Intervista/ Panuçi: Ky është plani im kundër Maqedonisë

 

Kristian Panuçi, i është përgjigjur sot gazetarëve nga Strumica për atë që e pret në ndeshjen kundër Maqedonisë që është në fakt edhe sfida e tij e parë reale më të kuqtë. Ai ka qenë i qetë por i vendosur se nuk do të firmoste paraprakisht për një barazim. Ai ka treguar se cila është pika e dobët e maqedonasve dhe se si duhet të sillet skuadra që ai drejton: Jo si në 30 minutat e para kundër Lishtetshtejnit….

A ndihet skuadra e lodhur nga koha e shkurtër e rikuperimit dhe nga rruga me autobuz drejt Strumicës? 

“Skuadra do të ketë kohë edhe një ditë për të rikuperuar, pro edhe Maqedonia luajti në Izrael dhe jemi në të njëjtat kushte. Jam i bindur se nesër do të jetë e rikuperuar plotësisht se janë lojtarë të mësuar të luajnë ndeshje kaq të afërta”.

A do jetë në fushë Sadiku dhe a ka ndryshime të tjera formacioni? 

“Sadiku është në dispozicion, i kam të gjithë lojtarët në dispozicion dhe pastaj nesër do të shihni lojtarët që do të zbresin në fushë”.

Për ju barazimi është një rezultat i pranueshëm?

“Erdhëm për të fituar ndeshjen, pastaj të shohim çfarë na sjell fati, me siguri nuk firmosim për një barazim, hyjmë në fushë me kurajë. Me respekt të madh për Maqedoninë, pro të ndërgjegjshëm për cilësitë tona”.

A do të ketë ndonjë ndryshim në mënyrën e lojës nga Lihtenshtejni? 

“Nëse luajmë si 30 minutat e para do të vuajmë shumë, se 30 minutat e para të skuadrës time nuk ishin pozitive, ishim shumë të ngadaltë. Kemi nevoje te jemi nga minuta e pare deri ne te 95 në maksimum, me grintë, dëshirë dhe përqendrim”.

A i plotëson kushtet fusha e stadiumit të Strumicës (ndeshja nuk u zhvillua në Shkup nga frika e trazirave)?

“Sa i përket stadiumit, është i vogël, por terreni është i mirë. Stadiumet e vogla kanë gjithmonë vështirësi, por ne duhet të mendojmë të luajmë ndeshjen tonë dhe nga kjo pikëpamje të jemi gati”.

Ka mbrojtje të veçantë për Pandev ?

“Asnjë mbrojtje fikse për Pandev, e njoh, një lojtar me kualitet të mirë, duhet marrë në konsiderate. Por nuk do të ketë asnjë markim fiks ndaj tij”.

Ju tremb fakti që Maqedonia ka marrë dy fitore radhazi? 

“E përsërit që kemi shumë respekt për Maqedoninë, por do të mundohemi t’i krijojmë ne probleme atyre, duke i sulmuar, do të mundohemi që të prishim rrjedhën e lojës së tyre. Është e vërtetë që luajnë, por karakteristika më e mirë e Maqedonisë, që pashë ndaj Izraelit, është që nuk lejojnë të luajnë të tjerët”.

You must be logged in to post a comment Login