanët ne na shohin si votë dhe politikanët bëjnë punë kur iu rrezikohen ose votat ose paratë.” – ka thënë Xhaferri.

You must be logged in to post a comment Login