Njohja e diplomave në mes Kosovës dhe Shqipërisë do të bëhet në mënyrë automatike

Parlamenti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë janë dakorduar për krijimin e një komiteti i cili ka për qëllim zgjidhjen e probleme legjislative, duke përfshirë çështjet e studentëve të të dyja vendeve, lejes së qëndrimit dhe regjimit doganor.

Kështu u vendos në takimin në mes kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli me homologun e tij shqiptar Gramos Ruçi i cili po qëndron në Kosovë në një vizitë dyditore bashkë me shefat e grupeve parlamentare shqiptare.

“U dakorduam që të dy parlamentet të krijojnë një komitet ashtu sikurse kemi komitet ne në Shqipëri në bashkimin evropian për të zgjidhur problemet legjislative, për të lehtësuar mjaft pengesa siç janë çështja e studentëve, qoftë ë studentëve shqiptarë në Kosovë, qoftë të studentëve të Kosovës në universitet shqiptare, me qëllim që në harkun maksimumi brenda një viti të gjithë problematikën e evidentuar deri tani me pengesa të zgjidhen, e njëjta gjë edhe sa i përket lëvizjes së njerëzve, lejeve të qëndrimit, apo çështjeve të regjimeve doganore”, tha Ruçi.

Kryeparlamentari shqiptar ka inkurajuar spektrin politik në vend që sa më shpejt të zgjidhet problemi i Demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se mosratifikimi i tij rrezikon edhe humbjen e mbështetjes ndërkombëtare. Ruçi bëri thirrje që të tejkalohen interesat politike dhe që ti lëshohet rrugë liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ne dimë që është një problem i vështirë, ka një debat të vështirë në mes forcave politike, i inkurajojmë ato që të shikojmë tej interesave thjesht partiake dhe të mos humbasim mbështetjen veçanërisht të partnerëve tanë strategjik siç janë SHBA-të dhe BE, me qëllim që ky ngërq i këtij problemi të zgjidhet sa më shpejt. Të zgjidhet sa më shpejt se kjo do të ketë pastaj edhe një gjë mjaft pozitive për të zgjidhur problemin e madh që ka Kosova lidhur me regjimin e vizave që për fat të keq ka ngelur i vetmi vend që qytetarët e saj në Ballkanin Perëndimor, nuk është bërë liberalizmi i vizave”, tha Ruçi.

E kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se çështja e cila do të bëhet me urgjencë në mes të dyja vendeve është njohja e diplomave. Ai tha se njohja e diplomave të studentëve nga Kosova dhe Shqipëria do të bëhet në mënyrë automatike.

Veseli tha se gjatë takimit me Ruçin janë dakorduar që të mos ketë më barriera në fushën e tregtisë, ku produktet e Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas nuk do të kenë nevojë të shoqërohen me mënyra burokratike.

“Mos të flas për çështjen e njohjen diplomave të cilat as nuk duhet të jenë temë ndërmjet dy vendeve tona. Atë diplomë të cilët institucionet e Republikës së Shqipërisë, gjegjësisht insitucionet e Republikës së Kosovës e njohin vendet përkatëse do të ketë njohje automatike edhe në vendet tona. Kjo është ajo të cilën do ta bëjmë menjëherë. Të njëjtën praktikë do ta përdorim shumë shpejt e në çështjen e shkëmbimeve tregtare në mënyrë që mallrat, produktet të cilat prodhohen në Kosovë dhe ato të cilat kalojnë nëpër Shqipëri të kalojnë pa barriera burokratike dhe doganore..”, tha Veseli.

Krerët e dy parlamenteve kanë folur dhe për mbledhjen e dy qeverive, duke thënë se vizitat ndërshtetërore duhen të bëhen me qëllim të zgjidhjeve të problemeve të qytetarëve të të dyja vendeve.

You must be logged in to post a comment Login