Tradita arbëreshe: Nëna e Skënderbeut ishte nga Mirdita Në bregun përkundruall Arbërisë, ku u shprëngulën mijëra familje pas vdekjes së Skënderbeut, ruhen rrëfenja e tradita kujtesore edhe për gruan e Gjon Kastriotit

Në bregun përkundruall Arbërisë, ku u shprëngulën mijëra familje pas vdekjes së Skënderbeut, ruhen rrëfenja e tradita kujtesore edhe për gruan e Gjon Kastriotit.

Prejardhja e nënës së Skënderbeut, Vojsava Tribalda, vazhdon të pezullojë mes pikëpyetjeve të mëdha e hipotezave nga më të ndryshmet. Prej hipotezës se ajo ishte nga dera e fisme e Muzakajve e deri te ajo më e reja e Oliver Schmitt-it për një prejardhje të mundshme nga familja serbe Brankoviç, fisnikja nga Pollogu që lindi nëntë fëmijë është një nga personazhet më pak të njohura në historiografinë skënderbegiane.

Por, në bregun përkundruall Arbërisë, ku u shpërngulën mijëra familje pas vdekjes së Skënderbeut, ruhen rrëfenja e tradita kujtesore edhe për gruan e Gjon Kastriotit, shkruan Konica.al.

Palac Adriano (Sicili)

Shkrimtari arbëresh, Gavril Dara i Riu nga fshati sicialian i Palac Adrianos do të stivonte plot nga traditat kujtesore të familjeve arbëreshe. Pa fshehur krenarinë, shkrimtari arbëresh njofton se të parët e tij ishin kushërinj të largët të Vojsavës.

Në jetëshkrimin e tij, Gavril Dara i Riu thotë se të parët e tij, Dharenjët, ishin kushërinj me të ëmen e Kastriotit, e cila ishte e bija e Prenkut të Mirditës.

‘Sundimtari i Pollogut’, për të cilin Marin Barleti në hagiografinë e tij për Skënderbeun lë vetëm njoftime të thata, sipas traditave kujtesore të arbëreshëve duhet të ketë qenë princi i mirditorëve.

Portali Konica.al sjell një pjesë të shkëputur nga jetëshkrimi i shkrimtarit arbëresh:

“MIDIS TYRE NDËR MË TË PARËT ISHIN GJYSHËRIT E MI, QË PËRMENDEN GJER MË SOT MËRKURI E NJANI I DHARENJËVE, GJËRINJ TË KASTRIOTIT NGA ANA E VOJSAVËS, SË JËMËS SË TIJ, QË ISHTE E BIJA E PRINCIT TË MIRDITASVE”.

You must be logged in to post a comment Login