Financial Times: E ardhmja e brishtë e Ballkanit varet nga marrëveshja për Maqedoninë

Përmes redaktorit për Evropë, Tony Barber, prestigjozja amerikane “Financial Times” shkruan se e ardhmja e brishtë e Ballkanit varet nga marrëveshja e Maqedonisë me Greqisë.

Sipas tij, ndryshimet e emrit të aeroportit dhe të një auto udhe, nga siç thotë “lidershipi reformator” paraqesin shpresë për rajonin e Ballkanit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në analizën e tij, Barber konsideron se një ujdi që do ta përmbyllte çështjen mbi 20 vjeçare të emrit, do të ishte sinjal pozitiv për vendet tjera si Kosova e Serbia, apo edhe kroatët, muslimanët e serbët në Bosnjë e Hercegovinë.

Gjithashtu, Barber konsideron se ujdia për emrin do të hapte dyert e BE-së dhe NATO-së për Maqedoninë dhe këtë vend do ta largonte nga paqëndrueshmëria gjeopolitike, dhe se do të ishte një kundërvënie për zgjerimin e prezencës në Ballkan të Rusisë, Turqisë, Kinës, Arabisë Saudite dhe vendeve tjera të Gjirit.

Barber citon deklaratën e Ali Ahmetit të ketë thënë se gjithçka që është arritur me marrëveshjen e vitit 2001 do të ishte e kotë nëse nuk anëtarësohet Maqedonia në NATO dhe BE, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Megjithatë, Barber thotë se e ardhmja e një ujdie Maqedoni-Greqi është e pasigurtë, pasi që Athina kërkon ndryshimin e Kushtetutës, kurse Shkupi mendon për një zgjidhje në dy forma, një për përdorim të jashtëm, dhe një për përdorim të brendshëm.

Këtë qëndrim, Barber e bazon edhe në faktin se në Qeverinë e Tsipras ka një parti nacionaliste, dhe kësaj i shtohet opozita konservatore, Kisha Ortodokse, përfshi tentimet e Rusisë për të penguar një ujdi të mundshme, ndërsa zgjedhjet e vitit të ardhshëm mund të ngritin temperaturat politike, dhe kjo dëmton bisedimet.

Në përmbyllje për “Financial Times”, Tony Barber konsideron se jo të gjitha shtetet e BE-së dhe të NATO-së e shohin anëtarësimin e Maqedonisë si diçka parësore, por kjo do të mësohet në samitin e BE-së në qershor, dhe të NATO-së, në korrik.

Ai shprehet se këto samite mund të jenë tepër të parakohshme për një ujdi Maqedoni-Greqi, dhe nëse kjo është kështu, atëherë Barber shpreson se NATO dhe BE t’i rezistojnë tundimit për pengesa, si një arsyetim për anashkalimin e çështjes së Maqedonisë, dhe se “Ballkani është tepër i brishtë që të lejohen vetëkënaqësi të tilla”.

You must be logged in to post a comment Login