Art në kalanë e Gjirokastrës, restauratorët e rajonit të gjithë bashkë në 10-vjetor

Tingujt e kitarës, magjia e muzikës operistike, janë bashkuar me vlerat polifonike, rapsodinë dhe emocionet e aktrimit në një mbrëmje të vetme, e cila ka jetësuar artistikisht kalanë shekullore të Gjirokastrës, në një event ku është celebruar 10 vjetori i Kampeve Rajonale të Restaurimit.

Një aktivitetet me bashkëpunëtorët dhe miqtë për të përkujtuar dhjetë vite pune gjatë të cilave organizata “Trashëgimia Kulturore pa kufij” , CHwB, ka treguar se ka bërë realitet moton e saj “ Ne organizojmë dhe ndërtojmë të ardhmen”.

Dhjetëra të ftuar nga bota e trashëgimisë kulturore, historisë dhe artit nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Përfaqësues të Ambasadës Suedeze, përfaqësues të Ministrive të Kulturës, profesionistë të fushës, restauratorë dhe mjeshtrit të ndërtimit, studentë të arkitekturës, pronarë të monumenteve, etj, festuan mbrëmë në Gjirokastër, qytet në të cilin nisi pikërisht rrugëtimi për restaurimin e objekteve muzeale, edukimi i profesionistëve, krijimi i marrëdhënieve midis pjesëmarrësve të vendeve të rajonit dhe rritja e ndërgjegjësimit të komunitetit për vlerat që disponojnë.

Një ndriçim bashkëkohor i fjalës së fundit të teknologjisë dhe një dekor i përshtatur me historikun e muzeut u bashkuan me mistiken e një kalaje duke ngrohur mjedisin e ftohtë të këtij fillim Tetori në Gjirokastër.

Plotë 38 Kampe Rajonale të Restaurimit, organizuar në katër shtete si Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Jo pak, por 120 ndërhyrje të përfunduara restauruese me 940 pjesëmarrës të trajnuar dhe 55, 000 orë pune praktike në terren. Është ky vetëm një bilanc i thjeshtë që Organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij ka bërë mbrëmë në 10 vjetorin e kampeve.

Për Florian Raunig, kryetar i bordit të CHwB Shqipëri, i cili hapi aktivitetin duke përshëndetur pjesëmarrësit, në Gjirokastër ku janë organizuar shumica e kampeve, ato janë bërë një element kryesor i skenës kulturore dhe kanë inkurajuar dhjetëra pronarë të monumenteve të kulturës të rishikojnë mënyrën se si ata të kujdesen për banesat e tyre.

Ndërsa, Birgitta Jansson, përfaqësuese e Ambasadës Suedeze në Shqipëri u shpreh se mbështetja e kësaj ambasade do të vijojë edhe në të ardhmen, pasi kampet janë pjesë e një shtytje më të gjerë ballkanike për të vendosur marrëdhënie mes pjesëmarrësve, për të rritur përgatitjen e tyre në fushën e restaurimit, por dhe për të inkurajuar njerëzit që të vlerësojnë maksimalisht dhe të kujdesen për trashëgiminë e tyre.

Grupi polifonik Argjiro solli më pas interpretimin e këngëve tradicionale gjirokastrite, duke mbushur me emocion mbrëmjen. Këngët popullore polifonike të kënduara nga ky grup tërhoqën vëmendjen e pjesëmarrësve.

Rapsodia ja ka lënë vendin më pas eventit, duke sjell nga një mjedis tjetër i kalasë emocionet e interpretimit të së vetmes rapsode tashmë në Shqipëri. Lumturije Nonaj, rapsodia nga Lezha emocionoi gjithë të pranishmit me tingujt e lahutës së saj, të cilat u ngjisën bukur me magjinë shekullore të kalasë. Veshja e saj prej malësore, tingujt e lahutës dhe interpretimi profesional i Nonajt u shoqëruan me duartrokitjet e pjesëmarrësve.

Nga emocioni në emocion, mbrëmja e festës së 10 vjetorit të kampit ja la vendin një tjetër surprize. Soprano Bojana Kukic-Pejanoviç dhe kitaristi Nedeljko Pejoviç nga Podgorica e Malit të Zi sollën për të pranishmit emocionet e vokalit dhe të kitarës. Zëri virtuoz dhe tingujt magjike të kitarës u bashkuan në interpretimin e disa ar-jeve, që artistët i sollën me disa pjesë të njohura muzikore.

Viktor Caro, aktor i njohur jo vetëm në Gjirokastër së bashku me disa të rinj të qytetit sollën nëpërmjet aktrimit disa prej vlerave të qytetit nëpërmjet interpretimit të legjendës, fakteve rreth historisë, artit dhe kulturës.

Një falënderim për të gjithë mbështetësit, profesorët, donatorët, organizatorët, mjeshtrit e ndërtimit, drejtuesit e institucioneve vendore ku janë organizuar kampet, solli në përfundim të këtij eventi Lejla Hadzic, drejtore ekzekutive e “ Trashëgimia Kulturore pa Kufij”.

“Gjatë organizimit të kampeve pjesëmarrësit akomodohen në vendet ku organizohen, ndjekin orët e leksioneve dhe punojnë për të përfunduar një ndërhyrje restaurimi në një ndërtesë gjatë pasdites dhe këto janë mundësuar nga profesionistët më të mirë të fushës së konservimit dhe profesorë që vijnë nga institucione vendore dhe ndërkombëtare, ndaj dhe falënderimi shkon për ta, tha në fjalën e saj Hadzic. Punimet praktike udhëhiqen nga mjeshtrit me përvojë, të cilët u mësojnë pjesëmarrësve teknikat e duhura si dhe sigurojnë gjithashtu që ndërhyrjet restauruese të jenë të një cilësie mjaft të mirë, ndaj dhe një falënderim tjetër shkon për të gjithë ata mjeshtrit kudo në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi”, vijoj ajo. Duke cilësuar si mjaft të rëndësishme mbështetjen e donatorëve Hadzic falënderoi dhe Ambasadën Suedeze, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan, Ministrinë e Kulturës, universitetet që janë bërë partnerë…

Me objektiva të qarta siç janë përdorimi i trashëgimisë kulturore për ndërtimin e marrëdhënieve mes profesionistëve të rinj, duke krijuar kushte për paqe dhe demokraci, dhe për të ruajtur mjeshtëritë dhe teknikat tradicionale, “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” mbylli në Gjirokastër një mbrëmje falënderimi për bashkëpunëtorët dhe miqtë duke dëshmuar se ky dhjetë vjetor është vetëm nisja e një rrugëtimi të gjatë drejt punës për ruajtjen e vlerave të trashëguara. Nga Gjirokastra Erjola Azizolli-KultPlus

You must be logged in to post a comment Login