Viti 2017, “zgjim” kulturor për shqiptarët për teatrin, ekspozitat e muzetë

Viti 2017 duket se ka shënuar një “zgjim” kulturor për shqiptarët në lidhje me frekuentimin e shfaqjeve në teatër, ekspozitave në galeri apo vizitave në muze. Shifrat kanë një rritje domethënëse në raport me vitin 2016. Instituti i Statistikave publikoi statistikat kulturore ku bie në sy një rritje dyshifrore për të gjithë grupet me përjashtim të atyre që shkojnë në bibliotekë.

Shfaqjet, rritje 52.6%

“Numri i shfaqjeve kulturore në tremujorin e katërt 2017 është 335, i barabartë me numrin e shfaqjeve në tremujorin e katërt 2016. Në vitin 2017, numri i shfaqjeve/ekspozitave është 831, duke pësuar një rënie me 13,5 % në krahasim me 2016. Në tremujorin e katërt 2017 numri i spektatorëve është rreth 102 mijë, duke pësuar rritje me 69,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i spektatorëve në vitin 2017 është 173.594, me një rritje prej 52,6 % krahasuar me 2016” thuhet në shifrat e INSTAT.

I njëjti raport nënvizon se pjesëmarrja mesatare në tremujorin e katërt 2017 është 304 spektatorë/vizitorë për shfaqje, dhe ka pësuar rritje me 69,1 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2016. Për vitin 2017, pjesëmarrja mesatare ka pësuar një rritje me 76,5 % krahasuar me vitin e mëparshëm.

“Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve kulturore, 132 shfaqje/ekspozita në tremujorin e katërt 2017. Numri i spektatorëve në tremujorin e katërt 2017, është 17.389, duke shënuar rritje 33,3 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2016. Numri mesatar i spektatorëve gjatë tremujorit të katërt 2017 është 132 spektatorë/vizitorë për shfaqje me një rritje prej 32,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm”

Rritje të numrit të shfaqjeve kulturore ka pasur edhe nga Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në tremujorin e katërt 2017. Në total janë regjistruar  është 61 shfaqje/ekspozita, duke shënuar rritje me 45,2 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2016. Në tremujorin e katërt 2017, numri i spektatorëve është 28.000 duke shënuar rritje me 162,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Numri mesatar i spektatorëve në tremujorin e katërt 2017 është 459 spektatorë/vizitorë për shfaqje duke pësuar rritje me 80,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Numri i shfaqjeve të realizuara ngaTeatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në 2017 është 99 shfaqje/ekspozita, duke shënuar rënie me 24,4 %, krahasuar me vitin 2016. Për vitin 2017 numri i spektatorë/vizitorë është 49.284 me një rritje 177,3 % krahasuar me 2016.

Vizitat në muze

“Numri i vizitorëve në muze në tremujorin e katërt 2017 është 52.805, duke shënuar rritje me 60,9 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2016. Në kala e monumente të tjera, numri i vizitorëve ka një rritje prej 18,9 %, ndërmjet tremujorit të katërt 2017 dhe të njëjtit tremujor në vitin 2016. Në tremujorin e katërt 2017 numri i vizitorëve në parqe arkeologjike është 29.650, me një rritje prej 42,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve në muze, kala e monumente të tjera dhe në parqe arkeologjike për vitin 2017 është 669.110, duke shënuar rritje me 21,7 %, krahasuar me 2016” vlerëson INSTAT.

Bie interesi për librin?

Bibliotekat kanë pësuar rënie të frekuentuesve edhe pse kjo nuk tregon në mënyrë të plotë nëse ka rënë interesi për leximin pasi qytetarët mund ta bëjnë këtë edhe përmes blerjes së titujve në mënyrë private. Referuar INSTAT numri i shërbimeve të njësive bibliotekare dhe numri i frekuentuesve të Bibliotekës Kombëtare në tremujorin e katërt 2017 është përgjysmuar krahasuar me tremujorin e katërt 2016. Ky numër për vitin 2017 ka pësuar një rënie respektivisht me 53,0 % për shërbimin e njësive dhe 41,3 % për numrin e frekuentuesve, krahasuar me një vit përpara.

“Në tremujorin e katërt 2017, në Bibliotekën Kombëtare janë afishuar 5.464 botime, 18,1 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga këto botime 1.046 ishin tituj të rinj dhe 4.418 ekzemplarë të rinj. Numri i botimeve për vitin 2017 është 11.642, duke u rritur me 8,1 %, krahasuar” thuhet në raportin e INSTAT. (Burimi: Monitor)

You must be logged in to post a comment Login