Rinas, riatdhesohen 36 shqiptarë azilkërkues nga Franca e Belgjika

Të mërkurën pasdite u riatdhesuan në aeroportin ‘Nënë Tereza’ 36 shqiptarë, të cilëve u ishte refuzuar kërkesa për azil në Francë e Belgjikë.

“Riatdhesimi i sotëm i shtetasve azilkërkues në vendet e BE-së, dëshmon edhe një herë angazhimin e Qeverisë Shqiptare dhe Policisë së Shtetit, për të trajtuar të gjitha rastet e riatdhesimit për azil, dhe gjithashtu është edhe një thirrje për qytetarët shqiptarë, të cilët nuk duhet të marrin iniciativa kërkim azili, pasi do të rezultojnë të pasuksesshme.” u shpreh Zv/Ministrja Romina Kuko.

Në Rinas ishin edhe përfaqësues të ambasadës franceze dhe oficeri i kontaktit në Shqipëri të cilët asistuan në procedurat e riatdhesimit të shtetasve shqiptarë nga vendet e BE-së.

Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Aida Hajnaj theksoi se duke iu referuar statistikave, numri i shtetasve që kërkojnë azil në vendet e BE-së, është në ulje të vazhdueshme.

“Duke filluar që nga 1 gushti i vitit 2017, datë në të cilën filloi edhe zbatimi i këtyre masave, trendi i shtetasve që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së ose në Schengen është në ulje. Janë ndaluar për të ikur jashtë territorit të Shqipërisë, shtetas që nuk plotësojnë dokumentacionin e kërkuar, gjithsej 7 315 shtetas. Nga këta janë 6 630 shtetas të rritur dhe 682 janë minorenë, kjo për periudhën Gusht deri në Tetor 2017”, sqaroi Aida Hajnaj.

You must be logged in to post a comment Login