“Sputnik” promovon skenar ogurzi: Do të ketë konflikt të armatosur në Preshevë

Menjëherë pas turit ballkanik të Zv.Presidentit amerikan Mike Pence, portali i Kremlinit, “Sputnik”, ka promovuar një skenar të frikshëm në faqet e saj, duke bërë të ditur se pritet një “mini-reply të luftës në Ballkan”.

“Sputnik” ka intervistuar një ish-drejtues të lartë të shërbimit famëkeq ushtarak serb KOS, përkatësisht nënkolonelin Ljuban Karan.

Ish-drejtuesi i kundërzbulimit serb thekson se tashmë  Bosnja dhe Presheva do të jenë territori i luftës së re.

Sipas “Sputnik”, NATO do të imponojë që të shkohet deri tek rishikimi i Marrëveshjes së Dayton-it e cila ndau Bosnjën në dy kantone dhe që ka krijuar një shtet praktikisht si Republika Srbska, i cili nuk jep asnjë llogari në Konfederatë, por vetëm e përdor për të arritur qëllimet e saj.

Dhe siç shkruan “Sputnik”, pas nisjes së diskutimeve për rishikimin e Dayton-it do të shpërthejë konflikti i ri ballkanik për të rindarë Bosnjën.

Nënkoloneli Karan, njeriu që ka punuar gjatë për shërbimin serb dhe që tani duket se është bashkëpunëtor i afërt i rusëve, deklaroi për “Sputnik” se armatosja e rëndë e Kroacisë me sisteme të sofistikuara amerikane dhe gjithashtu e Serbisë me sisteme të tilla ruse, është vetëm fillimi i një konflikti ushtarak që si gjithmonë thotë ai “epilogun do ta ketë me shqiptarët në jug të Serbisë”. Këtu i referohet natyrisht Preshevës.

Edhe pse kjo ngjan e çuditshme, duket se ka një lidhje me realitetin politik.

Ilir Meta, presidenti i ri i Republikës, takimet e para si kryetar i shtetit shqiptar i bëri pikërisht me dy figura politike të Preshevës: kreun e Këshillit Nacional Shqiptar, Jonuz Musliun, dhe kryetaren e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ku u përmend “zgjidhja e problmeve në kuadrin e Serbisë”.

Vetë Meta e ka thënë këtë në komunikatën zyrtare të Presidencës.  Po pse kush e kishte vënë në diskutim që të diskutohet jashtë Serbisë?

Ky veprim i kreut të shtetit shqiptar, siç duket është studiuar me kujdes nga rusët, që kanë bërë analizën e tyre, natyrisht jo kaq lokale por si rajon.

“Sputnik” në shkrimin e vet thekson se “Objektivi i Aleancës së Atlantikut të Veriut është që  të mbetet një faktor i domosdoshëm për vendet që nuk janë anëtare të saj, për të realizuar qëllimet e saj ndaj Rusisë”.

Ish-zyrtari i Kundërzbulimit Shërbimit serb (KOS), Ljuban Karan, në intervistën e tij thotë se “NATO ka një plan për të zotëruar plotësisht Ballkanin, kryesisht për shkak të frikës së ndikimit rus, dhe shembulli më i mirë për këtë është Mali i Zi. Tani po kërkohet futja e Maqedonisë, por problem është si të zotërohet Republika Srbska”.

Dhe këtu “Sputnik” përmend rishikimin e Dayton-it.

“Kjo do të sillte një konflikt dhe ndoshta mund të ndërhynte Rusia. Pikërisht për të mbrojtur Ballkanin është vendosur sistemi raketor i NATO-s në Rumani, ndërsa ai i Polonisë është për të mbrojtur sfondin e Europës”, thekson ish-oficeri i lartë i kundërzbulimit serb.

“NATO  nuk do që ne të jemi ushtarakisht neutralë.  NATO beson se është mjaft e fortë dhe mund të na detyrojë që të jemi pjesë e saj.

Kohët e fundit është duke u përpjekur për të arritur qëllimet e saj pa armë, por situata nuk është e njëjtë si gjatë viteve nëntëdhjetë, sepse tani ka një zonë ruso-kineze të interesit. NATO  po e përdor forcën si një kërcënim”, tha nënkoloneli Karan.

Dhe në analizë radha i vjen “rrezikut shqiptar”.

Ish-kundërzbuluesi serb, i cili ështët marrë jo pa qëllim nga “Sputnik”-u si ekspert, thekson se “NATO përdor elementin kroat dhe atë shqiptar si subversiv për ta drejtuar kundër serbëve.

Po ndiqet një recetë të vjetër: kroatët e boshnjakët kanë pretendime territoriale për Republika Srbska-n, kurse shqiptarët për Preshevën.

Një Kosovë e pavarur nuk është qëllimi përfundimtar i shqiptarëve, por ata duan Preshevën, të cilën askush nuk mund të marrë pa luftë.

NATO ka punuar që prej viteve ‘90 me modelin ‘përça e sundo’ siç ndodh rëndom me Perandoritë”, shprehet ndër të tjera njeriu i intervistuar nga “Sputnik”.

Përgatiti: Ylli Pata – /tesheshi.com/

You must be logged in to post a comment Login