Femrat që po ia zbardhin fytyrën Kosovës

Faqja për promovimin ndërkombëtar të Kosovës, “Image of Kosovo”, ka publikuar një imazh që vë në pah femrat nga vendi ynë të njohura ndërkombëtarisht e të cilat janë ambasadore të vërteta të shtetit tonë.

Në fotografinë e postuar shfaqen Rita Ora, Dua Lipa dhe Majlinda Kelmendi, ndërsa mbishkrimi i fotografisë është: “Bac, çikat na e zbardhën ftyrën”.

Rita vazhdon të jetë një prej këngëtareve që po arrin suksese të mëdha në skenën botërore, ndërkohë që do t’i nderojë shqiptarët duke mbajtur një koncert në Prishtinë për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

(Foto: Getty Images)

Në muajt e fundit, 27-vjeçarja i është kthyer fuqishëm skenës me dy këngë që janë pritur shumë mirë nga fansat e saj, “Anywhere” dhe “For You”.

Viti i kaluar ka qenë ndër më të suksesshmit në karrierën e Duas, e cila tashmë është shndërruar në një yll botëror, derisa këtë muaj u bë shqiptarja e parë që ka kaluar shifrën prej një miliard shikimesh në YouTube.

(Foto: Getty Images)

Videoklipi i këngës “New Rules” (kur po e publikojmë këtë artikull) numëron një miliard e gjashtë milionë shikime.

Për kampionen Majlinda, komentet janë të tepërta, ndërsa padyshim se Medalja Olimpike e fituar nga ajo ka qenë një motivim dhe frymëzim për të gjithë shqiptarët. /Telegrafi/

You must be logged in to post a comment Login