Ëndërrimtari rumun që kishte një dashuri të hatashme ndaj gjuhës shqipe! A ishte shqiptar Mihai Eminescu?!

  • Gjeniu i poezisë rumune mbetet sot e kësaj dite një yll i pashuar, një mendimtar i thellë, një mjeshtër i rrallë i fjalës artistike. Mihai Eminescu u lind më 1850. Jetoi 39 vjet dhe u shua një vit pas shuarjes së Elena Gjikës (1889).

Baki Ymeri

SHQIPTARI.eu

Eminesku ka shprehur ndjenja të zjarrta ndaj gjuhës shqipe dhe integritetit territorial të shqiptarëve. Përmes temperamentit të tij vullkanik, Eminesku kishte pamjen e një shqiptari të vërtetë. Duke bërë fjalë për Traktatin e Berlinit të cilin e konsideron si një “marrëveshje formale”, Eminesku shpreh indinjatë ndaj fuqive që i shkëputën pjesët e Shqipërisë, përmend Ligën shqiptare, rezistencën e Portës kundër kërkesave greke dhe pakënaqësitë e Rumelisë. Sipas artikujve të Emineskut të shek. XIX-të: “Ndërmjet rumunëve dhe sllavëve ekziston një armiqësi e natyrshme. Kudo që rumunët kanë rënë nën sundimin e drejtpërdrejtë apo indirekt të sllavëve, zhvillimi i tyre i natyrshëm është shuar si pasojë e rrethanave të dhunshme. Dyqind vjet serbët e Banatës së Timishoarës i kanë terrorizuar rumunët, njëqind vjet rumunët e Bukovinës kanë luftuar përherë me rusnjakët. Deri në ditën e sotme rumunët e Serbisë së lirë dhe të Rusisë ortodokse, nuk e kanë të drejtën për të themeluar një shkollë dhe një kishë rumune”.

Gjeniu i poezisë rumune mbetet sot e kësaj dite një yll i pashuar, një mendimtar i thellë, një mjeshtër i rrallë i fjalës artistike. Mihai Eminescu u lind më 1850. Jetoi 39 vjet dhe u shua një vit pas shuarjes së Elena Gjikës (1889). Kushdo që lexon veprën e tij, krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me një përgjegjësi të jashtëzakonshme që vjen nga brendia e qenies njerëzore. Sipas Vehbi Balës, Eminesku ishte “një dallëndyshe që hyn nga një dritare dhe del nga tjetra: aq qe kalimi i tij i rrufeshëm, që do të qëndrojë në përjetësi pasi ylli është shuar”. Fjala e tij është bërthamë e përjetësisë, katalizator i energjisë humane, momenti, evenimenti dhe sentimenti. Qindra manifestime emocionuese mbahen për çdo vjet me rastin e lindjes së tij (15 janar 1850), nëpër shkolla, qendra kulturore, klube letrare, anembanë vendit, gjatë këtij viti edhe në shtëpinë e tij, në Botoshan.

Disa autorë shqiptarë (V. Bala, R. Qosja, R. Ismajli, A. Plasari, L. Topciu, Elida Petoshati, Mirlinda Krifca etj.), kanë shkruar me admirim mbi ndikimin që ka ushtruar Eminesku ndaj krijimtarisë lirike të Asdrenit dhe Lasgush Poradecit. Kur kanë shkruar për poetin më të madh rumun, jo vetëm shqiptarët, e kanë prekur edhe prejardhjen etnike të tij, disa duke hedhur tezën gjoja se paska qenë me prejardhje turke, do tjerë me prejardhje persiane, gjermane, hebraike, polake, serbe, armene, bullgare, suedeze apo shqiptare, por asnjëri pa prurë argumente bindëse në këtë drejtim. Foqion Miçaçio që mbante korrespondencë me dr. Latif Berishën, autor i monografisë Folclor albanez, theksonte se “Emineskun e karakterizonte një sinqeritet dhe ndershmëri e jashtëzakonshëm, se ishte temperament i zjarrtë që ka shprehur ndjenja të zjarrta ndaj shqiptarëve dhe integritetit tokësor të Shqipërisë”. I këtillë, sipas Nik Pemës (ish-diplomat shqiptar) ishte edhe nipi i tij: Viktor Eminesku: “shqiptar me tërë kokën, temperament vullkanik”. Asdreni e admironte Emineskun për simpatinë e shquar që kishte ai për shqiptarët.

Eminesku ishte një stuhi e padukshme. Jon Sllaviçi kur e sheh në Vjenë, në bazë të fizionomisë, në bazë të tipareve të fytyrës, i duket si “albanezul nostru” (shqiptari ynë). Ioana Atanasov, profesoreshë e rumanishtes në Universitetin e Shkupit, thekson se “Eminesku kishte një dashuri të hatashme ndaj gjuhës shqipe”.

Kritiku i madh letrar, Gheorghe Calinescu, përmend faktin se Eminesku e fliste edhe gjuhën shqipe, ndërsa Lazim Rexhepi (1920-1983), mërgimtar shqiptar që banonte në Piatra Neamc të Moldovës, autor i dorëshkrimit Romani i ditëve të mia, kishte dëgjuar se stërgjyshi i Emineskut kishte qenë shqiptar me prejardhje dibrane. Ion Roşu boton një monografi mbi prejardhjen e poetit: Legjenda dhe të vërteta në biografinë e M. Emineskut (Cartea Romaneasca, Bukuresht, 1989).

Sa i përket prejardhjes shqiptare, sipas akad. Rexhep Ismajlit, “në këtë mit arrin të marrë pjesë edhe Mitrush Kuteli ynë, i cili lansoi hipotezën mbi origjinën shqiptare të poetit rumun. Sot, natyrisht, mbisundon mendimi se Eminesku ishte nga një familje rumune, e cila mund të kishte përzjerje të ndryshme gjaku më përpara, nëse këto gjëra kanë ndonjë rëndësi”. Eqerem Petoshati (ishdiplomat i Shqipërisë në Bukuresht), pohonte se Eminesku edhepse posedonte temperament shqiptar, konsiderohet si vlera më hyjnore e Rumanisë, të cilën askush nuk ka të drejtë ta përvetësojë”. Më kot mundohen serbët ta përvetësojnë poetin më të madh rumun, derisa s’u kanë dhënë rumunëve të Timokut kurrfarë të drejtash shkollare e fetare, e të mos bëjmë fjalë për pavarësi apo autonomi kulturore.

“Mua ma merr mendja se gjuha më fleksibile në botë është gjuha shqipe”

Poezia e Emineskut është e shenjtë dhe e bukur, e vështirë për shqipërim si pasojë e rimës, por po qe se e lexon në origjinal, ajo sjell harmoni në jetën tënde. Sipas Nasi Lerës, “ajo është një poezi zemre të sinqertë që personifikon shpirtin e popullit të tij”. Përkthyesit më të njohur të Emineskut në gjuhën shqipe janë Gj. Bubani, L. Poradeci, M. Kuteli, I. Kadare, V. Bala, R. Ismajli, D. Bubani, A. Plasari, P. Jorgoni, L. Topçiu, K. Kyçyku. Në Tiranë janë mbajtur disa mbrëmje poetike kushtuar këtij poeti të famshëm. Duke shfletuar Simfoninë veneciane të autorit Oktav Minar, zonja Ekaterina Oprea nga Brëila e Naum Veqilharxhit, u befasua kur kuptoi të vërtetën se mbreti i poezisë rumune ka patur një admirim të hatashëm ndaj gjuhës shqipe. Romani i Oktav Minarit, faktikisht është Romani i një dashurie të madhe: Eminesku-Veronika. U shkrua në fillim të shek. të shkuar dhe u ribotua në Bukuresht, në vitin 1991. Mendimet e autorit të romanit të një dashurie të madhe, lidhur me admirimin e Emineskut ndaj Veronikës dhe respektin e tij ndaj gjuhë shqipe, të shtynë të mendosh se gjenialiteti i tij shkon deri në zemrën gjeografike të shqiptarizmit:

“E tërë bota kaloi në sallon për të drekuar. Pas dreke, sipas zakonit të shtëpisë, meqë ishte verë, ëmbëlsirat dhe kafetë servoheshin në sallon, ku fillonin bisedat mbi artin dhe letërsinë. Eminesku me disponim të mirë, i kundërshtonte të gjithë. Negruzi dhe Gane-ja ia krisën një diskutimi filologjik. Ata kërkonin të fiksojnë sipas do normash, cila është gjuha më e bukur dhe më tërheqëse në botë. Gane mendonte se ky nderim i përket gjuhës frënge, e cila i ka përvetësuar përmes letërsisë sallonet e intelektualitetit universal, duke qenë e zgjedhur si gjuhë diplomatike. Negruzi, përkundrazi, theksonte se frëngjishtja është një gjuhë sallonesh, por gjermanishtja më mirë mund ta gatuajë një mendim filozofik. Majoresku, duke u përzierë në diskutim, mundohej t’i rregullojë, punët sipas vendit të vet, si gjithmonë, duke treguar se në çka qëndron hijeshia dhe superioriteti i një gjuhe nga pikëshikimi filologjik dhe estetik. I papërmbajtur, Eminesku çohet nga skaji i sallonit ku rrinte i tërhequr, afrohet te miqtë dhe u thotë:

– Unë mendoj se gjuha më fleksibile në botë, mund të jetë gjuha shqipe. Një qeshje e përgjithshme e shoqëroi qëndrimin e Emineskut, çdonjëri duke menduar se ai bën shaka. Por, poeti gjithnjë e më i përflakur, filloi t’u demonstrojë të gjithëve superioritetin, duke recituar pa ndërprerje, vargje popullore nga gjuha shqipe. Bashkëtryezarët u zbavitën madhërisht me argumentet e Emineskut, sidomos zonjat e përgëzuan, duke i përqafuar bindjet dhe duke e detyruar kështu, të vazhdojë më tej, ngase pat krijuar një kënaqësi dhe këndellje, shumë të dashur.” (Octav Minar, Simfonie veneţiană, roman, Editura PLOSCAU, Bukuresht, 1991, fq. 54-55).

 Rumania në luftë me pansllavizmin

Mihai Eminesku, klasiku i formave të përkryera artistike, ishte mëndje e thellë dhe e pasur, zemër e mbrujtur me ndjenja të larta të atdhedashurisë. Dorëshkrimet e tij janë vlera të larta kombëtare. Si njohës i përsosur i popullit të vet dhe të shkuarës së tij, Eminesku iu përkushtua pavdekshmërisë ngase dinte të godasë atje ku duhet: në fushë të polemikës dhe publicistikës politike. Kështu ka vepruar më vonë edhe Pamfil Sheikaru, gazetari më i shquar rumun i gjysmës së parë të shek. XX. Në kuadrin e artikullit Aneksimi i Dobruxhes (Timpul, 19 gusht 1878), duke bërë fjalë për Traktatin e Berlinit të cilin e konsideron si një “marrëveshje formale”, Eminesku shpreh indinjatë ndaj fuqive që i shkëputën pjesët e Shqipërisë, përmend ligën shqiptare, rezistencën e Portës kundër kërkesave greke dhe pakënaqësitë e Rumelisë. Monografia e prof. Ion Creţu (Mihai Eminesku, Vepra Politike, vëll.I, Editura Cugetarea – Georgescu Delafras, Bukuresht, pa vit.e bot.), e botuar në një numër të kufizuar ekzemplarësh, është një sintezë e mendimit politik të M. Emineskut, të cilës i paraprin një parathënie e gjerë, me do subjekte si: Aktiviteti publicistik i Emineskut, Identifikimi i artikujve të Emineskut, Aktualiteti politik i Emineskut (…).

Libri është i strukturuar në disa kaptina (Ta bëjmë një kongres, Poeti dhe njeriu politik, Bukovina dhe Basarabia, Krenaria për të qenë Rumun, Çështja izraelite, etj). Poeti e fshikullon parazitizmin e të huajve që nguliteshin në trojet rumune për shfrytëzimin e begative të vendit, madje edhe të fshatarit dhe qytetarit të rëndomtë. Artikujt e Emineskut që rijepen në këtë monografi, i përkasin periudhës 1870-1879. Disa shkruajnë se si pasojë e guximit politik për fshikullimin e korrupsionit qeveritar dhe antisemitizmit të tij, Eminesku mbaroi tragjikisht. Disa thonë se si pasojë e publicistikës së tij, aktuale sot e kësaj dite, kundërshtarët e shpallin të rrezikshëm dhe e hedhin në çmendinë. Sa është e vërtetë kjo ende nuk dihet ngase ekzistojnë gjithfarë versionesh lidhur me vdekjen e tij. Sipas Vehbi Balës: “sëmundja dhe mjerimi e katandisën në një gjendje të vajtueshme, tue mos gjetë aspak përkrahje nga njerëzit në fuqi”, “i braktisun në fatin e zi nga pushteti i kohës, mbylli sytë më 15 korrik 1889, i vramë në një çmendinë. Vetë jeta e tij është një dëshmi akuze kundër shkaktarëve të vuajtjes e të mjerimit të popullit të vet”.

Si e konsideronte Eminesku rrezikun pansllavist në trojet rumune të Timokut dhe Besarabisë?

Duke bërë fjalë për luftërat e nxitura, “jo si pasojë e ideve por si pasojë e ekzistencës”, në kuadrin e artikullit Rumania në luftë me pansllavizmin (f.286-302), Eminesku shkruante para 120 vitesh: “Ndërmjet Rumunëve dhe Sllavëve ekziston një armiqësi e natyrshme… Qindra vjet, Rumunët kanë qenë në mënyrë indirekte, të sunduar nga Turqit… Turqit nuk e vënin në diskutim gjuhën apo kombësinë rumune. Kudo që Rumunët kanë rënë nën sundimin e drejtpërdrejtë apo indirekt të Sllavëve, zhvillimi i tyre i natyrshëm është shuar si pasojë e rrethanave të dhunshme. Dyqindvjet Serbët e Banatës së Timishoarës i kanë terrorizuar Rumunët (…); njëqindvjet Rumunët e Bukovinës kanë luftuar përherë me Rusnjakët; deri në ditën e sotme Rumunët e Serbisë së lirë dhe të Rusisë ortodokse nuk e kanë të drejtën që e kishin kahmos nga sundonin Turqit, të drejtën për të themeluar një shkollë dhe një kishë rumune. Kështu pra, populli rumun nuk e ka madje as të drejtën që Shteti osman të zëvendësohet me shtete sllave. Një shtet rumun i rrethuar me shtete sllave mund të jetë për armiqtë e popullit rumun një iluzion i këndshëm; për Rumunët ndërkaq, ai është një fatkeqësi që na paralajmëron një varg të ri luftërash, një fatkeqësi për të cilën nuk na përkëdhel veçse vetëdija e qëndresës së popullit rumun, dhe shpresa e fitores” (293).

          Ekuilibri krijohet përmes bashkimit kombëtar dhe vullnetit për punë

Rusia ia merrte Besarabinë Rumanisë, sa herë që i tekej. Që nga viti 1812 e deri te marrëveshja famëkeqe e Jaltës: Stalin-Ribentrop-Molotov (1945). Paralelisht me rekomandimet e Çubrilloviqit për hapje mektepesh në vend të shkollave shqipe, duke bashkëpunuar tinëzisht me turqit për shpërnguljen e kosovarëve në shkretëtirat e Anadollit, sovjetikët i depërtonin rumunët e Besarabisë deri në në Siberi, sidomos arsimtarët dhe priftërinjtë që e mbanin të zgjuar ndërgjegjen kombëtare. Vinin vagonët e zbrazur nga Rusia në Rumani, dhe ktheheshin të mbushur me mallra rumune, në emër të internacionales socialiste. Pokështu ka vepruar edhe Serbia me minierat rumune të Majdanpekut dhe xeheroret shqiptare të Trepçës në Kosovë. Eminesku në kohën e tij kërkonte ngritjen e vetëdijes rumune dhe përfitimin e besimit të kombeve të mëdha të Evropës. Koha e Emineskut ishte koha e Elena Gjikës, shekulli i dritës.

Si e konsideronte Eminesku Moldovën në kohën e tij?

“Historia flet qartë. Një vend ku të gjithë propozojnë dhe askush nuk dëgjon, një vend ku antiteza ndërmjet partive shndërrohet në një armiqësi të vërtetë,(…) një vend i këtillë është i destinuar për t’u bërë plaçkë e fqinjëve të saj”(68). Duke bërë fjalë për zotërimin e Grigore Gjikës, Eminesku jep kushtrimin: “Popull rumun! Po të ishin bijtë e tu të bashkuar, atëherë edhe trualli yt stërgjyshor, do të mbetej një e i pandarë” (69). Doktrina politike e Emineskut buron nga një dashuri e madhe ndaj atdheut, nga ajo ndjenjë fisnike që qëndron në ballë të ndjeshmërisë njerëzore dhe e cila te ai ishte motori i të gjitha veprimeve publike, burimi i çdo besimi. Siç thotë edhe vetë në një artikull të tij: “E duam atdheun dhe kombin tonë ashtu siç nuk mund ta dojë askush tjetër, ngase askush s’e ka fuqinë për ta dashur si ne” (Timpul, 22 Shkurt 1879). Publicistika politike e Emineskut, edhepse e shkruar dhe botuar në gazetën Timpul para më se një shekulli, është aktuale edhe përgjatë këtyre viteve kur rumunët e Besarabisë (Moldavisë) e përjetojnë varfërinë më të madhe në Evropë, varfëri të cilën e pat përjetuar edhe gjeniu i ndjeshmërisë rumune në kohën e tij, filoshqiptari që e konsideronte shqipen si “gjuha më e zhdërvjellët në botë”.

 

Si e kundronte Kuteli prejardhjen shqiptare të Mihai Emineskut?

 

“Tani edhe disa fjalë mbi shqipërimin edhe botimin e këtij grushti vjershash. Shkaku i parë është bukuria e përsosur e veprës së Emineskut. Kjo bukuri e ka robëruar shkrimtarin e këtyre radhëve që në moshën e njomë kur pat filluar lëçitjen e Emineskut. Duke e lëçitur dhe rilëçitur këtë vepër me etjen e të riut filloi ta dijë përmendësh, edhe, duke e ditur përmendësh as ai vetë s’di se qysh, filloi ta shqipërojë (…). I dyti shkak është zbulimi, në vëzhgim e sipër, i një simpatie të veçantë që ka pasur poeti rumun për kombin shqiptar. Duke ngritur e duke luftuar me rreptësi kundrejt gjithë të huajve që kanë zotëruar e shfrytëzuar viset rumune në kohënë e sundimit turk e këtej, e sidomos kundrejt grekërve të Fanarit, Eminesku ka shkruar: “Midis fanariotëve vetëm një shtëpi u pat shquar për dashurinë e treguar ndaj tokave rumune, duke sakrifikuar edhe jetën e vet për të mbrojtur tërësinë e atdheut: Shtëpia e Gjikave. Mirëpo kjo shtëpi nuk ka qenë fanariote e vërtetë, po shqiptare. Edhe emri Gjika në shqipe do të thotë Gjergj”.

Duke shkruar kësisoj poeti rumun që ka thënë kaq fjalë të ashpra kundër grekërve, çifutëve, bullgarëve e të tjerë, ka patur parasysh sundimin krejt njerëzor e plot dashuri për atdheun e ri – me aspiracionet e të cilit u patnë identifikuar – të gjashtë princërve nga Dera e Gjikës edhe të tjerë sundonjës të naltë që zotëruan mbi provincat rumune midis viteve 1658 dhe 1856. Njëri nga këta, Grigore Gjika Voda, për të cilin Eminesku ka patur një adhurim të madh, ka paguar me kryen e vet qëndrimin e tij kundrejt Austrisë, kur kjo shkëputi nga trupi rumun provincën e Veriut, Bukovina. I fundit nga Dera e Gjikës – përveç shkrimtares së njohur Dora D’Istria, – dhe që është shquar për veprimin dhe ofiqet e tija të nalta, ka qenë Ion Ghica, shkrimtar dhe ekonomist i shquar, në një kohë “Bej” i ishullit Samos, në kohën e zotërimit turk edhe më vonë ish disa herë ministër në Rumani, në pjesën e dytë të shekullit të shkuar. Përveç Shtëpisë së Gjikës, poeti rumun që e dinte aq mirë historinë e vendit të vet do kish kujtuar edhe zotërimin e Vojvodit shqiptar Vasile Lupu, krijonjësi i një periudhe të ndritshme në kulturën edhe artin rumun.

Po, përveç këtyre fakteve historike simpatia e Emineskut ndaj kombit shqiptar mund të shpjegohet, ndofta, edhe me një lidhje gjaku. Patëm folur më sipër përmbi mjegullën e dendur që mbulon origjinën e kombësisë të poetit; e sidomos të atit të tij.

Shkrimtari rumun Ion Slavici kur e pa Emineskun, për të parën herë, më 1869, në Universitetin e Vjenës, iu duk, pas fytyrës, se është shqiptar ose persian, “kam ndjerë, thotë Slavici, një gëzim të gjallë kur mësova se Shqiptari im nuk është Persian po Rumun nga t’anët”. Që asohere Slavici mbeti mik me Emineskun të cilin e thërriste me një llagap të ngjizur prej tij: Turk! (Turcule!). Pas vdekjes së tij, biografët kanë rrahur shumë rrugë për të kthjelluar problemin e origjinës.

Nga këta z. George Kalinescu, profesor në Universitetin e Jashit dhe autor i një vëllimi mbi jetën e Emineskut dhe pesë vëllimeve mbi veprën e tij, kujton një numër prej dhjetë kombësish të ndryshme, duke vënë në krye të listës origjinën turke dhe shqiptare.

Thuhet se stërgjyshi i poetit ka qenë një turk i quajtur Emin. Ky Emin – pas disave lefexhi dhe pas të tjerëve tregtar, Emin Efendi – pat ardhur e qëndruar diku në Veri të Rumanisë. Në kohën e okupatës austriake, nëpunësit e mbretërisë, sllavë prej origjine, i patën sllavizuar emrin duke e regjistruar Eminoviçi. Në aktet zyrtare dhe në regjistrat e kishës, dera e atit të poetit është shkruar Eminoviçi. Këtë emër poeti e ka romanizuar kur ka filluar të shkruajë duke e bërë Eminesku, emër i vetëm në Rumani. “Eminesku, shënon shkrimtari Jakob Negruzzi kur mori letrën e vjershën e parë që poeti i kish dërguar për të shtypur, nuk duhej të ish i vërtetë po i njojtur prej do një autori të paguximshëm që nuk do të dalë sheshit”. Më tej dyke u marrë me çështjen e origjinës të poetit, Negruzi shkruan:

“Pas disave, gjyshi ose stërgjyshi i tij ka qenë turku Emin. Ky Emini, ose Emin efendi si mund t’i kenë thënë në kohën kur lidhjet tona me turqit ishin të ngushta. I mërguar midis nesh ky ka ndërruar emrin duke e bërë Eminovici, është pagëzuar dhe martuar me një rumune që qëndroj më parë në Suçeava dhe pastaj në Botoshani. Pa fjalë se pas disa gjenerata pjesëtarët e kësaj shtëpie as që mbanin ment origjinën e tyre orientale, kurse dashuria dhe respekti që ka patur Emineksu për myslimanët, dhe përçmimi i tij për grekët, çifutët edhe bullgarët dhe të tjera kombe të Lindjes të Evropës që rrojtën ndënë sundimin turk, munt të shpjegohen kësilloj përmjet atavizmit”. Vetë poeti, të cilin të afërmit i thoshin, me përkëdhelje Emin, ka thënë se sbret prej një farë utunxhi Emin Efendi. Pas kaq premisa mi turqizimin e Emineskut, të na lejohet të bëjmë disa nënvijime:

I pari: në Rumani kurdoherë shqiptarët myslimanë, nga shkaku i fesë janë emëruar si turq, kurse shqiptarët e krishterë si grekër.

I dyti: në zhvillimin e popullit rumun nuk ka fort të ngjarë asimilacioni pse rumanizmi i turqve, aq më fort kur këta ishin zotër në viset rumune e pjesëtarët e një perandorie të madhe.

I treti: në shekujt e kaluar shqiptarët- të njojtur prej vendasve si turq ose si arnautë – ishin të shumtë në provincat rumune, si rrojtës ose olefexhinj nëpër shtëpitë e bujerëve dhe të vetë voevodit të vendit.

I katërti: në kontakt me popujt sllavë shqiptarët kanë marrë dendur trajtat e emrave të këtyre. Sot, bie fjala në Shqipërinë jugosllave i bir’ i Eminit quhet Eminoviçi, i bir’ i Hasanit (Hasanoviç, i bir’ i Bilallit – Bilaloviç) e kësilloj më tej. Të tillë Eminoviçë, Hasanoviçë ose Bilaloviçë, kosovarë e shqiptarë që nga takija e gjer në opinga ka shumë në Rumani ku mirren me tregtira të vogla ose punojnë si rrojtës, vendësit iu thonë, si në kohë, gjithë turq. Shumë prej tyre janë tani vendës: me shtëpi e fëmijë të cilëve bota u thotë dendur gjithë turq, si tani e dy-tre shekuj.

Ergo: versioni i origjinës turke të Eminit bie lehtazi i zëvendësuar prej shqiptarit Emin.

Një tjetër fakt që na shtyn të besojmë fort në origjinën shqiptare të poetit rumun është një episod i vitit 1883 kur Eminesku u sëmurë për të parën herë nga mendja. Këtë episod e ka shënuar vetë profesori Titu Maioresku në radhonjtë e vet. Më 23 të qershorit 1883, kur në Bukuresht kish filluar e nxeht’ e madhe, Eminesku është në vizitë në shtëpinë e Maioreskut dhe nis të humbasë fillin e mendimit.

Në delirium e sipër poeti thotë se është prej fisi shqiptar, se dëshiron të mësojë gjuhën shqipe, se do të bëhet kalugjer. Këto fjalë midis njatij tërmetit të tmerrshëm të mendimit, a nuk mund të shpjegohen, vallë, si zëri i së vërtetës, i atavizmit, i dalë nga fundi i thellë i ndërgjegjes së vet? Një pyetje e thjeshtë kjo jona, përmbi të cilën është e udhës të ndalohet ndopak vëzhgonjësi i jetës dhe veprës së poetit më të madh të Rumanisë”. (Mitrush Kuteli, nga parathënia e vëllimit Vjersha të Mihai Emineskut, Shtypshkronja Albania, Konstancë, 1939).

 

Nga korrespondenca e Veronikës me Emineskun:

28 mars 1882

Emini im i ëmbël,

Sa më shumë që dashuron dikush, aq më i marrë duket dhe më i padrejtë ndaj gjykatës që ia bën qenies së tij të dashur. Mimi! E vetmja gjë e  adhuruar që kam mbi këtë dhe të bezdisshëm je ti; falmë, por po qe se kaq shpesh të bëj padrejtësi dhe të akuzoj herë për indiferencë e herë për ku ta di se çka kalon nëpër mendjen time të marrë, mendje e turbulluar si pasojë e vështirësive dhe nevojave të jetës. Në letrën e 22-të dukem përsëri sarkastike dhe e keqe, ndaj të lutem të më dënosh me përqindje kur të shihemi, kurse deri atëherë bëhu i njerëzishëm ndaj meje dhe mos m’i zë për të madhe krejt ligësitë që e kanë një burim të vetëm: “dashurinë time të pakufishme ndaj teje dhe një xhelozi të cilën më vjent turp të ta tregoj” – dhe jam xheloze ndaj shpirtit tënd, ndërsa sa i përket zbavitjeve tua nuk do të isha hidhëruar, edhepse digjem nga hidhërimi!

Mikule, shumë kam qarë pasi e mora letrën tënde. Më ka kapluar një trishtim i pakufishëm kur e shoh se vuan në vetmi, pa prezencën e një dore përdëllimtare që do ta çikte ballin tënd që vlen sa një mbretëri, dhe atë pa e patur një shpirt të pamëshirshëm pranë kokës sate. Ç’do të kishe bërë ti në këto momente? Mimi, nuk po të shkruaj më ngase më gulçon vaji dhe është një vaj që niset nga thellësia e shpirtit dhe mendoj me dashuri për ty dhe për pluhurin tim të arsenikut. Jam aq shumë pranë tij, dhe ajo që më lidh për dheun je vetëm ti. Falmë, por më bie kandili nga dora dhe nuk mund të shkruaj më. Më eja për Pashkë, i dashur! Do të më duket atëherë se gjej një thesar duke të parë. Mic im i dashur, i dashur dhe i dashur, siç nuk mund të ketë njeri përveç teje në botë.

Të puth nga thellësia e shpirtit tim të shembur për ty,

Veronika.

                                                                                                                                                               

Dashamir i madh i popullit shqiptar dhe gjuhës së tij

 

Më kot mundohen serbët ta përvetësojnë poetin më të madh rumun derisa s’u kanë dhënë njëmilionë rumunëve të Timokut kurrfarë të drejtash shkollare e fetare. Pas pavarësisë së Kosovës që troket në portë, pse të mos përgatisin ndërkombëtarët terrenin për autonominë e tri krahinave multietnike që gjenden përreth ishpashallëkut të Beogradit: Sanxhaku me një shumicë boshnjake, Vojvodina me 26 minoritete, dhe Lugina e Timokut me njëmilionë rumunë të semiserbizuar?

Këto ditë (15 janar) u mbushën 166 vjet nga lindja e poetit të famshëm rumun Mihai Eminesku, klasiku i formave të përkryera artistike. Jetoi 39 vjet dhe u shua një vit pas shuarjes së Elena Gjikës (Dora D’Istria): 1889. U lind më 1850 në Ipotesht të Moldovës, duke qenë fëmija i shtatë nga 11 fëmijët e familjes Emoniviç. Shqiptarë të panumërt që vinin në Rumani me pasaporta jugosllave mbanin mbiemra të serbizuar: Eminoviç, Imeroviç, Maksutoviç, por kjo nuk don të thotë se Eminesku ishte serb, turk apo shqiptar, edhepse admirimi i tij ndaj gjuhës shqipe dhe shpirtit shqiptar është i hatashëm. Ndërmjet viteve 1860-61 ndjek kurset Ober Gymnasyum në Çërnauc.

Viti 1866 është viti i manifestimeve të para letrare: debuton në revistën Familia të Iosif Vulcan-it me poezinë Po të kisha. Më 1887 i bashkangjitet një trupe teatrore, duke u njohur në Teatrin Kombëtar me dramaturgun e famshëm rumun me prejardhje çame, Ion Luca Caragiale (Jon Luka Karaxhiale). As Karaxhiale nuk ishte shqiptar, edhepse e gjejmë të fotografuar në Berlin me kostum shqiptar, ndërsa mbiemri i tij ndërlidhet edhe me disa mikrotoponime shqipe (Mali Karaxhës në bjeshkët shqiptare të Shipkovicës, etj.).

Themi shqiptare, edhepse mbiemri Karaxhiu ndërlidhet me arumunët, përkatësisht vllehët, të konsideruar përgjatë historisë si vëllezërit më të mirë të shqiptarëve, prej nga ka mbetur në Shqipëri sintagma Vllahu është vëlla. Më 2 tetor 1869 hyn në Universitetin e Filozofgisë në Vjenë. Më 1877 vendoset në Bukuresht, ku deri në vitin 1883 është redaktor, pastaj kryeredaktor i gazetës Timpul (Koha), duke patur një veprimtari të shkëlqyeshme publicistike, e cila ia shembi shëndetin.

Është periudha në të cilën Eminesku shkruan poemat e mëdha Luceafarul (Luciferi), Scrisorile (Letrat), duke u shuar më 1889, pas një sëmurje mendore, pasojat e së cilës janë ende të paqarta ngase ekzistojnë gjithfarë versionesh lidhur me vdekjen e tij. Sipas Vehbi Balës: “sëmundja dhe mjerimi e katandisën në një gjendje të vajtueshme, tue mos gjetë aspak përkrahje nga njerëzit në fuqi”, “i braktisun në fatin e zi nga pushteti i kohës, mbylli sytë më 15 korrik 1889, i vramë në një çmëndinë. Vetë jeta e tij është një dëshmi akuze kundër shkaktarëve të vuejtjes e të mjerimit të popullit të vet”.

Poezia e Emineskut është e shenjtë dhe e bukur, e vështirë për shqipërim si pasojë e rimës. Sipas Nasi Lerës, “ajo është një poezi zemre të sinqertë që personifikon shpirtin e popullit të tij”. Përkthyesit më të njohur të Emineskut në gjuhën shqipe janë Gjergj Bubani, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ismail Kadare, Vehbi Bala, Rexhep Ismajli, Dionis Bubani, Luan Topçiu. Gjeniu i letërsisë rumune ishte mendimtar i thellë dhe mjeshtër i rrallë i fjalës artistike.

Kushdo që lexon veprën e tij, krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me një përgjegjësi të jashtëzakonshme që vjen nga brendia e qenies njerëzore. Sipas Vehbi Balës, Eminesku ishte “një dallëndyshe që hyn nga një dritare dhe del nga tjetra: aq qe kalimi i tij i rrufeshëm, që do të qëndrojë në përjetësi pasi ylli është shuar”. /SHQIPTARI.eu

 

Autor i këtij shkrimi është poet, studiues dhe përkthyes, që jeton dhe vepron në Bukuresht të Rumanisë

You must be logged in to post a comment Login