Prindërit e studentit shqiptar të vrarë në SHBA, apel mediave: Po na vrisni për së dyti!

Prindërit e të ndjerit Merlos Mukaj, studentit 21 vjeçar të vrarë në Filadelfia të SHBA-së, kanë deklaruar se familja nuk kërkon ndihmë financiare për të sjellë trupin e tij në Shqipëri.

Përmes një mesazhi të dërguar në Opinion.al, Shpëtim dhe Mimoza Mukaj, duke marrë shkas nga raportimi jo korrekt i disa portaleve, që kanë shkruar se familja kërkon ndihmë financiare për të sjellë trupin e tij në Shqipëri, luten të mos shpërndahen lajme të tilla të pavërteta, pasi kjo është fyese, e rëndë dhe po i vret ata për së dyti.

Referuar mesazhit të dërguar, e vetmja gjë që kërkojnë familjarët është drejtësia për atë që e vrau pabesisht djalin e tyre, i cili ishte një student i shkëlqyer në Filadelfia.

Prindërit theksojnë se trupi i djalit të tyre do të mbërrijë në Shqipëri pas dy ditësh dhe do të prehet përgjithmonë në qytetin e tij të lindjes, Tiranë.

Mediat amerikane bënë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të Universitetit Drexel ku 21-vjeçari shqiptar, Merlos Mukaj ishte duke debatuar ashpër me të dashurën e tij.

Vrasësi 24-vjeçar, Joseph Howanski, ka shkuar pranë shqiptarit dhe pasi e ka ndaluar i ka thënë se nuk mund të sillet në atë mënyrë me një femër.

Por situata ka degjeneruar në sherr, Hoëanski ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar tre herë duke e lënë 21-vjeçarin shqiptar të vdekur në vend.

 

You must be logged in to post a comment Login