Mediat në Kosovë nxjerrin emrin: Ja kush është porositësi i dyshuar i vrasjes së Ivanoviç

Vrasja e Oliver Ivanoviçit mund të jetë porositur nga grupi i Milan Radojcic i cili ka raporte të mira me shtetin e Serbisë. Kështu shkruan portali kosovar, Arbresh.info që ka mësuar detaje nga hetimet për vrasjen e liderit të iniciativës qytetare “Liri, Drejtësi, Demokraci” në Mitrovicë.

Sipas burimeve, vrasësi i Ivanoviç ka qëlluar disa herë mbi të, ndërkohë që makina “Opel” me të cilën u larguan vrasësit ishte parë e parkuar disa herë aty ku parkoheshin edhe veturat e Millan Radojcic dhe të grupit të tij.
Burimet thonë se dy ditë para vrasjes së Ivanoviç, dy persona, identiteti i të cilëve nuk dihet, ishin në zyrën e Milanit, shkruan Arbresh.info.

Edhe bashkëshortja e Oliver Ivanoviç kishte deklaruar se personi që vrau Oliverin mori urdhër nga Milan Radojcic dhe grupi i tij.

Po ashtu, thuhet se më 27 korrik të vitit 2017, kur kandidatura e Oliver Ivanoviç për kryetar të Mitrovicës Veriore ishte bërë zyrtare, Milan Radojcic kishte deklaruar se ai do të fillojë kërcënimet karshi tij dhe se nëse nuk heq dorë, do ta vrasë.

Ndërkaq, më 28 shtator të vitit 2017, automjeti privat i Ivanoviç ishte djegur si kërcënim direkt ndaj tij dhe kandidaturës së tij për kryetar të komunës së Mitrovicës Veriore, shkruan Arbresh.info.

Oliver Ivanoviç kishte deklaruar se ‘situata kishte ndryshuar për të keq dhe se tashmë serbet në Mitrovicë janë të rrezikuar nga serbët e jo nga shqiptarët”.

You must be logged in to post a comment Login