AKEP u kërkon bizneseve të blejnë menjëherë “domain.al”

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka njoftuar bizneset se ata mund të fillojnë menjëherë të kryejnë pranë AKEP regjistrimin e emrave të tyre si domain-e .al

AKEP me qëllim përmirësimin e kuadrit rregullator lidhur me ushtrimin e kompetencës ligjore për administrimin e domain-eve .al, ka nisur një proçes veprimesh administrative të përcaktuara dhe të bëra të ditur për palët e interesuara nëpërmjet Vendimit të Këshillit Drejtues Nr. 25 datë 15.12.2017 “Për marrjen e disa masave mbi shqetësimet lidhur me emrat nën domainet .al”.

Në kuadër të këtij proçesi AKEP beson se është në dobi të subjekteve përfituese, të personave juridikë, fizikë, organizatave jofitimprurëse etj. të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe kanë në përdorim emra tregëtar, në shembull edhe të bizneseve më të suksesshëm në vend, që t’i regjistroni këto emra nën domain.al, .com.al, org.al dhe net.al. Ky proces do të krijojë mundësinë ligjore që të eleminojë çdo abuzim për përdorim të këtyre emrave nga persona të tjerë që nuk i kanë si emër tregtar të tyre.

AKEP njofton se administron domain-et .al sipas përcaktimeve të Organizatës Botërore të Administrimit të Internetit (ICANN), e cila ka përcaktuar domain .al për Shqipërinë. Theksojmë se një nga qëllimet prioritare në punën e institucionit tonë është nxitja e regjistrimit të domain-eve .al, si një aset kombëtar shumë i çmuar dhe i rëndësishëm në imazhin e vendit dhe të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në Republikën e Shqipërisë.

“Regjistrimi i emrave dhe publikimi i web-site me informacionet e nevojshme, të shërbimeve dhe produkteve tuaja, në domain .al është një vlerë e shtuar e imazhit dhe e ndjenjës kombëtare të subjekteve dhe individëve Shqiptarë në internet pasi domain .al është i përcaktuar për Shqipërinë dhe ka përparësi në lidhje me domain-et e tjerë dhe të shteteve të tjera”, thuhet në njoftimin e AKEP.

Konflikti me domain.al

Administratori dhe botuesi i gazetës “Koha Jonë” mw datë 14. 12. 2017 parashtron përpara AKEP pamundësinë për të fituar të drejtën e posedimit të emrit të domain nën .AL kohajonë.al duke aplikuar sipas rregullave të përcaktuara në Rregulloren nr. 02, për shkak se e drejta e posedimit të këtij emri domaini është fituar nëpërmjet regjistrimit në AKEP në mënyrë abuzuese dhe të kundraligjshme nga një person tjetër, ndërkohë që emri Koha Jonë përbën një markë të regjistruar prej tij sipas ligjit nr. 9947, datë 07. 07. 2008 “Për pronësinë industriale” të ndryshuar.

AKEP theksoi se ky rast i paraqitur nga administratori dhe botuesi i gazetës “Koha Jonë”, nuk përbën një rast të shkëputur, por një situatë të përsëritur edhe në shumë raste të tjera për emra markash të njohura të regjistruara, emra subjektesh tregtare, emra të përveçëm individësh etj., duke u kthyer kështu në një shqetësim në rritje dhe serioz për fitimin e të drejtës së posedimit nga subjektet që ligjërisht u përket kjo e drejtë.

Analiza e rastit në fjalë, por dhe rasteve të tjera të evidentuara në AKEP si organi kompetent sipas ligjit nr. 9918 për administrimin e domain cc.TLD.al, çon në nevojën e rishikimit të disa rregullave të përcaktuara në Rregulloren nr. 02/2008, si rregullat mbi proçedurën e zgjedhjes së emrit të domain –it, zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, kontrollit të veprimtarisë së regjistruesve, rastet e bllokimit dhe mbylljes së emrit të domain-it, si dhe plotësimin e kuadrit rregullator me rregulla të qarta mbi rastet e kufizimit të fitimit të së drejtës së posedimit të emrit të domain .al. etj.

Rrethanat e krijuara për shkak të rasteve të mësipërcituara, por dhe të kërkesës në rritje nga subjektet e interesuara për të fituar të drejtën e posedimit të një emri domaini nën .al, parashtrojnë nevojën e rivendosjes dhe zbatimit të një periudhe tjetër kalimtare ose siç njihet ndryshe në terminologjinë ndërkombëtare (Sunrise period) për t’iu dhënë përsëri një mundësi subjekteve sipas kuptimit të përcaktuar në pikën 1.15 nenit 1 të Rregullores nr. 02/2008, që të kenë të drejtën për të regjistruar si emra domaini nën .al, emra me të cilët njihen për shkak të veprimtarisë që ushtrojnë sipas regjistrimit të kryer , në përputhje me legjislacionin në fuqi në zyra, Institucione, Autoritete, të tilla si në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), apo regjistrimeve të kryera për dhënien dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale, apo emra të përveçëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi, theksoi AKEP.

Si rrjedhojë, AKEP mori vendimin për Rishikimin e Rregullores Nr. 02, datë 21.02.2008 “Për regjistrimin dhe administrimin e emrave të domain-eve nën .Al dhe nën domain-et .gov, .mil.al, .edu.al, .com.al, .org.al dhe .net.al”, të ndryshuar.

Ai parashikoi një periudhe tjetër kalimtare (Sunrise period) për t’iu mundësuar subjekteve të drejtën për të regjistruar si emra domaini nën .al, emra me të cilët njihen për shkak të veprimtarisë që ushtrojnë sipas regjistrimit të kryer , në përputhje me legjislacionin në fuqi në zyra, Institucione, Autoritete, të tilla si në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), apo regjistrimeve të kryera për dhënien dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale, apo emra të përveçëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi. 3. Pezullimin e të gjitha veprimeve të parashikuara për tu kryer nga AKEP dhe regjistruesve, për regjistrimin e emrave të domain nën .al që janë emra të njohur që ushtrojnë veprimtari sipas regjistrimit të kryer në QKB, zyra, institucione apo autoritete që janë kompetente të kryejnë regjistrime emrash, markash, patentash e çdo të drejte tjetër të pronësisë industriale apo më tej.

You must be logged in to post a comment Login