Figurat e rralla në shpellat-kisha të eremitëve në malësinë e Librazhdit

Librazhdi është një zonë e pasur me disa shpella të banuara, të quajtura shpella eremite, ose shpella kisha në fshatrat Koshorisht, Skroskë dhe Urakë, të cilat kanë në muret e tyre shkëmbore piktura murale me tematikë biblike. Në njërën prej këtyre shpellave, dhe pikërisht në atë të fshatit Koshorisht, ndodhet një nga pikturat më të mëdha shpellore në Shqipëri. Piktura e shpellës eremite të Koshorishtit ka disa skena, të cilat mbartin vlera të rëndësishme kulturore dhe historike. Krahas skenave biblike janë pikturuar edhe tetë figura njerëzore, që mendohet se i përkasin familjes së njohur të aristokracisë shqiptare, asaj të Aranitëve.

Në fillimet e kristianizmit, disa burra dhe gra, të cilët e kishin përcaktuar veten e tyre si ndjekës të Krishtit, praktikonin këshillat ungjillore dhe kishin vendosur t’i kushtoheshin jetës së Krishtit, duke e imituar atë. Ata bërin një jetë vetmitare kushtuar Perëndisë, por secili në mënyrën e vet. Shumë prej tyre, nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë, u bë eremitë.

Shpellat eremite, apo shpellat kisha, siç i quante populli, janë dëshmi që vërtetojnë se edhe në këto zona kanë jetuar dhe kanë zhvilluar aktivitetin e tyre fetar eremitët e krishterë. Nuk dihet mirë se kur kanë mbërritur në vendin tonë eremitët e parë të krishterë, por studiuesi Neritan Ceka, në librin e tij “Iirët” (Tiranë 2000), shkruan se disa murgj të persekutuar, gjatë periudhës së sundimit të perandorit bizantin Kostandini V, u vendosën në trevat e shqiptare. “Qëndrimi liberal i kishës së Dyrrahut, – shkruan Ceka, – bëri që të vendoseshin murgjit ikonodule trakas të persekutuar në kohën e perandorit Kostandini V. Ata zgjodhën për të banuar shpellat në Letëm të Librazhdit…, duke lënë edhe gjurmë nderimi për shenjtorët në afresket e pikturuara në faqet e shpellave”

Për fat të keq, piktura e shpellës eremite të Koshorisht është dëmtuar shumë nga faktorë atmosferikë por edhe nga disa prej vizitorëve vandalë, të cilët kanë gërvishur muret, duke shënuar emrat e tyre. Skena më e dëmtuar në pikturë është ajo e figurave njerëzore, që paraqet familjen aristokrate të Aranitëve.

Ndonëse shpella ka mbi 40 vjet që është e shpallur Monument Kulture dhe mbrohet me ligj nga Shteti Shqiptar, por ajo nuk ruhet dhe ka po aq vjet që ndodhet në mëshirë të fatit të saj.

Të pasionuarit, studiues, turistë dhe njerëzit që e duan kulturën dhe historinë e këtij vendi bëjnë apel për të shpëtuar atë që ka mbetur në këto shpella të rralla.

 

You must be logged in to post a comment Login