Magjia që mbart kjo pikturë e famshme me titullin “Puthja”!

Më pëlqen shumë hija, qoftë ajo konkrete apo abstrakte. Ndoshta është zgjedhje që e bëj ngaqë nuk më pëlqen dielli, por kjo nuk ka rëndësi. Të paktën jo në këtë rast. Kur flas për hijen, e kam fjalën për çdo lloj hije që na mundëson natyra, na mundëson komercialiteti apo ia mundësojmë ne vetes. Tani që po shkruaj, jam mbuluar nga hija e një muzike të lehtë franceze që ja kam mundësuar vetes, dhe ndjehem mirë.

Hija si koncept është të mbulohesh apo të lëshosh mbulojë. Hija jote lëshohet mbi tokë. Ty të mbulon hija e një qershie. Hija jote të ndjek. Ti ndjek hijen e qershisë. Pra çdo hije lëviz, ndonëse lëshohet edhe nga objekte të palëvizshme. Pra në koncept, diçka e palëvizshme nuk lëviz. Ndërsa në realitet, një komponent i pashmangshëm i saji lëviz, ndonëse komercialiteti ka deformuar këtë realitet, ashtu si ka bërë me shumicën e realiteteve.

Kur një komponent lëviz, jo i gjithë trupi lëviz. Por as nuk qëndron në prehje. Pra është diçka mes lëvizjes dhe prehjes. Kështu ndodh me njerëzit. Ekzaktësisht kështu. Dy njerëz ecin në kahe të kundërt për të mos u takuar asnjëherë, ama pjesërisht takohen. Madje pjesë të tyre, qoftë edhe pa vetëdije, i mbivendosen njëra – tjetrës.

Njeriu jeton mes këtyre takimeve spontane të cilat kalohen edhe pa u vënë re. Ama askush nuk mund ta mohojë se janë takime, sepse askush nuk mund të mohojë hijen e vet. Dhe duke qenë se hija e njeriut është gjithnjë në lëvizje, edhe takimet janë gjithnjë kohëpakëta. Për këtë arsye, diçka me kohë të pakët nuk është gjëja më e këndshme që një njeri mund të përjetoje.

Ndërsa trupat e njeriut, duke mënjanuar hijet e tyre, lëvizin drejt njëri – tjetrit në kërkim të afrimit apo edhe të bashkimit. Dhe a bëhen dy trupa një kur mbivendosen? Jo! Të gjithë e dinë se jo. Dy trupa bëhen një kur njëri prej tyre tenton që të kompaksojë sa më shumë të mundet pjesërisht vetveten te trupi i tjetrit. Kjo ndodh sigurisht, gjatë të bërit dashuri në çdo formë të saj. Në vetvete, dashuria është gjëja më hyjnore që humanët kanë, sepse vetë Zoti është dashuri. Pra ai dhuron një pjesë të Tijën për ne.

Ky realitet ka ekzistuar, por me kohën ekzistenca e tij ka ardhur duke u tkurrur si mërkuri i termometrit gjatë dimrit. Për mendimin tim, komercialiteti është një dimër, temperaturat e të cilit maten nga termometri, mërkuri i të cilit është pikërisht realiteti.

Sot dashuria është zëvëndësuar me të tjerë etiketime, të cilët nuk i ndryshojnë vetëm emrin. Për njerëzit jo makiavelist, të cilët besojnë në ekzistencën e Zotit, përjetimi i brendshëm i diçkaje është po aq, në mos më tepër, i rëndësishëm sa është edhe “ekzekutimi” në realitet i atij veprimi. Për këtë arsye, diferenca mes dashurisë dhe seksit ndryshon kategorikisht. Është njëlloj sikur të krahasosh Danten me Niçen. Të dy janë shkrimtarë, por i pari është tejet panteist, ndërsa i dyti është tejet idealist. Ndërkohë që Dante pretendon se ka parë mbretërinë e Zotit, Niçe thotë se ne e kemi vrarë Zotin. Për të mos hyrë pastaj te llojet e shkrimeve, të cilët janë krejt të ndryshme.

Për këtë arsye, për fat të keq, sublimiteti i aktit të dashurisë nga pak po resht së ekzistuari, për sa kohë që vetë akti po hesht.

Diçka tjetër, pavarësisht se po ndyhet së tepërmi nga balta e pashembullt që po i hidhet nga të katër anët nga njerëzit “komercial”, po arrin që t’i rezistojë në mënyrë stoike sublimitetit që ka. Është një pjesë e trupit e cila nuk shërben vetëm për të treguar sublimitetin që njeriu ka. Shërben edhe për gjëra të tjera, më të rëndësishme se kaq madje. Shërben për të folur. Shërben për të buzëqeshur e në fund për nga shpeshtësia, por jo nga rëndësia, shërben për të puthur. “Buzëqesh, sepse është gjëja e dytë më e bukur që mund të bësh me gojën tënde!” ka thënë autoria e mirënjohur amerikane Jill Shalvis. Se cila është e para, kuptohet pa ndonjë vështirësi.

Puthja ka një sublimitet shumë më sensual edhe se dashuria. Është më e thjeshtë, më e këndshme dhe më fine. Është edhe më komforte. Një efekt anësor i komercialitetit është vlerësimi i elegantes, dhe puthja në vetvete është tejet elegante. Puthja është bashkimi më i thjeshtë mes dy njerëzve. Nga puthja krijohet zigota e asaj krijesës së re e cila mban në vetvete gjithë bukurinë dhe sensualitetin, i cili në asnjë rast nuk thyen mendësitë dhe as nuk cënon asnjë formë morali.

Frojdi ka thënë se njeriu është një kafshë e burgosur prapa hekurave të moralit, prandaj nuk duhet që të cënohet morali, nëse rrezikohet që të dalë një kafshë. Mund të shihet edhe në këndvështrimin se një kafshë meriton lirinë… gjithësesi një diskutim i tillë i takon një tjetër here.

Synoj që me sondën time të futem sa më thellë puthjes, për të nxjerrë nga brendësia e saj në pah gjithë grimcat e bukurisë së skajshme, nga të cilat krijohet mozaiku i sublimes. Gjatë puthjes bashkohen buzët. Kërcitën dhëmbët. Ngashërehen gjuhët. Shtrëngohen duart. Personi kthehet në ndjenjë. Ndjenja shfaqet te një person.

Për të kuptuar sa më saktë shfaqjen e gjithë atij sublimiteti, duhet të shohim “The kiss” (Puthja) të Gustav Klimt. Një burrë në këmbë që puth një grua që në gjunj është po aq e gjatë. Dora e një gruaje që kapet pas qafës së një burri. Dora e një burri që qëndron mes shpatullës dhe faqes së një gruaje dhe dora e një gruaje që kapet pas kësaj dore. Një puthje në faqen e gruas që e bën atë të buzëqesh. Një mëngë pak e rënë nga supi i gruas. Burri e gruaja, sëbashku në një tablo, me buzët e burrit në faqen e gruas, dhe buzët e gruas në shpirtin tim.

Mjafton të shohësh këtë pikturë e cila ngjason me një ikonë të Kishës lindore dhe menjëherë do të ndjesh se sa sublime është puthja. Sepse në vetvete, sublimja është ndjenjë.

You must be logged in to post a comment Login