BABALLARËT E KOMBIT

Faruk Tasholli

Sa shumë në jetë hoqën të gjorët shqiptarë
Me një komb të vetëm me shumë baballarë,
Udhëton me mund kombi nëpër histori
Shkon një babë i vjetër vjen një babë i ri!

Turr Haxhi Qamilat e përmbysin shkabën
Me sy kah Stambolli, me thirrje „Dum Babën“!
Por baba Dovleti mezi i zbutë varrët –
Ku ia ndin të shkretit në ç’hall janë shqiptarët?!

Zihen e përzihen bandat Shqipërisë
Kërkojnë baballarët, ku janë katandisë?!
Por Zoti i madh ka mëshirë për shqiptarë
Kur s’kërkojnë diç tjetër – iu çon baballarë!

S’marrin vesh shqiptarët që ka tjetër botë
Vrap me baballarët për Pekin e Moskë!
Në çdo stinë të motit dy-tre baballarë,
E sërish ankesat: Jemi komb i ndarë!

Kur ngihen të huaj që s’iu zgjasin dorë
Hajde të kërkojmë baballarë vendorë
Baballarë me mjekra baballarë të rruar,
Baballarët t’lirë – kombi i robëruar!

Në kokërr të shpinës me ndeja nën pjergull
Shqiptarët t’brengosur si gusat në mjegull!
Një mendim rrufe, seç i nxjerr nga brengat:
T’i lëmë baballarët – t’kthehemi kah legjendat!!!

You must be logged in to post a comment Login