Si jetonin shqiptarët në shek XVII? Ja çfarë shënonte funksionari i lartë osman…

Evlija Çelebi (1611-1684) ishte funksionar i lartë i oborrit të sulltanit me detyrën e inspektorit për të raportuar për gjendjen e krahinave të Perandorisë Osmane. Gjatë viteve 1640-1676 bëri udhëtime të shumta në viset e Perandorisë Osmane e në vendet fqinje të saj dhe hartoi veprën në 10 vëllime në gjuhën turke “Sejjahnname” (Libri i udhëtimeve) të cilën e përfundoi në Kajro.

Evlija Çelebiu

Evlija Çelebiu ka udhëtuar në Shqipëri 3 herë. Udhëtimin e parë e bëri në Kosovë në dhjetor të vitit 1660, në Shqipërinë e Veriut, ndërsa në nëntor të vitit 1670 nëpër Shqipërinë e Jugut. Vepra është burim kryesor me vlera të rëndsishme per kohën.

Ajo përmban material të pasur për historinë, gjeografinë, folklorin dhe kulturën e krahinave që vizitoi.

Në vepër jepen itineraret e shtegtimeve dhe bëhen përshkrime të sakta të pazareve, kalave, xhamive etj, të viseve të Kosovës dhe trajton emrat e vjetër atje si Shkoz apo Jak, kalon nëpër qytete të mëdha si Delvina, Gjirokastra, Tepelena, Durrësi, Përmeti, Berati dhe Vlora.

Të dhëna të sakta jepen për ndarjen administrative të këtyre qyteteve në zeamete dhe timare, sasinë e taksave që i paguanin sulltanit, numrin e ushtarëve në rast lufte dhe mjaft të dhëna me vlera studimore.

Nuk kanë mbetur pa u përshkruar edhe fshatrat e mëdha me kështjella, si Kalaja e Delvinës, Kalaja e Kardhiqit në Gjirokastër, Tërbuq, Lëbovë, Lekël dhe fshatra të tjera të Shqipërisë së Jugut.

Vepra ka rëndësi shoqërore, ekonomike e politike për historinë e Shqipërisë.

Delvina

Qyteti i Delvinës ndodhet në një fushë të hapur dhe shtëpitë janë aq larg nga njëra-tjetra sa distanca e një shigjete të hedhur. Nëse një shtëpi sulmohet nga banditët, komshijtë e marrin vesh. Për këtë arsye të gjitha shtëpitë kanë një kullë të madhe me një portë të hekurt dhe me mure të trasha e të forta.

Fortesa e Delvinës

Të panumërta janë pemët e limonëve, portokalleve, fiqve, ullinjve, shegëve dhe qiparisave, të cilat stolisin zonat e pakultivuara dhe kopshtet frutore të qytetit.

Shumë të njohura ndër ushqimet e pijet janë simitet e bardha shqiptare (simid), bukë e hollë e bardhë (pogaçe) dhe vera e kuqe.

Kalaja e Delvinës u themelua së pari nga spanjollët. Më pas, venedikasit e shtinë në dorë me dredhi. Sulltan Bajazidi II i Shenjti ua mori venedikasve në vitin 1419, mirëpo ajo ra përsëri në dorë të të pafeve. Kur Sulltan Sulejmani shkoi në fushatën e Korfuzit në vitin 1537 veziri i madh Ajas Pasha, shqiptar nga prejardhja, u emërua kryekomandant dhe kalaja e Delvinës u pushtua drejtpërdrejt prej tij e u bë kryeqëndër.

Edhe sot Delvina është sanxhak më vete në vilajetin e Rumelisë. Ajo është has, për të cilin beu merr një të ardhur 157.132 akçe prej Sulltanit.

Ka 24 zeamete dhe 155 timare. Ka vetëm një allajbej e një çeribash. Në kohë lufte, beu është i detyruar me ligj të nxjerrë 2200 ushtarë, ndër ta edhe shoqërues shërbimi të armatosur. Ka një kadi me nivel page prej 180 akçesh.

Popullsia jeton pa i munguarr gjë, shumica me ullinj dhe vaj ulliri, të cilin e eksportojnë dhe e shesin në vilajetet e tjera. Të rinj e të moshuar, të mëdhenj e të vegjël, të kamur e të varfër të gjithëve u skuq fytyra nga shëndeti, sepse janë trima e luftëtarë të dhënë pas të ngrënit, pijes e gostive. Djemtë e rinj dhe nxënësit e shkollave fetare janë vërtet të pabindur dhe kokëshkretë.

Shkodra

Taksa mbretërore që siguron beu arrin shumën 459.200 akçe. Ka 19 zeamete e 205 timarë. Sipas ligjit, duke e llogaritur mbi bazën e të ardhurave, Shkodra nxjerr 4000 ushtarë… Kjo fuqi, në kohë lufte, vihet nën komandën e vezirit të Rumelisë dhe të kolonëve të tij. Luftëtarët e Shkodrës kanë qenë bashkë me ne dhe janë treguar trima të vërtetë në luftën e Ardelit.

Shkodra nga Eduard Lir, 1849

Pashai i Shkodrës ka 40 qese të ardhura. Ai i siguron qetësinë vendit me anën e 1000 bejlerëve që ka nën urdhrin e vet.

You must be logged in to post a comment Login