Shkencëtarët fitojnë çmimin Nobel pasi kuptojnë misteret e orës biologjike (Video)

Çmimi Nobel për vitin 2017 në mjekësi u është dhënë tre shkencëtarëve të cilët i kanë zbuluar mekanizmat molekular që e kontrollojnë orën biologjike. Puna e tyre ka ndihmuar në ndriçimin e një nga mistereve më të mëdha në jetën njerëzore: pse na duhet gjumi, dhe si ndodhë kjo.

Jeffrey C Hall, Michael Rosbash dhe Michael W Young kanë zbuluar se si jeta e gjurmon kohën dhe e ndryshon vetveten në bazë të lëvizjeve të diellit.

Ritmet cirkadiane janë mënyrat se si trupi e mban veten të ‘rregulluar’ çdo ditë, dhe ky proces mund të ndikojë në gjumë, sjellje, nivele të hormoneve, në temperaturë të trupit dhe në metabolizëm.

Shkencëtarët kanë treguar se përse gjumi i dobët – siç është rasti i udhëtimeve me avion, apo te njerëzit që vuajnë nga pagjumësia – mund të shkaktojë pasoja të mëdha dhe ta rritë rrezikun e sëmundjeve të ndryshme.

Hulumtuesit gjithashtu kanë zbuluar se të gjitha qeniet në Tokë – nga bimët e deri te njerëzit – e rregullojnë orën e tyre të trupit apo orën biologjike me ndihmën e diellit, përmes teknologjive të veçanta brenda trupit.

Puna e tyre nuk ka zbuluar ndonjë këshillë se si ta përmirësojmë ritmin tonë cirkadian apo ta përmirësojmë gjumin, megjithatë puna e tyre shërben si rikujtues i rëndësisë së mbajtjes së një gjumi të mirë. /Telegrafi/

You must be logged in to post a comment Login