Coftina në Hagë

nga- Dionis Xhafa

Java që lamë pas ka shënuar ndër ata javë ku është marrë një nga vendimet më të rëndësishme politike të këtyre kohëve, ku në qendër të vëmendjes ka qenë Ratko Mlladiç, ish-gjenerali famëkeq që kishte drejtuar ushtrinë në Bosnjë dhe në Herzegovinë kundër myslimanëve kryesisht, duke shkaktuar një nga tragjeditë më të mëdha në shtetin boshnjak, kryesisht kundër myslimanëve, duke vrarë e masakruar mbi 100 mijë të tillë. Ratko Mlladiç mori burgim të përjetshëm për dhjetë akuza të rënda, ku përfshihet edhe gjenocidi, vrasjet masive etj, duke të dhënë idenë se kemi të bëjmë me një person të çmendur derisa kryen krime të këtilla në këto përmasa. Mlladiç më së pari është viktimë e kombit të tij, të asaj çka ngrihet si lavdi në Serbi, ku gjëja më e shënjtë konsiderohet se është kombi, teksa edhe himni serb është “Drejtësia e Zotit”. Duke pasur një mendësi të tillë, Mlladiç jo vetëm por edhe brezi i vjetër kanë idenë se për kombin, në cilësinë e gjeneralëve të luftës edhe të vrasësh është gjë që amnistohet, sikundër bëri ai vetë, por edhe Slobodan Millosheviç e persona të tjerë, viktima dhe gjenocidalë, teksa nuk janë ndalur në idenë shkatërruese për të vrarë sekënd që është kundër Serbisë, kundër kombit serb apo që është i ndryshëm në etni dhe besim, në rastin konkret kundër myslimanëve në shtetin e Bosnjës. A janë vetëm këta arsyet që kanë dërguar Mlladiçin në atë qorrsokak dhe në atë që u dënua me burg të përjetshëm? Jo, arsyet janë edhe personale. Ratko Mlladiç vjen nga një dramë e madhe personale dhe familjare. Vajza e tij Ana që ai donte më tepër kreu vetëvrasje, gjë të cilën Mlladiç nuk donte ta pranonte dhe se vetëvrasja u krye për shkak se i dashuri i saj i kishte thënë se do të martohej me të vetëm nëse Mlladiç hiqte dorë nga lufta në Bosnjë. Edhe i dashuri i Anës ra në fushë-betejë në Bosnjë. Një dramë e shumëfishtë, një skenar i denjë për një film me nota dramatike të etshme. Mlladiç edhe pasi kreu krimet e kobshme në fakt vazhdoi psikologjinë e tmerrit dhe se psikologji të tillë ndoqi edhe Serbia. Çfarë ndodhi? Mlladiç vrau e masakroi e se për 11 vjet u fsheh ndër skuta të Serbisë e të rajonit, ku me siguri u ndihmua nga shërbimet e fshehta të Millosheviçit me shumë mundësi apo liderëve serbë që e respektonin akoma gjeneralin e tyre, që për ta ishte hero dhe për Europën e botën ishte një kriminel i frikshëm. Edhe sot Serbia ndan krimin dhe çarçafin e gjakut mbi shpinë. Kryqin e mëkateve Serbia nuk e mban mbi shpinë, por e nderon. Viktimat kërkojnë drejtësi. Kjo ishte drejtësi, burgu përjetë në moshën 74 vjeç? Jo, nuk ishte kështu. Edhe Europa është e plakur në formën e drejtësisë që jep, sikundër ka pasur raste që ka gabuar. Moralisht u dha një mësim i madh. Diversiteti dhe kultura e së mirës do triumfojë. E keqja do dhe duhet të zhytet, thellë e më thellë, deri në rrënjët e fundit të errësirës djallëzore.

You must be logged in to post a comment Login