Dokumenti/ Imoralitet në komitetin e partisë

Ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, ka publikuar një dokument të vitit 1973, që tregon një rast imoraliteti në Komitetin e Partisë të një rrethi në Shqipëri.

Përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, Dervishi tregon se në një komitet partie në vitin 1973, një instruktor dhe një daktilografiste ishin të lidhur në një marrëdhënie jashtëmartesore.

Kjo e fundit kishte edhe burrin shofer të sekretarit të parë të komitetit të partisë. Në mënyrë të fshehtë, instruktori dhe daktilografistja nuk po bënin punët që u kish ngarkuar partia. Rasti u bë shembull. Por të tilla që nuk u bënë shembuj kishte me qindra”,-shkruan Dervishi.

Shënimi i plotë:

Komitetet e Partisë së Punës ishin strukturat vendore të kësaj partie dhe vepronin në bazë territori (rrethi kryesisht). Organi udhëheqës i tyre ishte Byroja, e cila përbëhej nga krerët më të lartë të pushtetit të rrethit. Brenda komitetit vepronte një aparat i cili imitonte në formë të vogël aparatin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës.

Ky aparat, përveç punës ideologjike që bënte dublonte punët e qeverisjes. Gjithë ditët shkonin kot duke sajuar raporte të kota e pa lidhje. Nga ky stil pune, shumë herë në orarin e punës, zyrat përdoreshin edhe për gjëra të tjera, pikërisht atëherë kur idili i dashurisë së instruktorëve ndizej më shumë se kurrë.

Në një komitet partie në vitin 1973 punonin një instruktor dhe një daktilografiste. Kjo e fundit kishte edhe burrin shofer të sekretarit të parë të komitetit të partisë. Në mënyrë të fshehtë, instruktori dhe daktilografistja nuk po bënin punët që u kish ngarkuar partia. Rasti u bë shembull. Por të tilla që nuk u bënë shembuj kishte me qindra.

Sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, instruktori për një periudhë prej 3 vjetësh mbante marrëdhënie me daktilografisten, duke anashkaluar detyrat që partia i kishte ngarkuar për edukimin marksist-leninist të masave. Më 17.3.1973 dy sevdallinjtë u gjetën të mbyllur në kartotekën e komitetit të partisë, pikërisht aty ku mbaheshin larg syve të armikut dosjet e kuadrit komunist.

 

You must be logged in to post a comment Login