Zhdukja avokatit/ Dalin detaje të reja, në traget u gjetën sendet personale, por …

Dalin detaje të reja në lidhje me zhdukjen e avokatit shqiptar Besnik Muça, në tragetin i cili kishte si destinacion Italinë, shkruan Balkanweb. Sipas burimeve në tragetin ku kishte hipur avokati për të shkuar, janë gjetur xhupi, kartë qëndrimi italiane, çanta me sendet personale, por binte në sy mungesa e pasaportës shqiptare të avokatit. Sendet personale janë sekuestruar nga Policia e Durrësit si prove materiale.

Ngjarja

Avokati shqiptar Besnik Muço rezulton i zhdukur që prej datës 2 nëntor 2017. Lajmi është publikuar fillimisht nga mediat italiane. Avokati Muço mësohet se më datë 2 nëntor ishte nisur për të shkuar në shtetin fqinj, Itali, tek familja e tij. Pasi do të zbriste nga trageti, ai duhet të takohej me gruan e tij në Macerata të Italisë, por që prej atij momenti nuk dihet më asgjë për të. Avokati 54-vjeçar që nga ajo ditë, humbi gjurmët dhe menjëherë gruaja e tij Rajmonda shkoi në polici për të bërë denoncimin. Në këtë datë ai mësohet se ka hipur në traget në Portin e Durrësit dhe t’i drejtohet më pas Barit të Italisë. Por, “Il Messagero” shkruan se ai nuk mbërriti kurrë në portin italian. Në asnjë moment, avokati nuk ka bërë ndonjë telefonatë në shtëpi, ndërsa celulari i tij rezulton i fikur që më datë 2 nëntor. Gruaja e tij, e shqetësuar vendosi të kërkojë ndihmë në organet ligjzbatuese në Itali. Ndërkohë, miqtë dhe të njohurit e avokatit Muço në Shqipëri nuk dinë asnjë gjë në lidhje me zhdukjen e tij. Nga ana tjetër, policia po punon për të zbuluar se cilat ishin kontaktet e fundit të Muços si dhe për gjetjen e tij.

Vëllai denoncoi zhdukjen në Durrës

Vëllai i avokatit Besnik Muço, që prej disa kohësh punonte në Tiranë si avokat i lirë, ka denoncuar në Policinë e Durrësit zhdukjen e tij që prej mbrëmjes së 2 nëntorit. Policia e Durrësit ka nisur menjëherë hetimet për këtë rast dhe po bën verifikimet e hyrje-daljeve në Portin e Durrësit. Sipas burimeve nga Policia e Durrësit, në sistemin TIMS rezulton se avokati Muço ka bërë “check in” në Portin e Durrësit mbrëmjen e 2 nëntorit, por nuk dihet me saktësi ku dhe si mund të jetë zhdukur. Autoritetet shqiptare nuk e përjashtojnë mundësinë që ai të jetë zhdukur në tragetin e linjës Durrës-Bari, ashtu siç shkruajnë dhe mediat italiane. Ndërsa shtojnë se ka mundësi që edhe të mos ketë hipur fare në traget. Nga dëshmia e vëllait të tij, mësohet se Besnik Muço kishte dokumente të rregullta qëndrimi në Itali, ku prej vitesh jetonte me bashkëshorten dhe fëmijët. Kohët e fundit ai kishte nisur punën si avokat i lirë në Tiranë.

Për të ndarë më shumë kohë me familjen, ai udhëtonte të paktën dy herë në muaj nga Porti i Durrësit në Bari, për të shkuar në Macerata, aty ku edhe jetonte familja. Në bisedën e fundit që kishte bërë me vëllain, Muço nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim të dukshëm, thjesht e kishte informuar se do shkonte disa ditë të qëndronte pranë familjes, ashtu si edhe herët e tjera. Sipas vëllait, avokati dyshohet të jetë nisur rreth orës 23:00 nga Porti i Durrësit, ndërsa celulari i tij ka qenë i fikur që pas atij momenti. “Kur ishte nisur atë natë për të shkuar në Itali, unë kam biseduar me Besnikun në telefon. Ishte koha që ai sapo po hipte në tragetin e linjës. Më tha që nuk do të rrinte shumë andej, pasi kishte punë. Do të shkonte të takonte familjen dhe do të kthehej. Këtë udhëtim ai ë bënte dy herë në muaj dhe nuk ka shfaqur ndonjë rrezik më parë”, është shprehur vëllai i avokatit të zhdukur. Për zhdukjen e avokatit 54-vjeçar ka denoncuar në shtetin fqinj edhe gruaja e tij Rajmonda, por autoritetet në Durrës thonë se ende nuk kanë marrë një shkresë zyrtare nga pala italiane.

Hetimet

Menjëherë pas denoncimit të bërë nga vëllai i avokatit, Policia e Durrësit ka nisur hetimet për gjetjen e 54-vjeçarit. Ky i fundit prej disa vitesh mësohet se punonte si avokat i lirë në Tiranës, ndërsa kohë më parë ka qëndruar në Itali me familjen e tij. Hetimet e policisë për zhdukjen e avokatit, janë përqendruar tek profesioni që ai ushtronte. Policia ka marrë tashmë në duar dosjet që mbronte avokati, për të zbuluar nëse kemi të bëjmë me ndonjë rrëmbim apo ngjarje tjetër. Nga ana tjetër, burimet thonë se nuk përjashtohet as mundësia që avokati të ketë humbur rrugën. Ditët në vijim pritet të bëhen të gjitha verifikimet në Portin e Durrësit, si dhe do të shihen pamjet e kamerave në tragetin që ka hipur 54-vjeçari.

You must be logged in to post a comment Login