Mjaft më! 3 trende bukurie që estetistët duan t’i heqin qafe në 2018-n!

E bukura nuk ka fund në ditët e sotme! Sapo mbaron një trend bukurie, del një trend tjetër, e madje aq të dëshpëruar janë njerëzit për diçka të re, sa shpeshherë estetistët e teprojnë me “inovacionin” e tyre.

I mbani mend thonjtë-flluskë? Mos dalshin më në dritë!

Megjithatë, estetistë të njohur VIP-ash janë pyetur se cilat trende bukurie duhen lënë pas në vitin 2017, për të mirëpritur siç duhet 2018-n… dhe ata kanë pasur mjaft komente për të bërë!

Ja 3 trendet estetike që u janë mërzitur edhe vetë profesionistëve të bukurisë, që fitojnë jetesën me to, lëre më personave të zakonshëm që i shohin çdo ditë.

1. Highlighter që shkëlqen si far për anijet

Estetisti Robert Sesnek, që bën mrekullira me fytyrën e Kendall Jenner, Adriana Lima-s dhe Lily Aldridge, dëshiron të shohë sa më pak highlighter të jetë e mundur vitin e ardhshëm, në mos aspak.

Sipas tij, vajzat duken si njeri teneqeje me fytyrën mbuluar nga xixëllimat. S’e ka fort gabim…

Edhe Julianne Kaye, estetistja e Beyonce-s, pranon se hightlighter-i “i patinuar” ngjan shumë i shëmtuar, pasi fytyra duhet të duket natyrale dhe e prekshme.

2. Konturimi i ashpër

Ulni furçat! Instagrami s’është jeta reale, thotë estetistja Desirae Cherman, ndaj jo çdokush duhet të ketë një mal me dritëhije.

Vetëm eventet e veçanta e tolerojnë make up-in më të rëndë se zakonisht, sepse dukeni më bukur edhe në foto. Ku e gjeni kohën për t’u nisur e stolisur çdo ditë, xhanëm?

3. Vetulla dy gisht të trasha

Vetulla e plotë është e bukur, por gjithçka shkon për dreq kur ajo duket sikur është vizatuar me marker.

Sipas Fiona Stiles, estetiste e Lily Collins, Jennifer Garner dhe Gabrielle Union, duhet të qetësoheni me vetullat këtë vit, vajza!

Lërini të duken sa më natyrale të jetë e mundur, por sërish të jenë të rregullta në formë.

You must be logged in to post a comment Login