CAPITAL T – artisti unik që solli dimrin me projektin e ri

Reperi i njohur Capital T ka lansuar së fundmi ‘mixtape-in’ e tij më të ri me titull “Winter is here” pas një pune të gjatë dhe të palodhur të bërë për muaj me radhë, dhe paralajmërimeve ‘mistike’ të bëra përmes rrjeteve sociale.

Por Telegrafi ishte destinacioni, ku pas një pune të rezultuar në përfundim, reperi Capital T rrëfen në një intervistë ekskluzive të gjitha detajet e ‘mixtape-ut’ të tij më të ri, me çka shënon edhe ngritjen e radhës në karrierë.

Këtë vit ai ka qenë një ndër emrat më produktivë në tregun e muzikës, dhe si rrjedhojë rezultoi si një ndër reperët më të kërkuar në koncerte. Me ardhjen e sezonës së dimrit, Kapo ka vazhduar vetëm përpara, duke u sjell fansave atë çka ata më së shumti duan, muzikë të vërtetë….

Capital T, keni publikuar së fundmi albumin tuaj më të ri “Winter si here”. Na thuaj pak sa gjatë është punuar në këtë album?

‘Mixtape’ im me i ri ‘Winter is here’ është një përmbledhje prej 15 audio projekteve, të cilat janë bërë vetëm e vetëm për t’i dhuruar audiencës sime dhe fansave të muzikës sime, diçka të mirë për vesh, për t’i kaluar ditët e ftohta të dimrit. Ky ‘mixtape’ ka kohë që është planifikuar për këtë sezonë, mirëpo për shkak të ngarkesës dhe punës së tepërt gjatë sezonit veror, kemi punuar ngadalë dhe mirë që ky projekt të jetë sa më i kompletuar.

Reperi i njohur Capital T zgjodhi sezonën e ftohtë për të sjell në treg mixtape-in e tij më të ri “Winter is here”. Burimi i fotos: Instagram

Sa këngë janë gjithsej, dhe cila është më e preferuara jote?

Gjithsej ‘mixtape’ i përmban 15 këngë dhe lirshëm mund të them që të gjitha i kam për zemër. Besoj që edhe publiku do t’i mirëpresë të gjitha.

A është ky album projekti më gjigant i juaji deri më tani?

Është projekt mjaft i madh dhe është punuar shumë, mendoj që si përmbledhje e këngëve të mija, deri më tani është projekti më i madh, mirëpo përkujdesem që secilën herë të sjell projekte më të mira e më të mëdha sesa ato të kaluarat.

Kjo është koopertina e ‘mixtape-it’ më të ri “Winter is here” nga reperi Capital T

A mendoni se vlejnë sot albumet në treg, dhe pse vendosët që në këtë kohë krize të riktheheni me album?

Albumi apo ‘mixtape’ i cili shitet në kopje fizike (CD) në shtetin tonë fatkeqësisht nënvlerësohet, për shkak të piratërisë dhe shumë personave të pandërgjegjshëm që shpërndajnë veprat artistike të artistëve online ose i shesin në tregun e zi. Mirëpo detyra jonë si artistë është t’ju mundësojmë adhuruesve sa më lehtë të kenë akses në projektet tona. Kjo është arsyeja e vetme për të cilën ne sjellim edhe në kopje fizike projektet tona. Për mendimin tim personal, muzika nuk ka kohë të limituar apo sezonë të caktuar dhe muzikë të mirë duhet të sjellim tërë vitin dhe jo vetëm gjatë sezonit veror. Kjo është një ndër arsyet pse kam vendosur ta lansoj ‘mixtape-in’ gjatë sezonit dimëror, që njerëzit të kenë çfarë të dëgjojnë edhe gjatë ditëve të ftohta.

Keni qenë shumë aktiv këtë vit me projekte dhe koncerte të shumta. Sa po e shijoni famën?

Kam punuar shumë, vazhdoj të punoj ende pa u ndalur dhe kjo punë fatmirësisht po më shpërblehet. Shpërblim më të mirë se sa përkrahja e njerëzve dhe komplimentet e tyre për punën time dhe muzikën time, nuk ka. Është e vetmja gjë që më bënë të vazhdoj të punoj secilën herë më shumë. Fama është diçka momentale, mirëpo muzika e mirë dhe artistët e mirë nuk vdesin kurrë.

Capital T shquhet si një ndër reperët më të suksesshëm të tregut muzikor shqiptar.Burimi i fotos: Instagram

A do të ketë dhe projekte tjera për fundvit, nëse po mund të na i shpalosni cilat janë?

Projekte të reja patjetër që do të ketë, mirëpo do t’ju vijë koha edhe atyre projekteve dhe nuk do t’i zbuloj tash, po ju lë ta shijoni ‘mixtape-in’.

Sa i lidhur je me fansat, dhe a ndodh të të ndalojnë shpesh në rrugë?

Fansat janë ata të cilët më bëjnë të punoj e të vazhdoj të dhuroj projekte të mira dhe normalisht që jam i lidhur me ta dhe mundohem të komunikoj e t’i dëgjoj mendimet e tyre. Dhe po, më ndalojnë në rrugë dhe nuk më ka ndodhur deri sot të neglizhoj ndonjërin prej tyre.

Capital T është shumë i kërkuar nga fansat në koncerte dhe numëron me mijëra ndjekës në rrjetet sociale. Burimi i fotos: Instagram

Jeni mjaft aktiv në rrjetet sociale. A jeni i varur nga to dhe a marrin shumë ato nga jeta juaj?

Sot, rrjetet sociale janë mënyra më e mirë e komunikimit mes artistit dhe njerëzve që e duan artin e tyre, dhe lirshëm mund të themi se rrjetet sociale kanë thyer barrierën në mes të artistit dhe fansave. Është mënyra më e lehte për të parë e dëgjuar mendimet e tyre si dhe për t’u lidhur më shumë me ta. Besoj që secili njeri, jo vetëm artistët, në këto vitet e fundit, janë lidhur ngushtë me rrjetet sociale. Koha që shpenzoj unë, është aq sa realisht nevojitet të shpenzohet në këtë drejtim.

Kapo, faleminderit shumë që u bëre pjesë e intervistë e intervistës. Diçka për fund…

Faleminderit shume nga ju, shpresoj të kënaqeni duke e dëgjuar këtë ‘mixtape’ si jam kënaqur unë duke punuar në të. /Telegrafi/

Në vazhdim: Lista me këngët e ‘mixtape-it’ më të ri “Winter is here” nga Capital T, si dhe disa nga videot promovuese të projektit:

Këto janë gjithsej 15 audio projektet e ‘mixtape-it’ të ri “Winter is here” të reperit Capital T

You must be logged in to post a comment Login