Edhe njohja e Kosovës nga Greqia në tryezë?

Me gjasë, burime te mirinformuara i kanë pohuar Konica.al se Kosova pritet të jetë çështje e diskutimit në këtë takim. Nga burimi u konsiderua si “qershia mbi tortë” e këtyre bisedimeve. Me gjasë, Greqia mund të ofrojë një përparim në mënyrën se si e sheh ajo Kosovën, nëse jo një njohje të plotë të pavarësisë. Nëse kjo është e vërtetë, dhe nëse nuk është një përpjekje diplomatike për të depistuar vëmendjen e opinionit publik ndaj takimit të Kretës, atëherë ky është një lajm i rëndësishëm për dy arsye.

E para, sepse, në njëfarë mënyre, është një goditje e fortë ndaj Serbisë, në një moment kur Serbisë nuk i duhen lajme të tilla. Aq e vërtetë është kjo, saqë Serbia u gëzua shumë për heqjen e njohjes nga Surinami, një shtet me 500 mijë banorë dhe tani merr lajmin nga Greqia, një vend anëtar i BE-së, NATO-s dhe tradicionalisht pjesë e boshtit pro-ortodoks.

Së dyti, kjo lëvizje e Greqisë ngjan se është në përputhje me këshillat që i janë dhënë diplomacisë greke, ELIAMEP, instituti kryesor i politikës së jashtme greke, i cili ka sugjeruar që në negociatat me Shqipërinë të hidhet në tavolinë edhe çështja e Kosovës, si një përpjekje për ta marrë me të mirë kombin shqiptar dhe për të rritur ofertën greke, në këmbim të së cilës nuk dihet se çfarë është kërkuar prej saj. Kjo linjë përputhet edhe me një këshillim të mëhershëm nga një ekspert i të majtës greke, që në vitin 1999 kishte sugjeruar që Greqia të hiqte dorë nga aleanca historike me Sebinë, duke u orientuar nga shqiptarët që po fitonin rëndësi të re në rajon me bombardimin e NATO-s ndaj Serbisë.
Por le të presim zhvillimet e ditës së nesërme.

You must be logged in to post a comment Login