THIRRJA E HESHTUR E KUTELIT

 

“MITRUSH KUTELI NË 100-VJETORIN E LINDJES” , Tryezë shkencore

Andi Bica

Akademia e Shkencave çeli portat këto ditë për shkrimtarin e njohur  Mitrush Kuteli në 100 vjetorin e lindjes si prurësi me kualitetin më të lartë në letrat shqipe për shekullin e shkuar, të “Eposit të kreshnikëve” për të gjithë, me përshtatjen rikrijuese të veprës  “Tregime të moçme shqiptare” .

Studjuesit , akademikët ,  ekonomistët e gjuhëtarët  së bashku me trashëgimtaren e familjes  Atalanta Pasko,  rizgjuan vlerat shumplanësh të bankierit mendimtar që shpëtoi financat duke mbrojtur Lekun shqiptar në kohë krize europiane në kapërcyellin e Luftës së Dytë Botërorë në Shqipëri , e pastaj shkrimtarit vizionar i cili diti me dashuri të na ruajë pasurinë mahnitës të legjendave kombtare.

Profesor Aurel Plasari na kujtori se Dhimitër Pasko mbetetë një minierë floriri për tu ndriçuar.

Gjuhëtari Xhevat Lloshi u ndal tek disa nga prurjet gjuhësore duke i shkuar në rrënjë prejardhjes së mbiemrit në art si fjala Kuteli i cili vjen nga fjalët kutulla matëse drithi ose kutrulia që don të thotë për lexuesit lloj drithi pra në kontekstin e fjalës me brumë ose bukë e shëndetshme letrare.

Lindita Komani shpaloi mendimin e ekonomik të Dhimitër Paskos me 24 artikujt në publicistikë si dhe botimet e tij në rrafshin e problematikave financiare të kohës me të cilat iu desh të përballet Shqipëria. Profili ekonomik i Kutelit akoma i panjohur për bashkombasit vlen të rishikohet e të reklamohet nëpër botime e konferenca studjuesish e studentësh të kësaj sfere kaq të ndjeshme në të gjitha kohërat.

Tryeza  e mendimit akademik e thirrur nga personaliteti i Mitrush Kutelit në ditëlindjen e tij prej dashamirësve  të veprave të tij ,  u moderua me elokuencë nga studjuesi i njohur Kristaq Jorgo , duke na treguar se rimarrja e veprës së Kutelit dhe reklamimi i saj ndërkombtarisht si një stoli identitare është i pambarimtë.

Emblemë e studjuesve shenjohet vepra “ Kuteli mes të gjallëve e të vdekurve “ e autorit Aurel Plasari si themelues i “Kutelologjisë” nëse mund të emërtohet në këtë formë në rrafshet  e letrave shqipe.

Më vonë studjuesi Behar Gjoka me veprën studimore “Proza e Kutelit” rimerr në optikën e analizës së tekstit në një dimension të ri përmasimet letrare të shkrimtarit.

Shqipja e pasur e Mitrush Kutelit dhe mesazhi gjithkohor i legjendave shqiptare me të cilat shkrimtari na mbrun virtytet më të mira të racës shqiptare trokiti si një thirrje e pazhurmshme tek miqtë e librit. Nga ana tjetër Dhimitër Pasko me  logjikën e kthjellët të mendimit ekonomik  na tregon me kualitetin dhe kuptimësinë  e veprës së tij përgjegjësinë e kohës për ekuilibër mes materiales dhe shpirtërores në udhëtimin e përbashkët.

You must be logged in to post a comment Login