“A mund të jetë arti i “pamoralshëm”?”

Nga: Arsejda Gjyli

Gjithsesi, duhet thënë se sado i “pamoralshëm” qoftë, arti i mirë është vërtetë diçka e virtytshme. Arti i mirë, nuk mund të jetë i “pa moralshëm”. Me art të mirë, padyshim nënkuptoj artin i cili mbart në vetvete vërtetësi, arti i cili është i përpiktë.

© Ezra Pound

 

Ezra Pound është një nga shkrimtarët të cilin unë e kam fort përzemër jo vetëm prej kriticizmit, por edhe për faktin e thjeshtë se mundet të përçojë mesazhe kuptimplota dhe thumbuese e madje dendet të japë mësime të përmasave jetësore në vetëm një apo dy fjali.

Padyshim referuar edhe dashurisë sime për letërsinë moderniste, të gjysmë shekullit XX.

Përtej kësaj!

 

Nga kjo shprehje kritike e Pound natyrshëm lindin pyetje: Çfarë është morali dhe ç’lidhje mund të ketë arti me moralizmin?

A është një lidhje në regres e nëse po, a po shkojmë drejt regresit?

 

Padyshim se niveli kulturorë dhe edukues në shoqëri si në çdo fenomen tjetër, bëhet edhe elementi kryesorë për vijim me sukses ose paragjykimin e artit e kulturës. Kjo lidhet drejpërsëdrejti me rolin e femrës në shoqëri dhe integrimin e saj. Pse pikërisht roli i femrës! Në rastet kur në art na parashtohet një mashkull nudo, prirja nuk është tejet fatale. Kjo madje do të quhej shenjë e forcës dhe dominimit. Qëndrimi ndryshon në shfaqjen e seksit femër, qasja e gjykimit është a’moraliteti dhe ç’nderimi.

Pranimi i nudizmin ndodh në ato raste kur, pikë së pari është pranuar femra si e barabartë dhe seksualiteti i saj. Nëse akoma turpërohemi me një pikturë nudiste, me edukatën seksuale, e poashtu me procesin e riprodhimit, kjo vjen sepse akoma nuk e kemi hequr mantelin mentalitarë nga gjinia femërore dhe pikëpamja ngelet paragjykuesë, jo emancipuese. Akoma nuk e kemi pranuar integrimin e plotë të femrës në shoqëri dhe të drejtën e saj për të pranuar dëshirat dhe zgjedhjet e saj.

 

Padyshim me këtë nuk nënkuptoj shthurjen dhe nudizmin nëpër rrugët e qytetit. Kjo është

medalja e përçudimit të emancipimit, pa një urë në mes.

E gjitha çfarë po parashtroj lidhet me faktin se, sapo shohim një pikturë nudiste padyshim nuk duhet të na bëjë përshtypje lakuriqsia, duke qenë se kjo është faza më e hershme e edukimit, por duhet ta pronojmë se aty nuk shfaqet tjetër vetëm një formë e të bukurës.

 

Artisti në këtë rast nuk do bënte ndonjë ndarje thelbësore midis një femre nudo dhe një trëndafili në momentin e çeljes fillestare.

Arti nuk është i pamoralshëm sepse as morali nuk ekziston përveçse si normë shoqërore e cila më shumë ka tendenca drejt paragjykimit sesa emancipimit, në momentet kur bëhet shpjeguese e çdo aspekti të jetës. Morali nuk është gjith’dija, nuk është as teoria e gjithçkaje.

 

Për të mos ja lënë vetëm shoqërisë si e tërë “topin e fajit”, por për ta konkretizuar çështjen, më të rëndësishëm janë edukuesit e shoqërisë, mendje-ngushtësia apo civilizimi i tyre dhe përçimi i kësaj fryme tek mendjet e reja (duke konsideruar faktorin historik).

Jo vetëm arti por çdo fushë e jetës, çdo profesion apo besim i yni duhet të bazohet në vërtetësi dhe preçizitet, nëse nuk duam të gënjejmë veten dhe të jemi të sinqertë me pikësynimet tona.

Barazia e moralit me artin e moralshëm na çon drejt një regresi të sigurtë. Na bën të pavërtetë me veten dhe jetën. Kësisojë do të drejtohemi ndaj errësirës mesjetare në një kohë kur fare mirë kemi luksin të jetojmë të lirë dhe në dinjitet.

You must be logged in to post a comment Login