Ndonjëherë fitojmë! Dhe Ky vend bëhet!

Nga – Nevila Sokoli Xhindi

Kam lexuar komente, analiza e argumenta, por kam dëgjuar edhe shumë mendime nga miqtë e kolegët lidhur me arsyet përse duhet protestuar apo jo, protestë e planifikuar apo e paplanifikuar, protestë për pushtetin e filanit a filanes, protestë e partisë apo e njerëzve. Si qytetare dhe njeri i mirë shkolluar, ajo që më ka shqetësuar më shumë është kur kam dëgjuar njerëzit të thonë se në ditët e sotme ne nuk kemi arsye për të protestuar, thjesht ky vend nuk bëhet! Thirrëse dhe kontradiktore më është dukur! Problemet e mëdha me të cilat përballen sot shqiptarët që nga varfëria në shpirt e deri tek ajo në tryezë, nga ikja prej vetes deri tek ikja nga Shqipëria, nuk mund të zgjidhin vetveten pa e bërë publikun të vetëdijshëm se është një çështje, apo disa që duhen zgjidhur, dhe që na përkasin të gjithëve, na ndihmon të hapim sytë e mendjen përtej “ un-it”, dhe padiskutim përtej ngjyrave e flamujve partiakë. Që të të dëgjohet zëri dhe të flasësh për problemet e tua, duhet të dalësh nga zona e rehatisë! Protestat na ndihmojnë të jemi bashkë, pa pasur nevojë që të identifikohemi me emër e figurë, jemi një! Njerëz nga të gjitha prejardhjet sociale, ekonomike, krahinore, politike duhet të gjendemi së bashku me një qëllim më të madh se thjesht vetja, karrigja që kemi, a partia ku jemi; njerëzorë që mendojmë se bashkimi bën fuqinë, sepse duke protestuar vetëm shumë prej nesh janë gjendur të izoluar, të margjinalizuar, të përjashtuar; njerëzorë që duhet të mbështesim njëri-tjetrin për krijimin e mundësive për të jetuar, punuar, rritur fëmijët, njerëzorë që besojmë se ky vend mund të bëhet. Protestat bëhen për të na kujtuar se ne njerëzit jemi të fuqishëm dhe se zërat tanë janë çështje, se ne jemi të rëndësishëm dhe ne kemi aftësinë për të bërë ndikime të mëdha në Shqipërinë tonë, se jemi një grupim jo i parëndësishëm shqiptarësh me dallime të ndryshme, që ngrihemi sëbashku, dhe kjo është diçka e mirë për këtë vend, është frymë për demokracinë e tij të brishtë dhe frymëzuese për fëmijët tanë, është modeli për brezat. Kam reflektuar! Se vetëm për shkak se dikush e sheh gotën gjysëm plot nga perspektiva e tij, nuk do të thotë se gjysma bosh nuk ekziston dhe se vetëm për shkak se kjo përvojë nuk është pjesë e realitetit tim, nuk do të thotë se nuk është pjesë e dikujt tjetër. Dhe si për ti dhënë kuptim reflektimit tim them se mua kurrë nuk më ka munguar buka në tavolinë, por e di që ka me mijëra familje që nuk e kanë; unë kam pasur mundësi ti paguaj dritat, por ka mijëra që nuk munden e rrinë në terr; unë kam prindër pensionistë që mund ti ndihmoj ndonëse pensioni nuk u del, por ka mijëra që nuk munden të sigurojnë as bukën e jo më ilaçet; unë lexoj dëshmi suksesesh dhe shoh vanitet fotosh e konferencash llamburitëse, por e di që fushata zgjedhore ka mbaruar dhe realiteti i zymtë është sërish mes nesh; ato pak para me të cilat u ble varfëria ku jemi…thjesht mbaruan! Protesta është aftësia për të krijuar njohuri për padrejtësinë e jetës reale të tjetrit, përtej vetes. Protesta na bën mirë të gjithëve, ndonëse dikush mendon se nuk duhet të jetë pjesë e saj. Protestuesit janë një grup njerëzish me histori personale, jo domosdoshmerisht të këqija, por të gatshëm të bashkohen dhe të shkundin edhe indiferentin më të madh, të flasin me zë, figurë e numra edhe për ata që nuk mundën apo nuk deshën të votojnë, edhe për ato të cilëve heshtja u vlen më shumë; me shpresën se ndryshimi pozitiv duhet të jetë për të gjithë e ti shërbejë të gjithëve. Ne mundemi të fitojmë! Dhe Ky vend bëhet! Ngjarjet politike janë të paparashikueshme. Në një demokraci zgjedhore, protestat sigurojnë një zë themelor për grupet e pakicave. Edhe pse protestat mund të duken të pakuptimta për disa, i inkurajoj të gjithë që të marrin një moment për të dëgjuar ç’thonë këta njerëz. Bëni një hap prapa dhe dëgjoni njerëzit. Jepuni atyre një shans para se t’i paragjykoni në revoltën e tyre. Teoricienët klasikë të qeverisë përfaqësuese e kanë pranuar se votimi universal dhe votimi i shumicës kërcënojnë të imponojnë ‘tiraninë e shumicës’ dhe të anashkalojnë të drejtat e pakicave. Protestat janë një korrigjim jetik për sundimin e shumicës. Duke protestuar, ne ndryshojmë rendin e ditës dhe fillojmë një debat. Ata që janë në pushtet mund të përpiqen të na injorojnë, por nëse ka mjaft protestues atëherë ata do të ndjejnë nevojën për të gjetur arsyet se përse të gjithë protestuesit qenkan gabuar. Sepse të zhvendosurit në një boulevard të gjërë do ta lënë pjesën tjetër të popullatës ta dijë se janë atje, janë edhe për ato dhe janë ngritur për atë që besojnë. Këtu debati fillon dhe argumenti bëhet i mundur

You must be logged in to post a comment Login