Ndahet nga jeta mjeshtri i madh Rexhep Çeliku, sëmundja e rëndë mposht “valltarin e fluturës”

Mjeshtri i madh i valles shqiptare, Rexhep Çeliku është ndarë nga jeta mëngjesin e së premtes. Pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, Çeliku i njohur ndryshe edhe si valltari i fluturës, humbi betejën e tij duke i lënë një boshllëk të madh kulturës shqiptare.

Ai ishte solisti i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, dhe ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare. Rexhep Çeliku lindi me 19 korrik 1954 ne Tirane dhe la gjurmë të forta në skenën e valles dhe këngës, ku që prej vitit 1976 ishte solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje dhe ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.
Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.

Ndërsa u shfaq për herë të fundit në ekran vetëm katër ditë më parë, kur Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i akordoi Dekoratën ‘Nderi i Kombit’ me motivacionin:

“Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”.

You must be logged in to post a comment Login