Kërcënimi ndaj tregtisë botërore

Sistemi i bazuar në rregulla është në rrezik. Tarifat e Donald Trump mbi çelikun dhe aluminin janë vetëm fillimi

Donald Trump nuk është Presidenti i parë që ka vendosur tarifa të larta mbi importet. Edhe Presidentët e mëparshëm amerikanë, duke filluar nga Jimmy Carter, kanë vendosur disa lloj tarifash mbrojtëse mbi tregtinë dhe në më të shumtën e rasteve, ato kanë qenë tarifa mbi çelikun.

Edhe deklarata e ditëve të fundit e z. Trump për të vendosur një tarifë 25% mbi çelikun dhe një tarifë 10% mbi aluminin, nuk do të ndikojë për të shkatërruar ekonominë ku, këto të fundit përbëjnë 2% të 2.4 trilionë dollarëve të importit të mallrave vitin e kaluar, ose 0.2% e PBB-së.

Nëse ky veprim do të ishte në kuadër të politikave mbrojtëse të tregtisë së Amerikës, atëherë edhe pasojat do të binin vetëm mbi Amerikën, por situata është më e ndërlikuar. Në të vërtetë, kjo është një katastrofë e mundshme, si për Amerikën, edhe për ekonominë botërore, shkruan The Economist.

Ende është e paqartë se cilat do të jenë lëvizjet e radhës së z. Trump, por sipas parashikimeve nuk shihet asgjë e mirë në horizont. Ndryshe nga paraardhësit e tij, z. Trump ka qenë që në fillim skeptik ndaj tregtisë së lirë.

Ai nuk e ka pëlqyer kurrë sistemin multilateral të tregtisë (madje shpeshherë duke iu referuar edhe me nota tallëse) të cilin e sheh si një marrëveshje të keqe për Amerikën.
Administrata e tij është në mes të një situate kaotike dhe vendimi i papritur i Gary Cohn për të dhënë dorëheqjen, duke qenë se sipas tij, Presidenti i Shtëpisë së Bardhë po e privon këtë shtet nga një tregti e lirë, është një prej shenjave paralajmëruese për situatën e keqe që pritet të ndodhë shumë shpejt. Sipas tij, ky vend ka rënë në duar proteksionistësh. Kjo është hera e parë që prej Luftës së Dytë Botërore që kur sistemi tregtar global nuk është përballur me një situatë rreziku.

Tregti e ashpër

Ky rrezik ka disa dimensione. Njëri është rreziku i përshkallëzimit të një kundërsulmi. Pasi BE-ja tha se do të hakmerrej me vendosjen e sanksioneve mbi mallrat amerikane, duke përfshirë këtu uiskin amerikan dhe motorët Harley-Davidson, z. Trump nuk vonoi të bënte kërcënimin e tij mbi eksportin e makinave europiane.

Rreziku i dytë vjen nga arsyetimi i z. Trump. Tarifat bazohen në një ligj që është përdorur rrallë, ku ky i fundit i lejon Presidentit që të mbrojë industrinë nëpërmjet sigurisë kombëtare. Por ligji nuk duket asgjë më shumë sesa thjesht një justifikim.
Pjesa më e madhe e importit të çelikut të Amerikës vjen nga Kanadaja, Bashkimi Europian, Meksika dhe Koreja e Jugut, që janë aleatët e Amerikës.

Me sa duket, Kanadaja dhe Meksika do të përjashtohen përkohësisht, por vetëm për shkak se Trump dëshiron të nxisë rinegocimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, e cila nuk ka të bëjë aspak me sigurinë kombëtare. Z. Trump po krijon një shembull që edhe vendet e tjera mund ta shfrytëzojnë për të mbrojtur prodhuesit e tyre, po sipas të njëjtës mënyrë që po vepron edhe ai vetë.

Nuk është e qartë nëse vendet e tjera mund të reagojnë dhe të përgjigjen ligjërisht atëherë kur të vihet në lojë siguria kombëtare. Kjo e vendos Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) në një situatë aspak të lehtë për t’u menaxhuar. Ose, z. Trump do të provokojë një hakmarrje të gjerë, të cilën OBT-ja nuk mund ta kontrollojë dot, ose gjykatat do të mendojnë në një plan të dytë për nevojat e sigurisë kombëtare të Amerikës. OBT-ja tashmë është nën një trysni të madhe.

Dështimi i raundit të bisedimeve të tregtisë në Doha në vitin 2015, pas 14 vitesh të pasuksesshme, e vendosi realizimin e reformave të nevojshme në një periudhë pritjeje të pacaktuar. Të gjitha këto mosmarrëveshje, që mund të kaloheshin në një raund të ri tregtar, i janë kaluar mekanizmit të OBT-së për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, i cili është i ngadaltë dhe i brishtë për ta mbajtur këtë barrë.

OBT-ja nuk ka ecur me të njëjtin ritëm me atë të ndryshimeve ekonomike. Investimi po lidhet më shumë me pasuritë e paprekshme, si patentat apo edhe të drejtat e autorit, në vend të aseteve fizike siç janë fabrikat e çelikut. Rregullat e hartuara për ekonomitë e pasura dhe të udhëhequra nga tregu, nuk mund të kontrollojnë gjithmonë kapitalizmin e shtetit. Subvencionet që Kina u jep prodhuesve të saj ishin një prej shkaqeve të mbingopjes globale në industrinë e metaleve.

Nuk është çudi që ekonomia e dytë më e madhe në botë, të ketë qenë shënjestra e një zemërimi kaq të madh. Cilado qofshin problemet e OBT-së, ato kurrsesi nuk duhen nënvlerësuar. Nëse Amerika vendos të ndjekë një politikë tregtare në kundërshtim me sistemin global të tregtisë, vendet e tjera janë të detyruara ta ndjekin. Kjo lëvizje nuk do të çonte në një rënie të menjëhershme të OBT-së, por gradualisht do të shkatërronte një nga themelet e ekonomisë së globalizuar.

Të gjithë do të vuanin nga kjo situatë. Z. Trump duket se mendon se tregtia nuk ka shumë rëndësi, në të cilën deficiti është shenja e një marrëveshjeje të keqe. Por përmirësimi i madh i standardeve të jetesës pas Luftës së Dytë Botërore u shoqërua edhe me një zgjerim të shpejtë në tregtinë botërore gjatë tetë raundeve tregtare, ku çdonjëra prej tyre ndikoi për t’i zvogëluar pengesat.

Importet janë, në fakt, të mirëpritura, sepse prej tyre përfitojnë konsumatorët, si dhe nxisin prodhuesit të specializohen në atë që dinë të bëjnë më mirë.
Pa OBT-në, tregtia ndërkufitare do të vazhdonte sepse është e pandalshme, por mungesa e procedurave dhe normave do t’i përshkallëzonte mosmarrëveshjet. Sa më pak rregulla të ketë, aq më të shumta do të jenë mundësitë që këto mosmarrëveshje të shtohen.

Ndërkohë, edhe investimet ndërkombëtare nuk do të ekzistonin më. Si një ekonomi e gjerë kontinentale, Amerika do të humbiste më pak në krahasim me vendet e tjera në këtë situatë. Por megjithatë, ajo do të humbiste edhe një nga shtyllat më të rëndësishme të sistemit, atë që ka ndikuar në influencën politike të saj pas luftës.

Por si mund të shpëtojë bota nga një situatë e tillë? Edhe pse z. Trump sillet në një mënyrë të papërgjegjshme, të tjerët nuk duhet të bëjnë të njëjtin gabim dhe ta ndjekin atë nga pas.
Disa mund të vendosin që edhe të ndërmarrin kundërsulme, por në një mënyrë të kufizuar. Një luftë e ashpër me Amerikën do të ishte katastrofike.

Më e rëndësishmja

Detyra më e rëndësishme është që të mbështesim tregtinë. Do të ishte ngushëllues fakti nëse do të kishte një mbështetje globale për të rregulluar OBT-në. Por fatkeqësisht, tani për tani, një mbështetje e tillë nuk ekziston.

Të vetmet marrëveshje të reja tregtare që ofrohen janë ato rajonale, siç është Partneriteti i Trans-Paqësor (TPP), një marrëveshje e nënshkruar javën e kaluar midis 11 vendeve, e cila prezanton edhe një plan për modernizimin e tregtisë.

Edhe pse z. Trump e ka braktisur këtë marrëveshje, vetëm fakti që ai ka lënë të nënkuptohet se mund të rikthehet dhe ta rishikojë vendimin e tij, do të ishte fillimi i duhur.
Mënyra më e mirë për të ndihmuar OBT-në do të ishte që anëtarët e tjerë të saj të koordinojnë çdo veprim, duke përfshirë këtu edhe dërgesën e një ankese ndaj tarifave të vendosura nga z. Trump, lëvizje e cila do ta forconte besimin se ekonomia globale ka nevojë që të qeveriset nga rregulla.

Fatmirësisht bota ka përparuar shumë që prej vitit 1930. Megjithatë, injoranca dhe vetëkënaqësia e kanë vënë sistemin tregtar në një rrezik të madh. Tregtarët e lirë duhet të pranojnë se OBT-ja mund të ndihmojë në mbajtjen hapur të tregjeve, përballë lobimit proteksionist, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Dhe është e rëndësishme që ata ta theksojnë dhe ritheksojnë rëndësinë e tregtisë së bazuar në rregulla. Por kjo nuk do të jetë e lehtë se për herë të parë në shumë dekada, armiku i tyre më i madh është njeriu i cili ulet në karrigen e Zyrës Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

You must be logged in to post a comment Login