Protesta në Selanik për emrin e Maqedonisë

Është shoqëruar me përleshje tubimi i madh në Selanik kundër negociatave mes Athinës dhe Shkupit, për emrin e Maqedonisë.

Grupe huliganësh qëlluan me fishekzjarre forcat e policisë, që ishin pozicionuar përreth sheshit qëndror të qytetit për mbarëvajtjen e tubimit.

Rreth 400 mijë njerëz nga e gjithë Greqia morën pjesë në këtë manifestim që bëri bashkë përfaqësues të partisë më të madhe në opozitë Demokracia e Re dhe partnerët kryesorë të qeverisë Cipras, Grekët e Pavarur.

Fjalimet hapëse e tubimit u mbajtën nga mitropoliti i Selanikut, Anthimos dhe guvernatori rajonal i Maqedonisë Qëndrore Apostolos Cicikostas.

Shumë prej të pranishmëve mbanin veshje tradicionale, që simbolizojnë periudhën e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, përkatësia historike e të cilit  është shndërruar në mollë sherri mes grekëve dhe maqedonasve.

Protesta pason bisedimet e rinisura këtë javë në Nju Jork mes Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit të Maqedonisë. Mediat thonë se ndërmjetësuesi ndërkombëtar Methju Nimiç u paraqiti palëve disa alternativa që përmbajnë fjalën Maqedoni, të tilla si “Republika e Re e Maqedonisë” apo “Republika e Maqedonisë Veriore”.

Tv Klan

You must be logged in to post a comment Login