Kamberi: Shqetësuese gjendja e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës

E hëna e 16 tetorit, për Komunën e Bujanocit, ishte një ditë e veçantë e mbushur me plot aktivitete, të natyrës politike dhe diplomatike.

Lideri institucional i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, priti në rezidencën e tij, Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Beograd, Denis Keef, për të biseduar për së afërmi lidhur gjendjen politike në këtë komunë dhe më gjerë në rajon.

Gjatë bisedimit kryetari Kamberi, e njoftoi, gjithashtu ambasadorin Denis Keef, rreth planit shtatë-pikësh të palës shqiptare e cila i është dorëzuar Qeverisë së Serbisë, në qershor të vitit 2013, me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës.

“Theks të veçantë ka pasur sundimi i ligjit si dhe respektimi i të drejtave të pakicave gjatë bisedës ku i është kërkuar një angazhim më i madh nga ana e ndërkombëtarëve për realizimin e synimeve dhe të drejtave të pakicave”, tha Kamberi në konferencën për media.

Kjo vizitë vije pas pranisë së kryetarit Kamberi, në takimin e së enjtes së kaluar me grupin joformal “Miqtë e Jugut”, të organizuar nga Ambasada e Britanisë me ambasadorët e shteteve të tjera mike, në Beograd.

Image

Po të njëjtën ditë, kryetari Kamberi, në rezidencën e tij ka pritur Ambasadorin  e Republikës së Shqipërisë të akredituar në Beograd, Ilir Boçka me bashkëpunëtorët e tij.

Në këtë takim me karakter pune kryetari Kamberi së bashku me deputetin popullor, Fatmir Hasani, e njoftuan ambasadorin shqiptar lidhur me zhvillimet politike në vend dhe rajon dhe kërkesat e shqiptarëve etnikë drejtuar Beogradit Zyrtarë.

Gjithashtu me peshë të madhe ishte edhe takimi i kryetarit Kamberi me Avokatin e popullit në Serbi, Zoran Pashaliq,  me të cilin diskutoi lidhur për çështjen e përgjithshme të të drejtave të njeriut.

Në konferencën për media Kamberi, tha se e ka njoftuar avokatin e popullit Pashaliq lidhur me problemin e pasivizimit të vendbanimeve shqiptare dhe shlyerjen e qytetarëve shqiptarë nga regjistrat  e gjendjes civile, pastaj për, mos njohjen e diplomave të Kosovës, mungesën e teksteve për shkollat shqipe e tema tjera.

Ndërkaq, avokati i popullit, Zoran Pashaliq, tha se  “Problemet zgjidhen duke komunikuar mes vete dhe ne jemi marrë veshë të diskutojmë zgjidhjen e disa problemeve, që avokati i popullit mund t’i zgjidh, ato që  lejojnë ligjet e Serbisë”.

Image

Të kësaj natyre janë zhvilluar takime edhe në Preshevë, me përfaqësuesit institucionalë dhe partiakë, të cilat kishin në agjendë  adresimin e problematikave dhe qasjen për zgjidhjen e tyre në favor të krijimit të kushteve më të mira për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

You must be logged in to post a comment Login