Rusja që e deshën përkthyesit shqiptarë

“Të ruaj diku në një sonatë / Me aq kujdes e nuk të heq / Oh, si thërret, rënkon çdo natë / Për fajin tënd që dot se ndreq…” Ana Ahmatova i shkruante këto vargje në korrik të vitit 1963!

Flokët e gjatë të drejtë dhe vështrimi gjithnjë në kërkim të hollësive, e bënin Anën të ishte më shumë se një poete. Për shumë kritikë sot ajo ishte zëri i Rusisë së shekullit XX, gruaja që mbajti gjatë frymën për të dashur dhe falur të një populli që gjithnjë ka besuar te kultura.

Nëse poezia është një shndërrim në rreshta i dhembjes ashtu ishte dhe jeta e Anës. Vargjet e saj të ardhura në shqip nën disa shqipërime e tregojnë këtë.

Aurel Plasari ka qenë i joshur herët ndaj vargjeve të Ahmatovës, duke sjellë me një shqipe të bukur një kolazh të poezive të saj. Qazim Shemaj është një tjetër shqipërues i Anës, i cili ka bërë bashkë vargje dhe kujtime që ajo i shkroi në fund të jetës. “vargjet e tua mund t’i largosh nga truri vetëm me rrugë kirurgjikale”, do të shprehej Osip Mandelshtan për poezitë e Anës.

Por, cila është jeta e gruas që vazhdon të na grishë dhembjen me vargjet e saj edhe sot?

Ana u lind më 23 qershor 1889 pranë Odesës (Balshoi Fontan). Kur mbushi njëvjeçare, familja e saj do të zhvendosej në Veri në Carskoe Sjello. Aty do të jetonte deri sa u bë 16 vjeçe. Kujtimet e para gjithnjë e çonin në Carskoe Sjello, në parqet e gjelbra dhe madhështore, hipodromi ku vraponin kuajt e vegjël. Çdo verë e kalonte pranë Sevastropolit, në breg të kënetës, ku do të miqësohej me detin.

Përshtypja më e fuqishme e atyre viteve do të ishte Hersoni i lashtë, afër të cilit banonte. Poezinë e parë do ta shkruante kur ishte 11 vjeçe.

“Vargjet për mua nuk nisën nga Pushkini dhe Lermentovi, por nga Derzhavini dhe Nekrasovi. Këto vargje nëna ime i dinte përmendësh”, kujtonte ajo më vonë.

Në vitin 1905, prindërit e saj do të divorcoheshin dhe ajo do të jetonte me nënën. Një vit do të jetonin në Evpatproa, ku do të bënte dhe gjimnazin dhe do të niste të shkruante më shumë vjersha. Studimet e larta do t’i niste në Fakultetin Juridik. Më 25 prill 1910, ajo u martua me N.S. Gumiljovin dhe do të kalonin një muaj në Paris. “Shtrimi i bulevardeve të reja në trupin e gjallë të Parisit, siç e përshkruan Zola, ende nuk kishte përfunduar. Verneri, miku i Edisonit, më tregoi në tavernën De Pantheon dy stola dhe më tha: ‘Këtu rrinë socialdemokratët tuaj, atje bolshevikët, ndërsa atje menshevikët’.

Gratë me sukses të pasigurt mundoheshin të mbanin herë fund pantallona, herë pothuajse mbulonin edhe këmbët. Vjershat ishin krejt të harruara dhe bliheshin vetëm prej artistëve pak a shumë të dëgjuar. Që atëherë e pata kuptuar se piktura franceze e mbuloi poezinë franceze”, kujton Ana. Parisi do të ishte një qytet ku do i pëlqente të kthehej shpesh.

Me t’u kthyer në Peterburg, ajo nis mësimet në kurset e larta historiko-letrare të Rajevit. Këto kohë do të shkruante dhe poezitë që do përbëjnë librin e saj të parë. Në vitin 1910 u shfaq qartë kriza e simbolizimit dhe poetët fillestarë nuk nguteshin drejt kësaj rryme. Disa shkuan drejt futurizmit të tjerë pas akmeizimit. Një vit më pas, Ana do të kthehej sërish në Paris, ku do të shijonte triumfin e baletit rus.

Në vitin 1912 do të udhëtonte në Italinë veriore. Përshtypja që do t’i linte piktura dhe arkitektura italiane ishte e madhe, e ngjashme me një ëndërr që do ta kujtonte gjithë jetën. Në vitin 1912 do të dilte vëllimi i saj i parë me poezi “Mbrëmje” dhe një vit më vonë libri i dytë “Kthjellime”. Ana kujton se jeta e librit të dytë do të zgjaste vetëm gjashtë javë.

Në fillim të majit, sezoni i peterburdas zuri të vdesë. Këtë herë ndarja me Peterburgun dukej e përjetshme. “Ne nuk u kthyem në Peterburg, por në Petrograd nga shekulli i nëntëmbëdhjetë u hodhëm menjëherë në të njëzetin, gjithçka u bë tjetër duke filluar nga pamja e qytetit. Dukej sikur libri i vogël i lirikës erotike i një autoreje fillestare duhet të fundosej përfundimisht në ngjarjet e botës”, kujton Ana. Pas revolucionit të tetorit, ajo do të niste të punonte në Bibliotekën e Institutit Agronomik.

“Nga mesi i viteve XX unë fillova me një zell të veçantë dhe interes shumë të madh të merrem me arkitekturën e Peterburgut dhe studimin e jetës dhe krijimtarisë së Pushkinit. Rezultati i studimeve të mia për Pushkinin qenë tri punime që u botuan në atë periudhë. Nga mesi i viteve XX, poezitë e saj të reja nuk botoheshin, ndërsa të vjetrat ribotoheshin. Lufta e vitit 1941 do ta gjente në Leningrad. Në fund të shtatorit, në një kohë bllokade, do të nisej me avion për në Moskë. “Deri në maj të vitit 1944 jetova në Tashkent, prisja me etje lajmet për Leningradin për frontin. Si edhe poetët e tjerë, shpesh hyja spitaleve, u lexoja poezi luftëtarëve të plagosur.

Në Tashknet, para së gjithash mësova se ç’është hija e pemës dhe kumbimi i ujit në zjarrminë përvëluese. Mësova edhe çdo të thotë mirësi njerëzore: në Tashknet u sëmura shumë herë dhe rëndë”, kujton Ana. Në maj të vitit 1944 do të kthehej me avion në Moskë e më pas në Leningrad. “Fantazma e tmerrshme që shfaqej si qyteti im, më tronditi kaq shumë sa do ta përshkruaja në prozë. Proza gjithnjë më është dukur enigmatike dhe joshëse. Unë që në krye të herës dija gjithçka për poezinë, por asnjëherë nuk kam ditur gjë për prozën.

Eksperimentin tim të parë e mburrën shumë të gjithë, por unë natyrisht nuk e besoja. Thirra Zoshenkon. Ai urdhëroi të hiqja diçka dhe tha se me atë që mbetej ishte dakord. Isha e gëzuar. Pastaj me arrestimin e djalit shkrimi u dogj bashkë me të gjithë arkivin”, kujton Ana. Më tej ajo tregon tërheqjen e saj ndaj përkthimit artistik. “Në vitin 1962 përfundova ‘Poemën pa hero’, me të cilën u mora gjatë, njëzet e dy vjet. Dimrit që shkoi, në prag të vitit dantesk, dëgjova kumbimin e fjalës italiane, isha në Romë dhe në Sicili.

Në verën e vitit 1965 shkova në atdheun e Shekspirit, pashë qiellin britanik dhe Atlantikun, u takova me miq të vjetër dhe u njoha me të rinj, e vizitova dhe njëherë Parisin”, kujton Ana. Në vitin 1965, ajo shkruan se ka pushuar së shkruari vargje. “Për mua në to është lidhja ime me kohën, me jetën e re të vendit tim. Kur i kam shkruar ato, jetoja me ritmet që kumbonin në historinë heroike të Rusisë.

Jam e lumtur që jetova në këto vite dhe pashë ngjarje të jashtëzakonshme”, kujton Ahmatova. Interesante janë dhe kujtimet e saj për poetë të njohur rusë, bashkëkohës të saj. Ja çfarë shkruan për Mandelshtan: “15 shkurt 1960. Në prani të Osipit nuk duhej të mburrje asnjërin, ai zemërohej, grindej ose diskutonte, ishte sa si bëhet shoku i padrejtë, arrogant, therës. Por nëse ju tekej të qortonit dikë, Mandelshtam do të bënte të kundërtën, do ta mburrte njeriun e qortuar në të gjitha format”. Ajo kujton Pushkinin, i cili në prag të vdekjes ishte i shqetësuar se “i duhej të rregullonte shtëpinë”. /Gazeta Shqip/

You must be logged in to post a comment Login