Deputetëve të Kosovës u anulohet pjesëmarrja në një konferencë në Serbi (Dokument)

Deputeteve të Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, Blerta Deliu si dhe deputetit Ilir Deda iu është anuluar pjesëmarrja në Kuvendin e Serbisë, në takimin “Nëpërmjet idesë drejt paqes dhe zhvillimit”, që mbahet më 11 dhe 12 maj në Beograd.

Deputeti Ilir Deda ka bërë të ditur se atyre iu është dërguar një letër ku njoftohen për anulimin e pjesëmarrjes së tyre në konferencën që do të mbahej në Beograd.

“Ja letra e drejtuar mua, Vjosa R. Osmani dhe Blerta Deliu-Kodra e anulimit të pjesëmarrjes në konferencën ‘Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit’ të paraparë të mbahet më 11-12 maj në Beograd.  Në ditën e Evropës, del fytyra anti-evropiane e udhëheqësisë së Serbisë. Veprimet e tilla janë në kundërshtim me deklarimet për “normalizim” të raporteve me Kosovën, dhe për ‘përkushtimin’ ndaj rrugëtimit evropian të Ballkanit Perëndimor”, shkruan Deda në Facebook.

Ndryshe, anulimi është bërë një ditë pasi kryetari i Këshillit për Integrimet Evropiane në Parlamentin e Serbisë, Nenad Canak, ka ftuar deputetët e Kosovës.

Canak ka thënë se ftesat janë bërë sipas takimeve të formatit të ngjashëm në të cilat merr pjesë edhe Kosova me fusnotë, por këtë sipas Canak e ka pamundësuar Kryetarja e Parlamentit.

You must be logged in to post a comment Login