Përmeti, destinacioni turistik që bëri për vete 25 mijë vizitorë

Qyteti karakteristik i njerëzve të urtë dhe mikpritës, i luleve, këngëve popullore lirike me saze, qyteti i verës por veçanërisht i glikove unikale, vetëm gjatë këtij sezoni u vizitua nga rreth 25 mijë turistë, vendas dhe të huaj.

I njohur edhe me emrin “Qyteti i trëndafilave”, për shkak të natyrës së bukur dhe monumenteve të shumta kulturore dhe historike, Përmeti ka qenë një mundësi më shumë për turistët që kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.

Falë edhe investimeve të qeverisë me vlerë rreth 103 milionë lekë për zona rekreative, përmirësimin e ndriçimit dhe rikonstruksionin e rrugëve për këmbësorët, rikonstruksionin e rrugëve automobilistike, të shtëpisë së kulturës dhe rikonstruksionin e fasadave, Përmeti të tërheq gjithnjë e më shumë me bukuritë që ofron, historinë dhe traditën përmetare.

Për të gjitha këto veçanti që e karakterizojnë mund të quhet pa frikë “Perla e Jugut”, pasi edhe të udhëtosh drejt tij, sot është mjaft komode për shkak të një rruge të asfaltuar rishtazi.

“Guri i Qytetit”, është kthyer në një pikë referimi për qytetin nga ku mund të sodisësh rrugët, ndërtesat, shtëpitë karakteristike, kishat, xhamitë deri te saksitë e luleve në parvazet e dritareve.

Një nga resurset natyrore më të çmueshme janë burimet termale të Bënjës, fshat i ndodhur rreth 8 km nga Përmeti.

Burimet e ujërave termale janë natyrore dhe të mbledhura në gjashtë vaska të vogla që formojnë liqene natyrale me një bukuri të vyer.

Çdo vaskë, me temperatura që variojnë nga 25°C – 28°C, është e përdorshme për trajtimin e një problemi specifik në bazë të cilësive kurative të burimit që rrjedh: reaumatizëm, sëmundje dermatologjike, akne, ostoporozë, gastrit etj.

Përmeti është vendi ideal për pushime dhe aventura familjare, pasi kombinon ecjen në kanion, lundrimin e lumit me gomone apo kajak dhe climbing, të gjitha këto aktivitete të një familjeje aktive

Duke u shndërruar në një pikë të veçantë turistike, edhe vetë familjet përmetare po hedhin hapat e parë të zhvillimit të agroturizmi.

Tradita e gatimeve të njohura përmetare sikundër e prodhimit të reçelërave dhe glikove, e rakisë së njohur, kanë vendin e tyre në mozaikun e permeti6agroturizmit duke u shndërruar në një shtysë shumë të fortë ekonomisë dhe punësimit familjar.

Disa vlera të veçanta në këtë qytet turistik, janë ikonostaset e mrekullueshme të kishës së Leusës, ku mjeshtëria e artit të gdhendjes së drurit ka kaluar në përsosmëri, krahas afreskeve me ikona shenjtorësh, plot ngjyra, art të vërtetë dhe mister. /Telegrafi/

You must be logged in to post a comment Login