Koha kur Evropën e tremb Shqipëria

Nga – Pranvera Shehaj

Objektivat dhe projektet afatgjata kanë qenë gjithmonë pjesë e një rrugëtimi problematik për ne shqiptarët, përsa kohë timonierët tanë e kanë parë vendin si instrument i karrierës vetjake. Është mëse e dobishme të bësh opozitë të fortë në një vend ku zëri i kundërshtisë bëhet palë me heshtjen, por opozita ka detyrimin moral dhe profesional të kontribuojë në sfidat historike të integrimit të Shqipërisë. Përsa kohë kampi opozitar i një mandati qëndron indiferent dhe bëhet pengesë për realizimin e projekteve madhore, nuk është surprizues fakti që në rolin e qeverisjes, ish opozita merr përsipër të zerojë përpjekjet që shqiptarët të konsolidojnë të drejtën e lëvizjes së lirë dhe të fitojnë statusin e qytetarit evropian.

Lajmi i bujshëm i ditëve të fundit, ku qeveria holandeze kërkon rikthimin e vizave për lëvizjen e shtetasve shqiptarë në zonën Shenghen, është paradhomë e një regresi të paprecedent në historinë politike të post komunizmit. Policia dhe prokuroria holandeze i kanë dorëzuar qeverisë së Holandës një raport mb rritjen eksponenciale të përfshirjes së shqiptarëve në trafikun e drogës, prostitucionit dhe krimit në Holandë. Kërkesa e policisë dhe prokurorisë holandeze ka gjasa të jetë fillimi i një regresi fatal në projektin disa vjeçar të liberalizimit të vizave dhe integrimit në BE. Ajo që trondit më së shumti është motivi mbi të cilin ngrihet reagimi i qeverisë holandeze: krimi, armiku aktual më potencial në shoqërinë shqiptare, forca e të cilit i dha jetë sistemit qeverisës.

Kur raporti i Tanja Fajon për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën u miratua nga Parlamenti Evropian me 538 vota pro dhe 47 kundër, ne kishim bërë shumë, ose të paktën kishim bërë aq sa nënshtetësia jonë të mos perceptohej më si status i një qytetari, hyrja e të cilit duhet monitoruar vazhdimisht. Lëvizja e lirë në zonën Shenghen la pas dy detyra themelore: luftën ndaj korrupsionit, dhe betejën e vështirë ndaj krimit të organizuar me qëllim kryesor sekuestrimin e aseteve kriminale. Duke theksuar faktin se liberalizimi i vizave nuk pati vetëm luftën ndaj krimit si kusht themelor, kemi të drejtën të mendojmë se problematika kriminale nuk mund të jetë i vetmi motiv i pretendimit të qeverisë holandeze për rikthimin e vizave për shqiptarët. Pragu i dështimit logjikisht mbart brenda vetes të tjerë faktorë.

Luftuam fort për të lëvizur lirisht në ato shtete ku shpresa për një jetë më të mirë ka joshur qindra e mijëra shqiptarë. Luftuam pa armët e duhura për ta merituar heqjen e vizave. Luftuam duke bashkëjetuar me një sistem drejtësie të korruptuar, me shëndetësi primitive, me institucione arsimore pa kushte, me një politikë që zvarrit tranzicionin demokratik, me një shoqëri ku mundimi për të mbijetuar është kthyer në kusht vazhdimësie. Po, të gjitha ishin dhe janë pjesë e luftës për liberalizimin e vizave pa harruar se edhe niveli i kriminalitetit ka qenë përherë një virus që qarkullon lirisht në shoqërinë shqiptare, i ndihmuar nga gjendja e mjerueshme ekonomike. Por, kurrsesi nuk kishte ndodhur që krimi të kthehej në ligj kushtetues i miratuar në Shqipëri dhe i eksportuar masivisht jashtë kufijve të saj dhe kjo, sepse është legjitimuar bindja se në këtë vend nuk ia dilet ndryshe, se në këtë vend nuk ia vlen ndryshe, se mbijeton i forti, se triumfon e paligjshmja.

 

Ta nisim analizën duke kuptuar në cilën pikë kemi arritur në secilën prej detyrave duke lënë mënjanë identifikimin e përgjegjësve.

 

Lufta ndaj korrupsionit? Një lojë e dështuar e teatrit politik dhe administrativ. Adiministratë që rinovohet në sinkron me rotacionin politik çdo katër vite, duke shpërblyer reciprokisht militantët e partive. Kostoja e një vendi pune në institucionet shtetërore është e deklaruar dhe e njohur publikisht. Meritokracia në punësim vazhdon të jetë e huaj duke ia lënë vendin rryshfetit, klientelizmit e me raste edhe imoralitetit. Rangu më i lartë i përfaqsimit të zërit qytetar, deputetët e zgjedhur janë individë që plotësojnë domosdoshmërisht dy kritere kryesore: të fortët që bëjnë ligjin në favor të aferave të paligjshme, të pasurit që me shumat marramendëse zaptojnë profesionin e politikës edhe pse krejtësisht të paaftë për bashkëpunim me qytetarët. Sistem shëndetsor ku i varfri dergjet në korridoret e spitaleve

 

dhe pacientët njihen si klientë. Sistem arsimor që me raste diplomon injorantin. Drejtësi që shet me një kosto të lartë të drejtën duke kalbëzuar besimin se ligji duhet të jetë autoriteti më i lartë në shoqëri. Jo vetëm nuk është bërë asnjë lëvizje për ta luftuar, por për të mbajtur në jetë korrupsionin po investohet kudo dhe tentakulat e tij vegjetojnë në nivelet më të larta të institucioneve shtet formuese. Korrupsioni shet të varfrin, korrupsioni blen votën, korrupsioni mbyt zërin, korrupsioni gropos të drejtën, korrupsioni vendos, qeveris dhe ushqen plagët shoqërore të këtij vendi.

 

Lufta ndaj krimit të organizuar? Një dështim konstant dhe i dëshiruar sepse krimi është konsoliduar si partner potencial në drejtimin e vendit. Narkotrafikantët, tutorët, vrasësit dhe hajdutët ia dolën, ashtu siç pritet në një demokraci infantile, të hyjnë në zyrat më të larta të institucioneve ligjzbatuese duke i dhënë krahë dhe mbështetje krimit në terren. Beteja me drogën nuk ka qenë për asnjë moment një kauzë reale sepse aty ku çdo degë e politikës ekonomike është fashitur, tregu i lëndëve narkotike është domosdoshmëri.

 

Projekti i integrimit të Shqipërsië në BE jo vetëm po përjeton një fazë stanjacioni, por mes problemeve dhe krizës aktuale duket se është kthyer në një ëndërr në të cilën besuam më shumë se duhet. Pikëpyetja qëndron tek lidhja midis asaj që aktualisht Shqipëria është brenda kufijve dhe ajo që Shqipëria eksporton jashtë saj. Eksporton azilkërkuesit, të ikurit prej papunësisë, eksporton gangrenin ekonomik dhe shoqëror përtej kufijve. Nëse këtu ka krim, eksporton krimin, nëse këtu mbijetohet me drogë, eksporton drogën, nëse këtu prostitucioni i formave nga më të ndryshmet është pranuar si zgjjedhje e detyruar, eksporton prostitucion. Shqipëria i jep Evropës atë çka është edhe pse prej saj kërkon progres, mbështetje dhe ftesë për integrim ekonomik, shoqëror dhe politik.

Investimi monetar për promovimin e Shqipërisë në mediat prestigjioze evropiane dhe përtej Atlantikut, sigurisht që ndihmon në prezantimin e një Shqipërie që e mbinatyrshmja i ka falur gjithçka, por nuka asnjë lidhje me projektin madhor të integrimit politik dhe diplomatik. Shqipëria është mëse e integruar me potencialet e saj natyrore si një vend ku i vetmi defiçit është administrimi i duhur. Lufta nuk konsiston në të integruarit e Shqipërisë, lufta bëhet për integrimin e shqiptarëve.

 

Kaosi brenda kufijve nuk mund të mos emigronte edhe jashtë tyre duke reflektuar në shtetet përreth gjendjen e mjerueshme të shtetasve që dëshpërimisht urrejnë depresionin shumë dimensional të vendit të tyre. Holanda kërkon rikthimin e vizave për shqiptarët jo sepse shqiptarët në vetvete janë burim krimi, por sepse Shqipëria është aktualisht një vend i paaftë për të kontrolluar kërkesat për azil politik. Në një Evropë, të cilës sot për sot i duhet të menaxhojë fluksin e emigrantëve që i largohen luftës, nuk mund të mirëpriten shtetasit e një vendi që disa vite më parë pretendonte të bëhej pjesë e sfidave të Evropës duke u kthyer nga shtet nevojtar, në partner bashkëpunimi i barabartë me vendet e BE-së.

Holanda këron rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët sepse logjika është fare e thjeshtë: i sëmuri që refuzon të shërohet braktiset në çmendurinë e vet. Dhe ne po na braktisin duke na rikthyer në vetë izolim.

 

Pyetja është: a ia vlen të vazhdojmë të braktisim veten? Duhet të kuptojmë se heqja e regjimit të vizave nuk ishte kontribut i klasës politike, por i vendosmërisë së një populli që etja për liri i ushqeu fuqishëm dëshirën për punë, civilizim dhe progres. Ne rendëm individualisht drejt dyerve të Evropës dhe dëshmuam se sakrifica e emigrimit bëhej në emër të një të ardhmeje të ngritur mbi shpresën. U integruam në mënyrën tonë, duke pranuar përulësisht çdo lloj mundësie që do të gjenim. Rendja drejt shteteve të Evropës na dha shumë epitete, por kurrsesi nuk mund të na identifikonte me krimin, trafikun dhe drogën. Beteja për lëvizjen e lirë në zonën Shenghen ishte një fitore e jona, e shqiptarit që besoi se integrimi në Evropë nuk ka nevojë për rituale diplomatike. Sot, rreziku për një rikthim pas në kohë ka vetëm një fajtor: një parlament që u ngrit mbi figurën e të fortit dhe krimit i dha stafetën e drejtimit të vendit. Dhe ja ku jemi. Për Evropën krimi është ne dhe ne jemi ai.

Fituam të drejtën e lëvizjes së lirë si një popull që makthin 50 vjeçar të izolimit e ktheu në ëndrrën e evropianizimit. Sot rrezikojmë të ndalim sërish si një popull që fatkeqësisht e ka kapluar pafuqia , inercia dhe hipnoza ndaj një sistemi qeverisës që krimin e ktheu në pasaportë biometrike.

You must be logged in to post a comment Login