Thirrje në rrjetet sociale: Të shtunën në 12:00 protestë përpara Kryeministrisë

Në rrjetin social facebook është lajmëruar një protestë për nesër (e shtunë, 7 Prill) përpara Kryeministrisë. Protesta ka të njëjtin motiv si ajo e opozitës: Kundër taksës së Rrugës së Kombit dhe koncensioneve. Nisma Thurje shkruan në thirrjen për protestë se janë të ftuar të gjithë pa dallime partiake. Ky njoftim është shpërndarë edhe nga faqe të tjera të njohura me aktivitet në facebook.

Deklarata e plotë

Kryeministri Rama, mbas rrugës Durrës-Kukës ka vendosur të japë me konçesion edhe akset e tjera rrugore. Ky nuk është fillimi por vazhdimi i një serie konçesionesh të cilat i vendosin pasuritë, shërbimet dhe pronat publike në funksion të kompanive private duke u garantuar atyre edhe fitimin.

Kur qytetarët me të drejtë reagojnë, si në Kalimash, duke refuzuar këtë politikë ata përballen me gjuhën e arrogancës dhe dhunën policore.

KJO DUHET TË MARRË FUND!

Ditën e shtunë, në orën 12:00, takohemi të gjithë te Parku Rinia për të marshuar drejt Kryeministrisë e për ti dhënë një mesazh të fortë Kryeministrit se ne nuk jemi dakord. Se Shqipëria nuk i përket një grushti të pangopurish por të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Se zgjidhja nuk është dhuna, arrestmet dhe arroganca por dialogu, transparenca dhe qeverisja me qytetarët duke i pyetur e përfillur mendimet dhe hallet e tyre.

Nuk ka rëndësi nëse je i majtë, i djathtë apo pa bindje politike.

Nuk ka rëndësi nëse je nga Kukësi apo nga Saranda, nga Dibra apo nga Korça. TË GJITHË PAGUAJMË NJËSOJ! E nëse nuk bashkohemi, do të paguajmë edhe më shumë.

Nëse nuk reagojmë, Atdheun që na e lanë trashëgim të parët tanë, nuk do jua lëmë dot trashëgim fëmijëve por një grushti politikanësh e biznesmenësh pranë tyre.

KUSHDOQOFSH, bashkohu të shtunën në orën 12:00.

Jo për Partitë, jo për Kryetarët por për veten tënde, për familjen tënde, për Shqipërinë tonë!

You must be logged in to post a comment Login